Grafika digjitale në kreativitetin e Basri Mekollit - Bota Sot
Grafika digjitale në kreativitetin e Basri Mekollit

Kultura

E hënë, 19 shkurt 2018

Grafika digjitale në kreativitetin e Basri Mekollit

Nga: Mr Bislim Aliu Më: 11 shkurt 2018 Në ora: 10:22
Bislim Aliu

Gjithsesi, arti shpirtëror është kreativiteti më i lartë i krijimit. Këtë, sigurisht, nuk mund ta bën secili krijues. Atë do ta bën vetëm krijuesi i mirëfilltë që ka ide të larta dhe shpërfaqje ndjesore. Pra, arti shpirtëror krijohet atëherë kur ekzistojnë lëvizje shpirtërore dhe, frymëzime përmbajtësore.

Rrjedhimisht, vetëm ravijëzimi i brendshëm vetjak, ngërthen në vete atë ravijëzimin autokton ndiesor të krijuesit të mirëfilltë. Gjithsesi këtë kreativitet të shprehur në veprën artistike, kërkon mendjen e krijuesit të talentuar, i cili, në të vërtetë, rrëfen, flet dhe emocionon mendjen dhe shpirtin e shikuesit. Andaj, ky art drithërues, nuk mund të krijohet pa talent ravijëzues, pa përkushtim vetmohues dhe pa angazhim të lartë në realizimin e veprës artistike.

Gjithsesi, këto ide të larta dhe të realizuara bukur, me përkushtimin më të lartë ndiesor, pa mëdyshje, i gjejmë në kreativitetin artistik të Basri Mekollit. Andaj, angazhimi i tij i  pashoq dhe këmbëngulja e tij për realizimin e ideve artistike dhe formësimin e nduarnduart e bëjnë Mekollin një krijues madhor, sensitive dhe fare përmbajtësor.

Përndryshe pati nja 13 ekspozita individuale dhe shumë të tjera kolektive, që tregojnë dendur përkushtimin dhe sensibilizimin e lartë në grafikë. Dhe, për këtë kreativitet të mirëfilltë, disa herë u shpërblye me mirënjohje e shpërblime që tregojnë rrëfimin e lartë kreativ të Mekollit. Veprat e tij, përveç në vend, ato u ekspozuan edhe jashta vendit, si në; Beograd, Pulë, Shtutgard, Gostivar, Kaliforni, Sofje, Varne…

Image

Shpërfaqje sensitive dhe tejet domethënëse në grafika

Pa dyshim, Basri Mekolli, ky grafik i talentuar, me krijimin e veprave të nduarnduarta, përherë tregoi përkushtim dhe sensibilitet të lartë në grafikë. Dhe, ky përkushtim kreativ, përherë u shpërfaq në fletëgrafikat e tij.

Sensualja gjithherë dominoi në grafikën e tij. Ato, zatën, përherë na sjellin diçka të re. Andaj, këto meditime të shprehura, përherë na zgjojnë asociacione për jetën e djeshme dhe të sotme. Kjo arritje e lartë rezonuese në grafikën e tij, pati një rrugëtim të gjatë që gjithsesi tregon ecejakën e tij rrezative prej një grafiku të mirëfilltë.

“Basri Mekolli është njohës i mirë i teknikave të shtypit të thellë, akuatintës, bakërshkrimit dhe linogravurës. Këtë ai e dëshmoi me fletëgrafikat e fundit si dhe me ato të prezentuara në ekspozita personale dhe kolektive”, thotë prof. Fatmir Krypa.

Dhe, që nga punimet e para , të realizuara, nga linogdhendja dhe linogravura të shumta, hezitoi përqasjen e një kreativiteti të mirëfilltë. Ky përkushtim i përhershëm, i solli grafikut një rrjedhë kreative të lartë dhe formësim përmbajtësor.

Zatën, këtë aktivitet, do  të thoja, tejet rezonues, grafiku Mekolli, e tregoi më vonë edhe në akuatinta, gjilpëra të thata  dhe deri te bakërshkrimet bravuroz. Këto teknika të grafikës dhe njohja me mjeshtëri e tyre, i sollën grafikut Mekolli, shumë realizime të nduarnduarta dhe tejet rrëfimtare. Ai, vazhdoi përherë, në zhvillimin e talentit të vet, që më vonë grafiku e tregoi dendur këtë talent dhe këtë kreativitet të rezonuar.Ndaj, e veçanta kreative e Basri Mekollit, përherë u venerua në fletëgrafikat e shumta të realizuara me shumë pedantëri dhe ravijëzim tejet të theksuar.

Grafiku ynë Basri Mekolli, është përherë i angazhuar për njohje dhe zhvillim të shprehjes së tij përmbajtësore. Ai, këtë e tregoi përherë në pjesëmarrjen e rregulltë nëpër shumë ekspozita, që mbase, disa herë u dallua me kreativitet të mirëfilltë. Dhe, përherë me këtë kreativitetr vazhdoi që të krijon vepra më domethënëse dhe që i kërkon koha. Andaj, koha për te është realitet. Zatën ky realitet, gjithherë e ngacmoi grafikun tonë të respektuar për të na dhënë vepra cilësore dhe fare përmbajtësore.

Ato, rrjedhimisht, janë të pasura me ide të idealizuara dhe bukur të realizuara me korrektësi, që tregojnë dendur kohën dhe ambientin tonë të përhershëm.

Gjithsesi, këtij ambienti, i bashkohet edhe imagjinata e tij e stërholluar dhe tejet rezonuese.Dhe, pa mëdyshje, këtë rezonim imagjinativ dendur e vërejmë, në ciklin e tij omonim “Krijimi i jetës”. Në këtë cikël, Mekolli tregoi imagjinatën e tij të thuktë dhe rrëfimin e tij ideor dhe estetik. E, ky ndjesim i lartë i tij, pëherë vërehet edhe ideali rrëfimtar dhe tejet domethënës.

Këtë përkushtim të përhershëm, grafiku ynë Mekolli e tregoi vijimisht me futjen e elementeve të reja individuale që në vete e kanë ndjesinë e lartë të rrëfimit përmbajtësor.

Arritje shumë e lartë në grafikën digjitale

Grafiku i mirënjohur Basri Mekolli, gjithmon  heziton në ecjen përpara dhe në rrugëtimin e tij fare individual. Ai, këte e bën vazhdimisht me kreativitetin e tij të sensibilizuar. Dhe, ky sensibilizim, gjithherë hetohet në fletëgrafikat e realizuara me mjaft mjeshtëri dhe pedantëri. Ai, zatën, në kohët e fundit, kreacionet e veta më tepër janë të realizuara në teknikën e grafikës digjitale.

Zatën, këtu, tani, grafiku i talentuar e gjenë më tepër kreativitetin e vet më domethënës  dhe, më përmbajtësor. Dhe, mu këtu, hetohet dendur ajo pjekuria e tij prej një krijuesi të pjekur. Dhe, tani, me mjaft padantëri, vërehet qartas një liri dhe lirizëm me rrëfimin e lartë rezonues. Tani, ajo që vërehet vazhdimisht, në fletëgrafikat e tij, është ngjyra e cila përherë është prezente në grafikën e tij. Kjo, sigurisht bëhet për ta fynksionalizuar më tepër domethënien e grafikës dhe rrëfimin e lartë të ndijimit ndjesor.

Basri Mekolli, është i vëmendshëm në realizimin e fletëgrafikave që vazhdimisht e marrin formësimin e një kompozicioni të lartë dhe të një rrëfimi logjik. Kjo logjikë e tij bukur rrëfehet me mjaft profesionalizëm.

Andaj, nga gjithë ai opus i tij, mbase, tejet i sensibilizuar dhe i realizuar bukur, për kreativitet të lartë dhe mjaft rrezatues, do t’i veçoja veprat; “Ringjallja” [Akuatintë], “Krijimi i jetës” [Bakërshkrim], “Ndarja” [gjilpër e thatë], “Meditim transcendental” I,II [Grafikë digjitale], “Përtej” [Grafikë digjitale], “Krijimi i jetës” II, [Grafikë digjitale], e ndonjë tjetër.

Grafika e Basri Mekollit është tejet sensuale dhe fare përmbajtësore. Ajo ka idilen e lartë të shprehjes ndjesore. Shqetësimet meditative përherë gjenden në rrëfimin e tij. Dhe, ky frymëzim, zatën, korespondon lirshëm dhe bindshëm në artin rezonues të tij. Ai është i tij dhe mbetet i tij. E, ky realitet kohor dhe kjo porosi ndjesore, përherë realizohet në veprat e tij.

Ai, gjithnjë, heziton, përparon dhe rrëfen kreativitetin e tij të bollshëm me grafikë e tij. Andaj, me këto kreacione të mirëfillta, ai zë vend të merituar në pjesën e sipërme të grafikës kosovare. Dhe, mbase, qëndron krenar për realizimet dhe rrëfimet korrekte në grafikën e tij fare përmbajtësore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test