Poezi që na kujtojnë të kaluarën, por edhe të sotmen e vendit tonë

Kultura

Poezi që na kujtojnë të kaluarën, por edhe të sotmen e vendit tonë

Nga: Milazim F. Kadriu Më: 28 janar 2018 Në ora: 10:02
Kopertina e librit

Libri “Portreti i lirisë” i autorit Adem Zaplluzha është libri i 146 me radhë nga mbi 160 sa ka botuar deri më tash. Ky libër ka 71 poezi të ndara në tri cikle (  “ Më kujtohet kur i dëgjonim daullet “, “  Njerëzit kishin ikur nga vetvetja “  dhe  “ Portreti i erës “  ), në të cilat poezi hasim tema të ndryshme  por që kryesisht  në këtë vëllim  autori sjell poezi që pasqyrojnë  historinë e kaluar të tashmen dhe të tashmen e vendit tonë.

Pas çdo libri të botuar Adem Zaplluazha ka premtuar vazhdimësi dhe kështu  kaherë ka çimentua themelet e një krijimtarie të pasur të tij e që na premton akoma libra tjerë.

Ai në librat e tij poezitë i shkruan  me plot guxim, ku shpreh ndjenjat  e tij në një punë të palodhur gjë që këtë e ka dëshmuar kaherë.

Ndonëse në moshë të shtyrë ai nuk ndalet së krijuari dhe ka një elan pune po si të ishte  në moshë të re. Mosha në krijimtari nuk ka rëndësi dhe këtë na e vërteton  Adem Zaplluzha  ngase ai çdo ditë gjen rrugën e shpërthimeve të reja në krijimtari .

Temat e poezive të Zaplluzhës janë nga më të ndryshmet dhe nuk ka temë që nuk e gjen tek poezitë e tij.

Kur vendosa të shkruaj për njërën nga librat e tij rashë në dilemë të madhe  se për cilin libër të shkruaj, ai ka një mal librash të botuar  dhe  çdo vit sjell  me dhjetëra  tituj të ri, dhe u përcaktova për njërin nga librat e tij atë të 146 me radhë me titull “Portreti i lirisë”.

Zaplluzha është një  poet me plotë dije  dhe preokupime  intelektuale të cilat shprehen në poezitë e tij e që janë shumë origjinale, në të gjithë librat e tij .

Ai në poezitë e tij ruan dashurinë  dhe respektin për njeriun, vendin e tij dhe për çdo gjë tjetër dhe ai donë që në vendin  e tij të ketë sa më shumë lulëzim por që fatkeqësisht nuk po ndodh ashtu si kemi dëshirë ne dhe autori dhe si e menduan ata që u flijuan për liri .

Vargjet e Zaplluzhës flasin për ndjenjat, për jetën, për respektin, për familjen, fëmijët, miqësinë dhe shoqërinë, dhe sidomos vargjet e këtij libri flasin për dashurinë e Atdheut, për lirinë e vendit që e pritëm aq gjatë por më në fund erdhi.

Ishte rrugë e gjatë,

Ne, megjithatë, ecëm deri në fitore

Cilës nuk i dihej fillimi

E as mbarimi.

……………

………………

Prej dritareve çeli një trëndafil.

Çelën rrënjët në njëmijë ngjyra,

Sa e bukur qenka liria

Kur lulëzon në sytë e virgjër të njomëzakëve.

(“ Sa e bukur qenka liria “)

Andaj autori në këtë libër bënë ngjizjen e këngës për atdhe dhe nuk është rastësi që Zaplluzha  i këndon vendit dhe lirisë së tij dhe përkujton të kaluarën e hidhur të popullit tonë, por që me të tashmen nuk është  shumë i kënaqur sepse të gjithë e kishin menduar ndryshe  ngase për lirinë  që sot e gëzojmë  është derdhur  shumë mund e gjak. Andaj këtë nuk duhet harruar, ashtu siç nuk e harron autori dhe na e përkujton  në vargjet e tija.

Kjo tokë është mësuar me vdekje.

Disa herë doli nga hiri.

Dhe po aq herë  e mësoi fluturimin,

I ngjan feniksit dardan.

(“Ju mendoni se  do gjunjëzohen lisat “)

Thellimi i përvojës në krijimin e poezisë  së Zaplluzhës vërehet në shumë aspekte. Ai vazhdon dialogun poetik në kohën e vetë, duke u përpjekur ta paraqes në tërë kompleksitetin e saj. Vargu i tij edhe kur tingëllon nga pak narrative, e ruan karakterin lirik notën subjektive .Uni lirik është përherë i pranishëm në poezinë e tij.

Ne nuk dimë të vdesim

Gjithmonë në çastin e fundit,

Ringjallemi nga hiri,

Qiellin e kemi atdhe të përhershëm.

( “ Ju thash se ne nuk e njohim vdekjen “ )

Zaplluzha dëshmon se i qëndron besnik vokacionit të tij poetik si poet i vendlindjes, dhe i njerëzve të saj, si poet i situatave ekzistenciale  dhe i përjetimit dramatik të tyre, si poet me ndjeshmëri  e figurshmëri të pasur, si poet i konstanteve  dhe antitezave të fuqishme.

Vargjet e tij  flasin mjaft, jo vetëm për frymën dhe orientimin tematik të poezisë, por edhe për nivelin e shprehjes  dhe shkallën e realizimit artistik të saj.

Bota poetike  e Adem Zaplluzhës është një botë gjithsesi interesante  për shumëçka  tërheqëse dhe origjinale. Ndonëse opusin e tij poetik e përbëjnë  disa rrathë tematik, por poezitë e këtij vëllimi janë frymëzim i autorit nga ndjenja  e dashurisë  ndaj vendit, atdheut, luftës, lirisë etj.

Për një abetare ose libër tjetër

Si kokrra e bostanit këputej koka,

Pushteti i huaj kujdesej

Të mos i hapnim sytë asnjëherë.

Por nuk ja arriti.

Ne shkruanim fshehurazi nëpër mure

Të stallave emrin e atdheut

Dhe të flamurit të Gjergjit.

(“ Mbase ishte patriarku i gjuhës shqipe “)

Autori jeton aktivisht me ngjarjet dhe problemet e kohës  sonë  dhe mban qëndrim aktiv të paanshëm të cilin e shpreh shpesh edhe përmes vargut të tij.

Në poezitë e tij ai  përmend  ngjarje dhe procese  të mëdha  nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë , si janë okupimi – lufta – liria - pavarësia….

Në poezitë e Zaplluzhës të vëllimit “Portreti i lirisë”poeti frymëzimin e ka marr  nga historia dhe vuajtjet sakrificat nëpër të cilat kemi kaluar me një shtypje të paparë që i është bërë popullit, mirëpo ishte vetëmohimi dhe pa përkulja e popullit  për asnjë çast me synim  gjithnjë  në lirinë e vendit.

Edhe redaktori i librit Vangjush Ziko ndër tjera thotë :  “ … Adem Zaplluzha është një nga autorët  bashkëkohorë që e ka bërë të vetën filozofinë  e shkrirjes  së zërit të bardit  me atë të lirikut që lënë më një anë “aventurat intime shpirtërore”.Kjo nuk është një “mangësi’ e talentit të vetë të spikatur,përkundrazi kjo është një “therori” e lirikut patriot,që realizohet në mënyrë krejt të natyrshme ,pa asnjë sforcim apo artifis. Poezia e Zaplluzhës është një poezi misionare  patriotike …”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat