Teatri Kombëtar duhet në qendër

Kultura

Teatri Kombëtar duhet në qendër

Nga: Albert Z. Zholi Më: 12 shkurt 2018 Në ora: 08:41
Margarita Xhepa

Para disa ditësh artistët shqiptarë janë bërë bashkë në një protestë kundër prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar dhe amendimet e bëra në ligjin “Për artin dhe kulturën”. Duke ndjekur gjithë debatet, vihet re se nuk është hera e parë që artistët kundërshtojnë zërat për një prishje të godinës. Një ndër aktorët më në zë shqiptar ”Artisti i Popullit” Robert Ndrenika, e quajti të patolerueshëm prishjen e ndërtesës duke thënë se është si të prishësh historinë. “Është folur që do të bëhet një teatër dhe prapë nuk ka patur pikë transparence. Teatri bëhet një herë në 500 vjet Të pezullohet projektligji dhe të hapet dialogu me komunitetin për një projektligj tjetër”- theksoi Robert Ndrenika. Në protestë folën shumë aktorë  të cilët pas diskutimeve të gjata dolën në një vendim të përbashkët, që e bëri prezent ditur aktori Laert Vasili. “Ne kërkojmë: Të anulohet vendimi për zhvendosjen e Teatrit Kombëtar dhe të bëhet transparenca e plotë mbi projektin e ndërtimit të teatrit të ri. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i ministres së Kulturës Mirela Kumbaro, ku ajo me anë të një letre të hapur, i ka kthyer përgjigje akuzave dhe dyshimeve të aktorit të madh Robert Ndrenika, për të ardhmen e godinës së TeatritKombëtar. Konkretisht në letrën e saj. Mirela Kumbaro, qartëson çfarë do ndodhë në të ardhmen me godinën e Teatrit dhe zhvendosjes provizore të trupës së Operës në ambientet e Teatrit Kombëtar. Në letrën e saj Kumbaro i përmend Ndrenikës heshtjen gjatë kohës kur Teatri Kombëtar u kthye "në lokal me tym lojërash fati e bingoje, që thithte klientë, por jo artdashës" si dhe kohën kur qeveria e mëparshme shpenzoi miliona euro për zhvendosjen e Teatrit te godina e Piramidës. Më poshtë po përcjellim një pjesë të letërs së Minsitres Kumbaro:

“...Por, më mirë vonë se kurrë, shumë shpejt do të kemi në Tiranë dy skena të reja, të cilat bashkë me sallën ekzistuese të Teatrit Kombëtar do të administrohen nga vetë Teatri Kombëtar qoftë për produksionet e veta, qoftë për trupa të tjera që kanë nevojë për skena dhe që pasurojnë kalendarin skenik, siç ndodh edhe sot e kësaj dite. Unë dua t’ju shpjegoj, i dashur Robert, se nuk di pse ju kanë keqinformuar kur ju kanë thënë se aty do të vendoset definitivisht Teatri i Operës. Unë mendoj njësoj si ju, që Teatri, aty ku është sot, nuk do të prishet dhe do të vijojë të përdoret, deri ditën kur një projekt i ri Teatri Kombëtar do të fillojë të ndërtohet. Edhe unë dua një Teatër Kombëtar të së ardhmes, të plotë, Teatër Kombëtar ku është sot ngrehina e “doppolovaro-s”. Por kjo nuk bëhet në një ditë. Me sa thashë më sipër, kemi bërë jo pak Robert i dashur dhe ju siguroj se do të punoj çdo ditë, për sa kohë jam në këtë detyrë, që të vijojë puna për projektin e Teatrit Kombëtar, punë e përbashkët me kryetarin e Bashkisë, me të cilin po bashkojmë forcat për shumë punë të mira të kulturës në Tiranë”. Në lidhje me këtë debat lindin disa pyetje. A është më mirë që të ndërtohet një teatër i ri modern i cili të përmbajë kushte normale, apo është më mirë restaurimi i Teatrit ekzistues? A do ta donin aktorët një teatër të ri, në atë ambient por me një ndërtesë shumë funksionale? Po në botë si ndodh me ndërtimet e teatrove të reja?

Margarita Xhepa, “Nderi i Kombit”: Duhet gjetur gjuha e duhur në interes të artit kombëtar, në interes të teatrit shqiptar

Ka disa ditë që ky problem diskutohet gjatë në media. Ndaj unë nuk mund të përcjell një mendim të saktë kur ende nuk dihet se çfarë do bëhet. Ka shumë debate por nuk dihet thelbi.  Pra çfarë do bëhet me godinën, do prishet apo do rindërtohet? Do rikonstruktohet apo do prishet fare? Kam dëgjuar komunitetin e aktorëve por kam dëgjuar dhe reagimin e ministres Kumbaro/ Pra ajo tha diçka tjetër. Unë them idenë time. Së pari teatri duhet të jetë në qendër, pasi është zemra e kulturës së një kombi, është themeli i kulturës kombëtare. Të gjithë kryeqytetet e botës teatrot i kanë në qendër. Edhe Teatri i ri Kombëtar i Maqedonisë i riu në qendër është ndërtuar. Aty ku gëlon arti. Ka vite që diskutohet për rokonstruksionin e TK, madje e di shumë  mirë që është hedhur si ide qysh në sistemin monist. Kanë ardhur shumë anëtarë të KD të asaj kohe por që nuk u realizua në atë sistem. Ja tashmë  erdhi koha sot që të hidhet në diskutim. Në këtë situatë unë mendoj se TK i vjetër mund të shërbejë dhe si muze, ku të vendosen foto qysh nga themelimi, qysh nga vitet e para të hapjes, foto nga shfaqjet, emrat e të gjithë aktorëve që kanë luajtur në TK, që të ruhet dhe të njihet nga të rinjtë historia e tij. Ndërsa më e mira do të ishte që në atë vend, të rindërtohej një teatër modern si ai i Maqedonisë që të transmetohej historia. Nuk do isha dakord që në vend të tij të ngrihej një gradaçielë, paq qenë aty TK. Jemi në debat e sipër. Asgjë nuk është konturuar qartë se si do veprohet. Këto janë ide në ajër, për të  përcjellë një mesazh miqësor. Duhet gjetur gjuha e duhur në interes të artit kombëtar, në interes të teatrit shqiptar, në interes të kujtesës së brezave, në interes së historisë dhe të ardhmes. Me kurajë dhe qytetari, me dialog dhe dëshirë të mirë, të bëhet ajo çka i nevojitet kombit dhe jo interesave të ngushta. Le të dëgjojmë të vërtetën dhe pastaj dhe të themi mendimin e pjekur.

Mevlan Shanaj, regjisor-aktor, “Mjeshtër i Madh”: Duhet një transparencë për projektin, që teatri të trajtohet si vepër me vete unikale

Nuk flitet të mos prishet, por të mos degdiset së pari.  Duhet një transparencë për projektin, që teatri të trajtohet si vepër me vete unikale me një imazh sugjesticionues, për prestigj  si dhe për paraqitje estetike e vlerës së një kombi. Çdo vizitor merr si kujtime nga qyteti  apo aq më shumë nga kryeqyteti  elementët më shprehës si psh, monumentet, muzeumet, Teatrin e Operës,  dhe pa dyshim Teatrin Kombëtar. Atje ku është sot TK, është vendi më i përshtatshëm  për teatër. Stop manipulimeve. Turp që mendojnë ta lëvizin  dhe të sjellin operën ën atë ngrehinë. Pra cili do të ishte justifikimi i administratorëve  që nuk dinë se ccdo të thotë TK,  që nuk kuptojnë klithmën Ndrenika apo rënkimet e Kadri Roshit, Naim Frashërit, Mihl Popit, Naim Frashërit, Sulejman Pitarkës, Marie Logorecit, Violeta Manushit, Pandi Stillu, Kujtim Spahivogli, Mihal Luarasi, Andrea Malo,  Xhemal Mborja dhe dhjetëra të tjerë?!   

Mark Topollaj- kinoregjisor: Pra para se të vijmë tek ndërtesa, të shohim trupën dhe nivelin e saj

Kam ndjekur me vëmendje të gjitha debatet e zhvilluara ditët e fundit për godinën e Teatrit Kombëtar. Në mendimin tim, teatri është një pasqyrë e shoqërisë në të cilën jetojmë, ose thënë ndryshe është një  lokomotivë  udhëheqëse e shoqërisë në të gjitha kohërat. Në kushtet aktuale pra në momentin që Shqipëria përpiqet për t’u pranuar si kandidate në Bashkimin Europian, teatri si trup profesioniste duhet të jetë në standardet europiane. Por në fakt nuk është kështu. Para para se të vijmë tek ndërtesa, të shohim trupën dhe nivelin e saj, në mënyrë që trupa e Teatrit Kombëtar në mënyrë urgjente të arrijë standardet europiane në të gjitha këndvështrimet e perfomancës.  Dhë të arrihen këto standarde duhen parë të gjitha pjesët përbërëse të kësaj trupe që ka qebe avangardë e kulturës shqiptare. Kur diskutojmë ecjen me kohën duhet të shikojmë  si është infrastruktura, estetika dhe etika profesionale, administrata, niveli artistik, mesazhi dhe reagimet e fansave të kësaj gjinie kaq të bukur të artit. Vitet e fundit shikoj me keqardhje se teatrot e qyteteve janë drejt shpërbërjes pasi aktiviteti artistik i tyre  është i vakët, në rënie, madje edhe në kryeqytet. Thënë më qartë në Shqipëri, organizimi teatror nuk është në nivelin e kërkesave të kohës, dhe teatri duhet të ridimensionojë strategjitë artistike, vizionin teatror duhet të ndryshojë kursin me një fryme globale përtej shikimit kombëtar. Por jo që të arrihet deri aty sa drama shqipe, temat shqiptare, të mos jenë prezentë në TK, pasi duhet një i dramaturgjisë së madhe botërore me pjesë shqiptare . Tani të vijmë tek ajo çka po debatohet. Gjithmonë jeta është në evolucion, është në përmirësim cilësor si në art po ashtu dhe në mënyrën e të jetuarit. Është e domosdoshme të ruhet historia  si në teatër po ashtu dhe në artet e tjera të vendit. Thuajse sa herë dal në Tiranë, gjithmonë puna më sjell të kaloj dhe para teatrit tonë. Një teatër tashmë i vjetër i amortizuar dhe pse ka një histori të tërë brenda. Për mendimin tim së pari ne duhet të sqarohemi çfarë do të behët me teatrin e vjetër dhe më vonë të reagojmë. Që ai teatër duhet të restaurohet kjo tashmë nuk është një dëshirë por realitet. Për më shumë se 28 vite në atë teatër me emër nuk mund të shohësh shfaqje normale si në dimër po ashtu dhe në verë. Në verë pëlcet, në dimër dridhesh nga të ftohtit. Pra të kemi koshiencë se teatrit i ka ardhur koha që të restaurohet. Ndaj mendoj se ministrja Kumbaro së pari duhet të sqarojë komunitetin  e artistëve se Çfarë do bëhet me teatrin e vjetër? Do shembet për të ndërtuar një të ri, apo për të ndërtuar një grataçielë ?  Po teatër tjetër të ri me çfarë parametrash do të ndërtohet? Ku do të ndërtohet dhe sa funksional do të  jetë? Po në truallin e teatrit të vjetër çfarë do ndërtohet dhe a do jetë pjesë e ndërtimit të ri dhe teatri i ri? Për mendimin tim kur të zgjidhet enigma e këtyre pyetjeve ne duhet të qartësohemi dhe më pas të reagojmë. Nqs tek ai truall do bëhet një ndërtesë shumë funksionale ku midis ttyre do të jetë dhe teatri shumë më mirë. Nqs nuk do jetë dhe do ndërtohet nj teatër i ri shumë më funksional dhe shumë modern athere s’ka pse na vjen keq që po ndërtohet diçka e re. Unë në principet e mia jetësore udhëhiqem nga thënia e Steven Spielberg, “ Për ndryshimin”:
“Të gjithë ne, çdo vit, jemi persona të ndryshëm. Nuk mendoj se jemi personi i njëjtë gjithë jetën. Mënyra se si e krijoni një të ardhme më të mirë është duke studiuar të kaluarën. Zëvendësoni frikën me kuriozitet’’. 
 
Alfred Bualoti, aktor, regjisor: Duhet një TK modern, qoftë i rikosntruktuar, qoftë i ri fare, në përputhje me standardet e kohës

Unë në radhë të parë dua të sqaroj situatën reale në të cilën ndodhemi. Pra do të rikonstuktohet TK apo do të prishet për një destinacion tjetër. Pra, nis TK do të rikosntruktohet apo do të ribëhet, apo do të bëhet një godinën tjetër në një vend tjetër,  që mund të jetë më i madh ahere s’ka asgjë të keqe. Nqs në këto kushte, TK shkon përkohësisht tek “Turbina” kjo është një situatë normale. Unë kam lëvizur shumë në Europë dhe ën botë dhe kam parë shumë zhvillime të tilla. Për analogji unë do ju them se Teatri Nacional Shqiptar i Shkupit (jo Teatri Kombëtar i Maqedonisë që u inaugurua parvjet dhe kushtoi 34 milion euro, pasi në Maqedoni ka 3 teatro Nacional sipas komuniteteve ku i treti është Teatri Nacional Turk) ka mbi 5 vjet që po rikonstruktohet, dhe në këto 5 vjet teatri Nacional Shqiptar i Maqedonisë  është atashuar pranë Teatrit të Satirës së Shkupit. Aty punojnë , aty bëjnë prova, atu e kanë si ambient normal deri sa të përfundojë teatri i tyre.  Pra shqiptarët e Maqedonisë do të shkojë në teatrin e tyre pas përfundimit të këtij rikonstruksioni.  Athere, TK do të riskosntrukothet? A mos vallë do të bëhet një godinë e re? Por kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që derisa të bëhet rikonstruksioni apo një ndërtesë e re, TK do shkojë tek “Turbina” një godinë e cila nuk është shumë, shumë funksionale, por do të jetë e përkohshme. Pra në këto kushte  artistët kanë se ku dhe si të punojnë dhe spe në kushte jo shumë të favorshme, por do jenë në aktivitet. Problemi që duhet të zgjidhet është se nëse qartësohet se në vend të TK do ndërtohet një TK i ri, ose TK ekzistues do të rikonstruktohet, ose mbi të do ndërtohet nj ndërtesë shumë funksional ku TK do të jetë po aty, ahere nuk përbën asnjë problem. Kjo pasi sipas mendimit tim, çdo ndërtim i ri, duhet të jetë shumë më i mirë se ai ekzistues. Kryesore është që Tirana të mos mbetet pa tetar Kombëtar. Pra janë dy-tre variante që kjo punë mund të bëhet shumë më mirë.  Kryesore është që mos të mbetemi pa teatër dhe të mos rrimë ende me një teatër të amortizuar.  Nqs “Turbina” do të jetë nj zgjidhje e përkohshme, atëherë është mëse normale që puna të vazhdojë aty deri në përfundimin e teatrit të ri. Unë jam i mendimit që teatri ir i të ndërtohet në ambiente e Muzeut Historik Kombëtar, apo në një terren mes rrugës së “Durrësit” dhe asaj të “Kavajës”.  Sigurisht që janë në qendër. Një vend i shkëlqyer është të ndërtohet edhe pranë hotel “Dajti” ku për vite të tëra është mbushur me ferra. Me pak mend dhe me pak qetësi, mund të arrihet që të kemi një teatër shumë modern dhe shumë funksional dhe nuk kemi pse të mbetemi peng i një ndërtese tejet të amortizuar.  Pastaj dua të ndalem edhe tek niveli artistik i aktorëve. Ka kërkesa për ndërtesën por duhet të ketë kërkesa dhe për aktorët që në shumë raste nuk janë në nivelin e duhur. Në teatrin e ri me audicion të hyjnë vetëm ata aktorë që e meritojnë, që të na përfaqësojë denjësisht. Se ne mund të ndërtojmë një TK të ri modern por që nuk duhet të stonojë me cilësinë e artistëve. Kjo është shumë domethënëse. Madje sugjeroj që aktorët që do jenë pjesë e TK të mos jenë vetëm nga Tirana, por të zgjidhen dhe të miren në audicion edhe ata nga Shkodra, Korça që premtojnë shumë në të ardhmen. Pra duhet reformuar edhe trupa e TK.  Nqs do tu lësh brezave një gjë që të respektohet atherë të presim si do ndërtohet TK i ri dhe gjithë trupa të punojë edhe 3 vjet tek “Turbina” vetëm dhe vetëm që të ndërtohet një TK modern. Le të presin artistët dhe të reagojnë kur duhet, por reagimi duhet të nisë edhe për vetë nivelin e tyre artistik. TK nuk është një ndërtese dosido, ajo do kohë, do projekt dhe do pritshmëri. TK nuk është pronë e askujt. I takon gjithë shqiptarëve.  Kudo në Ballkan, dhe ën vendet perëndimore, godinat janë të reja të rikosntruktuara dhe që janë tepër koherente, por kanë dhe aktorë që kalojnë në vrimë të gjilpërës në audicione. Si përfundim, unë jam i mendimit që duhet një TK modern, qoftë i rikosntruktuar, qoftë i ri fare, në përputhje me standardet e kohës, pavarësisht se ku do bëhet. Vetëm Shqipëria të mos ngelet pa teatër Kombëtar.
 
Genc Fuga, aktor: Jemi dakord për një Teatër të ri në po të njëjtin vend

Jemi dakord për një Teatër të ri në po të njëjtin vend, të siguruar nga projekti dhe buxhetet e afatet. Do të jetë e pranueshme çdo dakortësi me bazë të gjerë të komunitetit artistik. Në fund të ditës, kërkojmë një dialog me institucionet e art-kulturës
 
Neritan Liçaj, aktor: Nuk kemi një propozim konkret nga askush që të dimë të reagojmë

Ne ende nuk kemi një propozim konkret nga askush që të dimë të reagojmë. Nuk na thonë asgjë prandaj ne duam ballafaqim që të kemi diçka të themi zyrtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat