Republikë e zhgënjimit - Bota Sot
Republikë e zhgënjimit

Kultura

E diel, 27 maj 2018

Republikë e zhgënjimit

Nga: Sarë Gjergji Më: 14 shkurt 2018 Në ora: 16:21
Ilustrim

Kronikat tona flasin ndryshe sot
Në kundërshtim të kohëve
Motet i kryqëzojmë në jargë dhelpre
Imzot
Padronin, sa herë e merr lemza
Kambanat heshtin për terrin

Të zverdhur në shpirt
Lahutës nuk i besojmë më
As kërthizës së tokës amë
Në kosh plehrash
Hodhëm dritën

Hartë e trupit tonë ndryshon
Se shpirti na la
S’ka më ideale, as bukë, as ujë
Asnjë mendim më
Atdhe – kolltuku ynë, Rrofsh!

GJUHA SHQIPE 

Burrërisht nëpër trajta lakohet e s’thyhet dot
Plot finesë, e butë si grua
Gjuha Shqipe
Kur gjini të kundërta flasin
Bëhet frutë

EH, BEQË, BEQË!
(B.Musliut)

Askush s’do t’ia dijë për Ndriçimin e Parë
As në flasin Bozhuret e Kosovës. 
Kokën e dëbuam nga parajsa,
Me bishtin këndej në Zanafillë,
Një trup i shëmtuar jemi, 
Në mumje shndërruar.

Të shenjtët i dhunuam,
I kryqëzuam,
I varrosëm,
Para e mbas Erës së Re...

Tash kot pyet si t’i arrijmë në Obilisk,
Ata që na nxorën në këtë ditë
E nëse do kthehen në vetvete.
Mendimi nuk zgjohet dot,
Këtu këndon zbrazëtia, 
Vetë e the,
Për këngën e vet u var Orfeu,
Në valle rëre, Ne!

T’ përbej në tokën ku shpirti yt frymoi, Beqë,
Në gjithë atë mori figurash e simbolesh që testament na lë, 
Eja, përndryshe, 
Në këtë udhëtim somnambulik, 
Vdekjen e turpshme po shkruajmë!

DËSHIRË
1.
Nuk dua asgjë më shumë se sa të shoh
Shkretëtirën të ngopur me ujë 
Të veshur nga drurë frutorë
Të shoh 
Nëse lulet në ajër mbi Saharë
Përqafojnë stinët që duan

2.
Buzët e prushta të Ajshes 
Doja t’i shihja
Qoftë edhe për një çast të vetëm
Mungesën e lotit nën perçen e zezë 
Që i mbështjell shpirtin prej qumështi.

Oh, sikur t’i dhuroja 
Një trëndafil për Shën Valentin
E të dëgjoja rrëfimin e saj për mollën e ndaluar!

Kush e di nga se u bë Deti i Vdekur...

3.
Nuk dua asgjë më shumë – më besoni 
Se sa të shoh
Si përmbytet nata
E si lind dielli në Lindje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test