Fonemat e ribërjes apo Uraganet e pranverës shqiptare

Kultura

Fonemat e ribërjes apo Uraganet e pranverës shqiptare

Nga: Ma.sc. Izet Shala Më: 13 shkurt 2018 Në ora: 11:53
Kopertina e librit

Maratonës së fonemave shqiptare çuditërisht nga të tjerët nëpër shekuj e kohë u paraprijnë uragane të shoqëruar me ciklone që të dyja së bashku shndërroheshin në cuname jo vdekjeprurëse por mbjellin farën e jetës dhe melodinë e këngës se lashtë , me uratën Pellazge- Ilire dhe kuvendet Arbërore-Dardane për ribërjen Shqiptare në mbarë gjeografinë kombëtare.

Një mendim, vizion dhe filozofi e gurëzuar bashkë me shkreptimat si xixat e strallit në aventurën uragane të letrave shqipe dhe prurjet risore të temave, fjalëformimeve nën gjethnajat që sfidonin rrezet ultravjollce të korrikut përvëlues, vjen me veprën në vargje poeti, publicisti, veprimtari, luftëtari për qepjen e hartës së grisur të atdheut, Avni Azizi.

Këto argumente i sforcon, dëshmia e vargjeve poetike të autorit Azizi me poezinë ,, Harta e atdheut’’, faqe 7

 

Mbi një shkëmb të thepisur

Damarët po më pëlcasin

Por zemra e trandur rrah

Drejt valëve të ngrohta të detit

 

Figurativiteti poetik i këtyre vargjeve për të tashmen tregon dhe kthen në retrospektiven historike kujtesën kombëtare nëpër të cilat kalavare të stërkequr nga pushtuesi sllavo-aziatik me tharmëtimin e petkut evropian kalonte gjysma e kombit shqiptar në hartën e tokës së vet.

Për ta formësuar mendimin dhe ideatorizmin politiko-veprues vendosja e djalërisë dhe vajzërisë shqiptare të të rebeluareve apo siç po i emërtojmë ne uraganet e pranverës shqiptare vërtetë është dashur të kesh guxim, mençuri, dashuri për luftën dhe aspak të mendosh për vdekjen.

Autori Avni Azizi ka bërë prurjen më interesante poetike për lexuesin vendor dhe të jashtëm të të gjitha shtresave me formën dhe përmbajtjen e librit. Këtë e ka ndihmuar përvoja e madhe e lëvrimit të mendimit nëpër disa fusha si motra të krijimtarisë si: gazetaria publicistike ku është dalluar autori i veprës "Fonemat e ribërjes".

Kjo do të thotë veprën nuk e ka kornizuar në një sistem klasike-arkaik me ndarje në cikle dhe motive por poezia moderne por i krijon hapësira të mëdha lexuesit edhe në motivet poetike.

Autori paraqitet përveç si poet edhe njohës i mirë i psikologjisë së kombit të vet, prandaj qëllimshëm ia atribuon here-here patriotizmin kulmor lexuesit herën tjetër afër lirikën dhe baladën e ngrohtë prindërore fëmijëve të cilët kanë nevojë shumë për këshillat veprues të tyre dhe të pedagogëve në luftën e ribërjes së fonemave të mevtësuar shqiptare përball stuhive dhe kolaboracionistëve të cilët silleshin si hijet e djajve në çdo cep të hartës së atdheut të poetit .

 

Poezia Atdheu frymon kështu:

Gurët nuk kanë rrënjë

Erërat nuk kanë shtëpi

Veç shekujt lozin plojë

Për Shqipëri...

 

Edhe poeti është njeri i zakonshëm si gjithë të tjerët, por ndjenja, shikimi i tij kalon përmasat e njeriut të përditshmërisë së tij konfigurshëm përball atdheut nëpër robërinë që kalon dhe ka momente kur mllefin e hidhërimin e shpreh edhe për një pjesë të unit të vet apo gjaku të vet si nuk kanë pakëz reagim për gjendjen e rendë të atdheut dhe alegoria e tij poetike jepet si kumt përmes vargjeve, gurët nuk kanë rrënjë dhe erërat nuk kanë shtëpi, kur deshifrohen këto vargje shpalosin një të vërtetë se armiku ka përvetësuar edhe një pjesë të mjeranëve e qyqarëve kinse të shkolluar me fonemat e shqipes , por ata te poeti dalin veç si personazh të zhveshur nga të qenit shqiptar dhe të pabrumosur me tingujt e shqipes amë.

Kurse pjesa e dytë e strofës pasqyron bindshëm lojën e keq dhe fato tragjike të kombit tonë nëpër shekuj që realisht eksperimentuan fuqitë e interesave të popujve dhe shteteve vendimmarrës në dëm të Shqipërisë , por Shqipëria dhe shqiptarët rezistuan dhe nuk vdiqën si u vdiqën shumë gjuhë të fuqishme e bashkë me gjuhën vdiqën edhe popujt që mizëruan të tjerët , shqipja dhe fonemat e saj edhe sot aktualisht lindin e rilindin dhe po ribëhen me një hartë të vetme e në një Abetare të vetme.

 

Poezia stërgjyshi komunikon kështu

Me sytë e tij u shpuan tunele

Rrugët u shtruan me gjymtyrë

Me grusht u thyenin gurët...

 

Kjo poezi reflekton shikimin përtej kilometrave të largët të gjyshërve tanë mërgimtar ku metafora e vargut shpreh sytë që asnjëherë nuk u ngopën me gjumë dhe afër ëndrrës së fëmijëve por larg me mijëra kilometra ku veç ëndrrës ata bashkohen rrallë në përqafime.

Rrugëtimet nuk janë rrugëtime ekskursioni por rrugëtime malli dhe sakrifice që shpesh herë janë paguar edhe me faturën e quajtur jetë pasi hijet e atdheut i ndiqnin edhe përtej tuneleve të mërgimit mërgatën tonë .

Përveç se duhej ti forconin grushtet për punët më të rënda këta duhej ti bashkonin grusht edhe për jetë a vdekje në përballje me hijet e stërkequr që kërkoni e gjurmonin gjakun tonë edhe në largësitë e atdheut që ta shuajnë prushin e ndezur për lirinë e Shqipërisë.

Përpjekja dhe jeta dha rezultatin e të nesërmes e kjo është liria e gjysmës së hartës së atdheut dhe fonemat kanë ende përballje dhe luftë për të bërë deri në melodinë e himnit të vetë kombëtar dhe valëvitjen e flamurit shqiptar në det e tokë dhe ajër...

Sepse poeti Azizi nuhat jo fundin e lojës në kontinentin e lashtë me cicërimat shqiptare dhe në vazhdim poezia:

Snajperisti

Sikur forcon mendimin e poetit se duhet ende sakrifica deri të liria e plotë për administrim dhe sovranitet.

Lartë mbi godinën e Kosovës

Hije e çmendur snajperi

Mendonte se fare lehtë vritet liria

Në tokë të huaj

Një faqe të re krimesh

Don ta shkruante.

Poezia s'është veçse një mendim ajo ngrit një dilemë, ngrit shpirtin dhe ofron zgjidhje për kauzën të cilën e trajton.

Poeti me këtë poezi përshkruan gjendjen aq të pashpresë sipas elaborateve serbo-sllave të cilët tash nuk janë veç ne tokën e Kosovës por edhe në kulmin e saj , jo vetëm të vështrojnë çdo lëvizje për edhe ti shfryen ndjenjat kriminale duke vrarë në pikë të ditës dhe për argëtime të akademikëve të çmendur që kanë afatizuar realizimin e spastrimit etnik dhe plojën deri në gjenocid mbi shqiptarët.

Po sikur thotë poeti Azizi se liria nuk vritet e vet liria janë kryengritësit e shpirti militues të rinisë , prandaj edhe vet krimineli e din se kjo është tokë e huaj dhe nuk ka gjë për të fituar pos damkës së kriminelit dhe të hyjë në histori si kanibal i shekullit XX.

Mendimi poetik thyen tabut e gjithë pseudo-intelektualëve se nuk është mjet që nxitë dhe jep mision po edhe formon personalitet të ngritjeve akademike, ne themi se e bënë dhe nuk ka gjini letrare që e bunkerizon mbretëreshën e fjalës, prandaj edhe autori i librit fonemat e ribërjes ka planin teorik-praktik të ribërjes së tokës me plis të bardhë këtë vargjet e flasin me porosinë më të kulluar intelektuale dhe jo kriminale , por me humanizëm të thellë dhe ashpërsi kush ngreh dorë mbi këto lindje.

Poeza (Ribërja)

Nga një hartë e vjetër

Aspak si relikt gjuhësor

E topografi e zbehur

Vetëm lindjet kanë mbetur

 

Me gjithë shqetësimin e poetit për njerëzit, gjuhën , tokën, emërtimet janë lindjet ato të cilat kthejnë shpresën e së nesërmes për realizimin e rrugës së nisur nga shumë breza deri në ribërje të plotë të lirisë së atdheut dhe sovranitetit kombëtar.

Njeriu është drita në fund të tunelit për jetën dhe dritën e së ardhmes, sa do që ai mund të jetë larg i dallgëzuar nga valët e pamëshirshme që e kanë degdisur koha, ku poeti krahason me Rilindësit të cilët bënë shumë për atdheun dhe gjuhën shqipe, bënë programin më të realizuar politikisht dhe ushtarakisht edhe pse ishin personalitet me begram kulturor, poezia në vazhdim për njeriun thërret

 

Dritare të hapura ka jeta

Pemë të zhveshura largësia

Ky kontrast nuk zbeh idealin pavarësisht në cilat kontinente gjendesh ke obligim ti përgjigjesh kushtrimit të atdheut, prandaj një korrigjim të vogël poetik se lufta për liri ka njëqind rrugë dhe njëqind mënyra, mirëpo poeti ka dhënë betimin se vet ai donë të gjendet në vijat e para të zjarrit, zjarrit të lirisë.

Kjo veçanti ka emëruesin e përbashkët të brezave mbarë shqiptar se intelektualet veç obligimit ishin dhe janë nëpër të gjitha brezat bartësit e luftës për liri , sovranitet dhe bashkim kombëtar , kështu së paku flet analogjia e këtyre njëzet e një shekujve për kombin shqiptar, dhe këtë veti e vërtet duhet çmuar, vlerësuar dhe zbatuar me përpikëri dhe nder breza te ardhshëm.

Se objektivisht vepra ka kompozicion vertikal dhe formë e mjete të vlershëm gjuhë të pasur me neologjizma , stil të lartë dhe ide e tema të formësuar e të veshura me cilësitë e njeriut të kohës dhe shekullit aktual e dëshmon edhe poezia me portrete të lirisë që autori ka përshkruar vetëm atë që ata kanë dhënë më të bukurën për bukurin e atdheut, Njazi Azemi, Komandant Mjekra e shokët e tij.

U tha Komandanti një ditë

Ku ende nëpër flakë kishte dheun e Kosovës

Po nesër jepej kushtrimi

Nga malet e Karadakut

Rexhep Bislim e Ali Ajeti.

Shtëpitë me ngjajnë

Në lisat e Jezercit

Binarët e hekurudhës

Në shufra të skuqura...

 

Edhe në këtë unisim të portreteve të lirisë kush më fuqishme se poeti dhe luftëtarët në këto vargje bashkëngjiten për kauzën e atdheut. Notat të këtilla vlerësuese jep veç poezisë që mundëson lahutën e Fishtës të gjallojë nëpër kohë e shekuj shqiptar

Këtë bashkim njerëzish e tokës, lisa e shkëmbinj, lumenj me ura e bënë pushka dhe pena, autori në këtë thurje plotë melodi ka shfrytëzuar në kontekstin kohor mirë imagjinatën duke e akorduar edhe me dijen e përvojën jetësor personale dhe kombëtare të kohës së ilegalitetit dhe shih sa fuqishëm për komb bashkohen nënë e birë, këtë e arsyetojnë vargje e poezisë

Kthimi

 

Një nënën me fytyrë thatime

Nga fundi i sëndukut të vjetër

Nxjerr shkresat e kohës ilegale

Ato që kishte lexuar djali

Sakaq e mallëngjyer

Hidhet në përqafim të një ushtari.

 

Pra me ngulmim them se kjo poezi bëri revolucionin e duhur në kohën e duhur, përgatit ushtrinë mbarë kombëtare të vihet në çlirim të pjesëve të ndara të atdheut, nuk ka ndodhë pothuaj se askund në botë një shembull kaq i bashkëngjitur, ku e tërë familja të jetë në, lufte për çlirim se sa të kombi shqiptar dhe nuk kemi një rast por me qindra e qindra raste të këtyre nënave atdhetare që ditën dhe bashkë me bijtë e bijat e tyre dhanë për lirin kombëtare.

Se këso qëndrese granitiane kanë idealiste e atdheut , intelektualet poetik dëshmon edhe poezia

 

Do të vijë

Çdo natë brenda meje

Hapat e ardhjes trokasin

 

Trandja shpirtëror e poetit krijon hallakam brenda qenies së vet natën dhe ditën, krijon përplasje dhe rebelim në unin e vet, vetëm e vetëm një hap e më parë të niset në kthimin e çerdhes së vet, çerdhes së shqiponjës.

Në fund të këtij vështrimi, po e kam vështirë sepse temat e trajtuar me kthejnë në dramën shqiptare me shumë skena e episode filmike sa në ferr e purgator duke kërkuar të hyj në rrethin e parajsës .

Ju lumtë juve poeti Avni Azizi që më hapet rrugën me luftë që ti mposhti kriminelet e ferrit dhe purgatorit e të shijojmë parajsën. Ju intelektual, luftëtar me penë e pushkë mbajtët besën, besën e kthimit në atdhe sa herë ai lëshon kushtrimin... Shumë urime juve, shumë përkulje para gjithë atyre dëshmorëve të të gjitha brezave qe dhanë e do të japin për fonemat e ribërjes dhe ribërjen e hartës mbarëkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat