Sy(të)...!

Kultura

Sy(të)...!

Nga: Bajram Sefaj Më: 11 shkurt 2018 Në ora: 10:50
Ilustrim

se më avullon koka shtëllunga flakësh

se më pëlcet aorta shfrenimesh gjaku
se më digjen ëndrrat gacash meraku
se retinës më rrinë mallunga plagësh
mos më shiko syn’
dan ibrahimi

Paska qenë e shkruar, në rrasë guri, në murin e shpellës se vendlindjes, në parahistori, paska qenë e parashikuar dhe e përcaktuar, e dhënë dhe e thënë, urdhër (nga qielli e dielli) që këtë shteg tregimi, e krejt çka të shohin sytë rreth tij, fillim e mbarim, nise sos, të nisë dhe të soset, me llogari, më aritmetikë, me statistikë, me shifra e numra...!
E, pse e qysh, më mirë hiç të mos preokupohesh fare!
*
Ndjekim statistikën!
Gati! 
Fillojmë...
Ngjituni në faqen me numër marramendës 1.805 të Fjalorit i Gjuhës së Sotme Shqipe. (Viti 1980!).
Zbritni gati në fund të glosarit të parë. Ndaluni tek fjala Sy, -RI m. sh. – TË.
Lexojmë bashkërisht vetëm paragrafin e parë: Organ i të parit të njeriu dhe kafshët, që ndodhet në pjesën e përparme të kokës ose anas saj. Sy i djathtë (i majtë). Me sy të mëdhenj (të vegjël). Me sy të zinj (gështenjë, të kaltër). Me sy të dalë (të kërcyer), të futur. Me sy të skuqur (të përlotur, të përgjumur). Me sy hapur (mbyllur). Sy xhami (i vënë, artificial) copë xhami, e përpunuar në mënyrë të veçantë dhe me ngjyra të përshtatshme, që vihet në gropën e syrit të hequr. Bebja (ninëza, nusja, drita) e syrit. E bardha (të bardhët) e syrit. E zeza (të zitë) e syrit. Kokërdhoku i syrit. Kapakët e syve. Zgavra (gropa) e syrit. Nervi i syrit. Cepi (bishti) i syrit. Cipë (perde) në sy. Sklepat e syve. Sëmundje sysh. Mjek i syve. Hap (mbyll) sytë. Kapsalliti (picërroi, përpëliti) sytë. Zgurdulloi (çakërriti) sytë. Ngriti (uli) sytë. Rrotulloi (perëndoi) sytë. Fërkoi sytë. I lidhi (i zuri) sytë. I shkëlqejnë (i ndritin) sytë. Iu ndezën sytë. I lotojnë (i qajnë, i djegin) sytë. I vishen (i lëbyrën) sytë. Iu qepën (iu mbyllën) sytë nga gjumi. Ia vret drita (dielli) sytë.
*
Po qese jeni lodhur (aq sa unë, duke e përshkruar, e ju duke e lexuar vetëm këtë pjesëz, (të njëqindën pjesë), të shpjegimeve të kësaj fjale, kur marrin afro katër faqe e mbi gjashtë shtylla të Fjalorit monumental të gjuhës se Sotme Shqipe, me mbi dyzet e njëmijë fjalë e më mbi dymijë e dyqind e shtatëdhjetë faqe, atëherë kurrgjë e kurrkujt. 
Për ata që nuk i ka lëshuar takati e janë më kureshtarë, në vend të thasëve të mëdhenj (më cilët transportohet pambuku), propozoj të hedhim pas krahut nga një kroshe e, nga po ky Fjalor, të vjelim, shpejtë e shpejtë, një thesar tjetër të pasur fjalëformimesh, apo dispozitash...
e që, gjithnjë kanë lidhje me sy(të), si bie fjala: sybajame, sybardhë, syç, syçakërr, syçelë, syçkë, sydrejtë, syenë, syfyr, sygacë, sygështenjë, sygrifshë, sygjallë, sygjarpër, syhapët, syhaptësi, syhapur, syka, sykaçkë, sykaltër, sykan, sykath, sykeq ( që, sipas besëtytnive..., që të ha me sy!), sykë, sykuq, sylarmë, syrrush, synim, syfjetur, sypatrembur, sypetrit, sypërmbys, syplasur, syprinë, syqeshur, syrëz, syrgjyn (syrgjyn gjallë e syrgjyn vdekur), syrgjynos, syshkëndijë, syshkruar, syshqiponjë, syshtrembër, sytar (shenjtor), syulli, syvëngër, syvogël, syze, syzi, syzoj...!
*
Pasha sytë e mi, që i kam në ballë...
Kur e evidencova këtë temë si të mundshme për tjerrjen e një rrëfimi, çfarëdo qoftë ai, pata shënuar: Sy... i mirë, sy i keq, syshtrembër, sygemet, syvëngër, sygropë (burim) lotësh, syri i keq mos e paftë (uratë), mori mësysh, sy spiuni ka, të plaçin (tu verbofshin) sytë...(mallkim ky, shitues, aq i shpeshtë, në përdorim, gati-gati të përditshëm ndër ne!).
Hiç më shumë. 
Kjo me dukej boll. Mendoja se këtu, ka material të bollshëm e brumë të kualitetit të mirë për një gatesë, si ëmbëlsirë. Bindja mu trash kur më piku ndërmend e mu kujtua krahasimi, ose thjeshtë, kur me erdhe në mendje: sy spiuni ka..., jashtë dyzet e njëmijë fjalëve të Fjalorit! Thashë: u bë. U krye (bac, mac...!).
Thashë...
Kur u  hodha në pusin e Fjalorit dhe kur pashë atë gjullurdi (alamet) shpjegimesh, e sqarimesh, psherëtiva: kuku për mua të shkretin, kuku! me çka paskam synuar të përgatis gatesën që, thënë sinqerisht mendoja se në dorë kam një “prozë urbane” (një bombë paqësore) që, me “eksplodimin” e saj do te bëj dritë mbi gjithë letërsinë (tonë) të re...
Po, çfarë, hiçmu asaj pune!
Lexojmë (bashkë) fjalorin e mrekullohemi.

                                                                        (diku në shqiptari. 2016-shi vit)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat