Poezia si një ushqim shpirtëror, një hymn i qëndresës së Kosovës ndër breza

Kultura

Poezia si një ushqim shpirtëror, një hymn i qëndresës së Kosovës ndër breza

Nga: Vladimir Muça Më: 29 dhjetor 2017 Në ora: 19:11
Kopertina

Vepra poetike e Bujar Tafës "Mbreti im Dardan", vjen pranë lexuesit pas një sere  librash të botuara me kritikë letrare dhe hulumtime estetiko-stilistike. Sigurisht që jo vetëm përgjegjësia krijuese e autorit duket më e lartë, por dhe brumëzimi estetiko-stilistik, brumi me të cilin po gatuhet poezia, duke i prurë lexuesit një poezi me dukuri të reja, moderne, inteligjente, ku intertekstet duken si karburanti që zjarrmojnë shuminë e metaforave, tropeve e simboleve, të cilët e ushqejnë shumicën e poezive. Kjo parapërgatitje studimore u ushqye me këndvështrime të reja moderne, duke u bërë frut i punës krijuese, artikulim i vlerave më të mira poetike me opsionin e një vargu të lirë modern, ku mbretëresha metaforë, me nënkuptimoret e saj të është primadona e vargut poetik.

Vëzhgimet studimore në interceptimet e shumë krijuesve bashkëkohës, që në vështrimin e parë të librit “Mbreti im Dardan”, pa mëdyshje, nënvizon se vokacioni krijues i Bujar Tafës gjumëron në tastierat poetike ndjeshmërinë jetësore, rrjedhat e aktualitetit me fonemat psiko-analitike, të cilat mbartin më pas mbrotësinë e pas luftës. Duke qenë një kritik i mirfilltë tekstual në aranzhimin e vargut, duke treguar kujdes në përzgjedhjen e fjalorit, në subkoshiencën poetike, autori ka ecur me kujdesin e një kopështari, i sprovuar në agronominë e vargut, gjetjen e trilleve poetike, përpunimin e fjalëve, “gdhendjen” e vargut në rifinitura artistike, duke i dhënë me anë të tingëllimave të përafërta muzikalitetin, e në optikë, fokusin identifikues me elementë të biodiversitetit në një natyralitet të përjetuar.

Në konceptin estet të autorit, poezia nuk vjen e kufizuar në një hapësirë, as e përkufizuar në një substancë kohore krono. Këtë përceptim mes vargjeve e gjejmë kudo: mes një pylli, në majë të një mali, në formën e zjarrit bubulak, por edhe të flakës përzhitëse të shtëpive kosovare në luftërat patriotike. E gjejmë dhe në formën e borës e të ngricës kallkan. Në grinatë e gjejmë edhe në mes tymit përzhitës, duke marrë ndriçimin dhe ngrohtësinë e diellit, duke u bërë vetë rrezja e poetit. Në këtë dritësirë, si fotosintezë në forcën ripërtritëse të dritës së jetës, autori sjell natyra të trojeve shqiptare, duke u treguar dhe në sensin e kritikë të poezisë: se ku e si mund të prezantohet bota poetike. Ky është një aspekt, pjesa tjetër e amalgamës poetike është shpirti i vetë poetit. Asgjë që thuhet nëpërmjet vargut, nuk vjen e veçuar, por shtjellohet si një tërësi unike e përceptimëve shqisore, ndjenjës dhe diversiteteve në dramacitetin universal.

Këtë lloj të ri prurjeje poetike duke e përshtatur me ekselencë në poezinë e Bujar Tafës, në leksikun e fonemat rumune, përkthyesi, poeti, editori, mëmëdhetari i flaktë nga Bukureshti, Baki Ymeri, i bëri një dhuratë  të çmuar jo vetëm popullit rumun duke i sjellë pjesë të universit  lirik shqiptar, por dhe popullit të tij me përfaqësitë kulturore të një dramaciteti sa lirik aq dhe atdhetar e social. Ka do kohë që Baki Ymeri dhe themeltarët e shoqërisë kulturore-patriotike “Drita” e kanë si paradigmë në punën dhe aktivitetin e tyre, komunikimin dhe bashkëpunimin mes popullit rumun dhe atij shqiptar, sepse: “Bota më së miri lexohet në shpirtin e poetëve.”

Për ne është një dhunti e bekuar gakti kur poezia kosovare merr statusin e gjuhës ndërkombëtare. Në tërësinë e saj poezia është gjuhë ndërkombëtare, sepse në muzikalitetin e saj, në tharmin poetik, ka si përbashkësi timbrin si çelës të sol- it. Vetiu, kur i recitoja në mendje këto poezi të përkthyera në gjuhën rumune, tingëllima, timbri më përngjante gati –gati i njëllojtë, si dy siamezët me gjuhën shqipe. Sigurisht që kjo ndjesi më erdhi ngaqë poezia, në thelbin e saj, në tingullin që përçon, ka një muzikalitet universal gjuhësor, të cilin e trasmeton tek të gjithë popujt, të çfardo gjuhe qofshin. Por në këtë kontekst, edhe përkthimi  (rumanizimi) është faktori i dytë, por më kryesori është ekselenca e përkthyesit.

Përkthyesi duke patur si themel aranzhimin poetik, ka ruajtur thelbin timbrik, por duke i dhënë njëkohësisht gjithçka nga shpirti i tij poetik. Nga ky ngulmim estetik dhe dukuria thelbësore e poezive të vëllimit “Mbreti im Dardan” është gjuha e interteksteve. Ajo është përdorur me efikacitet artistik, duke e mbështetur në gjuhën e metaforave, të cilat qëndrojnë si zonjëza mes modernitetit poetik globalist dhe trashëgimnisë poetike bio-shqiptare të Esat Mekulit, Ali Podrimes, Azem Shkrelit, duke u natyralizuar në substancë të re kohore. Nga kjo majaisje e modernes me të trashëguarën e përjetimet e autorit, ka bërë që dhe metaforat e përdorura të jenë me valenca të larta nënkuptimore.

Gjuha e interteksteve në poezisë e Tafës e në tërësi në poezinë shqipe, kësisoj, vjen si dukuri e re e një moderniteti shqiptar, i cili ngrihet  mbi themelet e një trashëgimnie po aq moderne në substancën e vet kohore. Një estetikë e tillë, e kundërt me shabllonet poetike që përdorin sot me shumi rëndom në trojet shqiptare, në poezinë e vëllimit “Mbreti im Dardan” vjen jo si produkt i imagjinatës, por dhe i një përjetimi poetik në kohë dhe në hapësira të reja. Poeti, si në poezitë: “Kënga më e bukur”, “Njëqind vjet”, “Mbreti im daradan”, “Dinamikë”, “Qyqet”, “Pak”, ‘Triumfi im”, ka ditur të shkrijë bukur imagjinatën me përjetimin, dramacitetin lirik të mbarsur me ndjesitë e tij shpirtërore, t’i  shtratifikojë me kujdesin e një kopshtari në biodiversitetin shqiptar. Në triorimin e përzgjedhjen e ndjesive, autori ka arritur standarte të larta në ekstrakte poetike, sepse ai operon poetikisht me gjuhën e shpirtit.

Tingulli e fryma poetike më parë se të kalojë në syrin dhe në veshin e lexuesit apo të dashurës,  të dashurit, kalon nëpër pentagramin e zemrës, duke marrë aty ndjesitë më të çiltra të një dashurie, e cila si ylber rri pezull mes hapësirës ku rrinë engjëjt dhe tokës, me hyjnitetin poetik. Ndaj dhe ky produkt poetik vjen si një etalon i lirizmit universal atdhetar. Sidomos poezia “Mbreti im Dardan” vjen si paradigmë e nacionalizmës dhe atdhedashurisë, si një ushqim shpirtëror, një hymn i qëndresës ndër breza, duke mbajtur gjithnjë: “Rrasa na rëndojnë mbi kokë “kur shohim se “ushtarët e zinj”/ i prenë pemët/ vreshtat, dardhat/ xhveshë na lanë/ mbreti im Dardan.” Si gjithnjë, autori gjen forcë e revokon të kaluarën e lavdishme të “baba mbretit” Dardan. Në kronologjinë poetike, të pas një pushtimi e shtypjeje njëqind vjeçare nën sundimin serb, shpirti i lirisë rrugëton në filozofinë e një jete të re si në poezinë “Triumfi im” ku: “Unë vuajtjen e kam mundur,/ Kënaqësi e kam bërë tmerrin,/ Kënaqem kur e shoh vujatjen time,/ të shkretë të vuaj/ nga unë.”

Në këtë poezi si bijë e “Mbretit tim Dardan”, tashmë me prangat e pushtetit të çliruara, filozofia e jetës trajtohet si një vazhdimësi e luftës për prosperitet shoqëror, ku lufta në vetvete vjen si një didaktikë e zhvillimit të jetës njerëzore. Në kontekstin poetik, ngritur në art me metaforat e simbolikat, alegoritë, autori evidenton një urtake popullore si “I zoti e nxjerr gomarin nga balta”, një filozofi sa e lashtë në zanafillë aq dhe aktuale sot në trojet shqiptare. Prosperiteti e gjen gjeneracionin tek subkoshienca, tek ”Guri te koka".Vetëm duke u mbështetur te guri i tokës amë e jo bredhje nëpër botë do të arrijmë prosperitetin shoqëror, ku: “veç një gur të koka/ dhe t'i shtrihemi ëndrrës...”

Me intuitën zhbiruese të kritikut, analistit, autori luan bukur poetikisht me artefaktet, ku jo vetëm zgjidh një mori fjalëkryqesh poetike, dukei vendosur bukur në vargje e strofa, me cilësinë e konvencioneve, por vendos në to të dritësuara fonema e trope poetike, si dhe botën e përjetuar. Përmes këtyre artefakteve, autori i është shmangur me sukse e me intuitën e kritikut tematikave aq shumë të pëlqyera nga dogma e soc-realizmit (sureal do e quaja), duke na dhënë subjekte poetike të cilat ndrisin si rruzuj në këtë lirizëm shumëdimensional. Këto subjekte poetike, krijime me një përbashkësi bletare, konstrukte që referojnë kuptimin e vërtetë të jetës në tërësinë e saj kompletare si dhe të individëve të veçantë, si prototipa  përfaqësues të një kombi, me një prosperitet sa mitik aq dhe modern ku: "Këtu është dielli"/ Këtu është era/ Ku je ti baba mbret?/ Më nuk shihen ushtarë,/ Heshta/ fusha jonë është e qetë./ Merr frymë pak/ Mbreti im plak." 

“Mbreti im Dardan” vjen si paradigmë e nacionalizmës dhe atdhedashurisë

Atdhetarizmi dhe nacionalizmi social vinë në këto vargje si një rilindje, mes përgjakjeve për prosperitet shoqëror e kombëtar gjatë viteve ' 90. Ata vinë  përmes pentagramesh poetikë, klithmave të dhimbjeve dhe kushtrimeve si këngët “Majë Krahi”, si një burim kushtrimor për çlirim shoqëror  nga  pushtuesi serb. Ato janë çelësi i sol-it buçitës të këtij kushtrimi. Në këtë piskamë, me dhimbjen për të vrarët nga makineria e dhunës serbe, me vdekjen mbi krye e ëndrrën e prerë në mes, ndryshe nga shumë poetë, Bujar Tafa nuk na vjen si besimtar praktikant, por si një besimtar, me koshiencën e njeriut të lidhur me gjithçka që është brenda diversitetit tonë të pandryshueshëm natyror, sepse: “Vdekja jonë do jetojë/aromë luleje/ puhi e mbrëmjes,/ ëndërr e bukur, buzëqeshje.” Sepse në arkeologjinë e fjalëve poetike, vdes materia njerëzore, por mbetet në përjetësi ëndrra, kujtimi, buzëqeshja, përkushtimi, ndaj autori në të kundërt nuk e mendon vdekjen për lirinë e mëmëdheut sepse “ajo është ferr”.

Poezia në këto kontekste estetike dhe filozofike, religjioze, mbi jetën dhe vdekjen, është jo vetëm princeshë në ndjesitë që përcjell përmes një lirizmi polivalent, por ajo është dhe mbretëreshë e tërësisë së botës, fenomeneve që ndodhin. Këtë trajtim të filozofisë së jetës, me vazhdimësinë e saj në trajta të tjera amorfe dhe shpirtërore, në paskajshmëri vazhdimësie, autori e trajton bukur poetikisht te poezia “Gjysma ime” ku: “Marr pjesën time e ndaj më dysh,/ marr gjysmën e gjysmës të gjysmës, së gjysmës/ përsëri e ndaj më dysh/ kështu vazhdoj me vite/ përdersa gjysma ime nuk mbaron kurrë.” Përmes këtyre trilleve të përzgjedhura lirike të stilit ungaretian, lexuesi sheh në këtë lum psikoanalitik të vargjeve, dritësirën përmes sekuencave të diskursit lirik.

Autori me kulturë gjuhësore, elokuencë fonetike, arrin të qëndisë fjalën në gjergjefin e shpirtit, t`i japë mendimit shuminë e nënteksteve, mesazheve, me një lirikë që e ka buranën në ekzistencializmin e kulluar. Me aureolën metaforike ai arrin të na japë ndriçimtarinë e jetës edhe në humbellat e absurdit shoqëror. Konceptet e autorit mbi universin lirik, si një paradigmë poetike e patjetërsueshme, vinë të plota te poezia “Zoti e bekoi poetin”. Një sentencë e bukur poetike në një kohë kur një shumi poetësh e konceptojnë lirikën me “buzë e shalë”, si pornografi. Poeti, për poetin Tafa, “Eshtë mbi të krishterë, mbi muslimanë/ mbi jahudi/ poeti është kriminel,/ President, pis, xehe, zog, pikë,/ Poezia nuk është veç estetikë, as etikë.”

Një koncept i plotëruar, i përftuar  ndër vitet e vëzhgimeve të shumta kritike, të cilat kanë konsoliduar konceptin mbi poetikën mbarëbotërore tek autori: sepse lirika përmbledh një botë të tërë, ku bulon jeta njerëzore dhe ajo amorfe. Në thelbin e kësaj bote: “Ajo gjëja bizare që sillet rreth/ diellit është koka ime.” Sepse në thelbin metaforik poeti thotë: ne jemi bota dhe e interceptojmë atë siç e duam. Poetit i mjafton poezia “Monotoni” që të na përqasë dhe një trajtim  të ri në poezinë shqipe: deheroizimin e letërsisë, paraqitjen e heroit jo të tipit leifen, apo supernjerëz, qëndrestarë por në kontravers, në majën e një poezie gjysmë piramidë, ai rendit një sërë cilësishë të këtyre heronjve natyralisht të lodhur.

Një fytyrë e një njeriu të tillë, nuk i duhet autorit, ai, këtë fytyrë e lan me shi acidi: “Nuk më duhet fytyra, asnjë shpirt i tillë,/ Lum njerëzori mbi të pafytyrin.”  Për polemikë me veten dhe të tjerët, autori na sjell “Dinamika”, një poezi e vogël por që në përmbajtjen e saj ka gjithë dinamikën e një jete ku: “Po lëvizin më shumë se unë,/ po flasin më shumë se unë,/ po mendojnë më shumë se unë./ Për dreq!/ unë po vuaj më shumë se ata.” Në filozofinë e jetës, kjo dinamikë gjeneron nga flukset e diversitetit universal, i cili burimin fillestar e ka në gjithçka shpirtërore.  Jo pa qëllim, por me nëntekst, dhe me një mesazh të qartë, këtë proçes autori e pason me poezinë “Qyqet”, një metaforë e bukur e njeriut dembel, jashtë kësaj dinamike.

Image

 

"Pak”,  thuhet në poezinë me të njejtin titull që të mos ketë qarje dhe ligështi, por me  jetë dëshirash pa kufi. Për këtë, thotë autori, në këtë poezi monokolonë, duhet aktivitet i plotë fizik dhe shpirtëror. Në tërësi poezitë, në vëzhgimet e mija, ndonëse të një stili modern, vinë pa komplekset e modernitetit filo-hermetik, gjë të cilën e ndeshim, në shuminë e krijuesve bashkëkohorë kosovarë, të cilët e “importojnë” këtë estetikë enbllok. Me këtë i ofron biodiversiteti dhe dramaciteti i përjetuar. Autori e implementon vargun modern, e bën më pragmatist, të mirë kontrolluar, duke e ushqyer me gjithçka autoktone. Ndaj dhe poezia intercepton tek lexuesi ndjenjë të çiltër, duke përfituar një botë të pakufishme bio-shqiptare.

Një rol të rëndësishëm ka luajtur dhe futja e elementëve biblikë, mitikë, të trashëgiminisë popullore të përcjellë brez pas brezi si te poezitë: “Qyqja”, “Lajmi hyjnor”, “Zotat me teke”, “Tradhëtitë”, “Përralla”, “Feniks”, “Lufta”, “Triumfi im”, gjë e cila në dukuri të parë nuk është gjë e re në poezinë shqipe, por inovacioni i Bujar Tafës qëndron në mjeshtrinë e futjes së tyre në poezi duke i shoqëruar me ngarkesa metaforike e me gjuhën e nënteksteve, triorimit të interteksteve që nga tradita e Pjetër Budit, i cili i futi për herë të parë në poezi, e deri te rilindësit tanë. Mohimi i traditës së mirë është term i përjashtuar në estetikën e autorit. Përkundrazi, tradita është  themeli i tharmit poetik, mbi të cilin Bujar Tafa ngren godinën e vet poetike.

Jo më kot, në poezitë e vëllimit “Mbreti im Dardan”, dallojmë konsideratat që autori ka për natyrën e vendit të tij dhe dramacitetin shoqëror. Ta konsiderosh natyrën komponent artistik, është vlerë artistike, sepse natyralizmi sipas “vendit bëhet kuvendi”, në përshtatje me estetikat moderne botërore, bën që të realizosh një produkt poetik bio-autokton, të papërngjajshëm me askend. Bujari këtë vështrim estetik e ka realizuar me sukses në poezitë “Mirazh”, “Kënga më e bukur”, ”Përtej”, “Rrethrrotullimi im”, “Shëtitje”, “Pak”, ndaj dhe elementët natyrorë vinë si distributorë artistikë të ndjenjave njerëzore, në një  bashkëjetesë të poetit, të njeriut me natyrën: “Atje përtej murit ka lule,/ e unë si të bëhem lot,/ e unë si të bëhem qeshje!/ Atje përtej murit ka kopshte/ e unë si të bëhem këngë.”

Si në shumë vargje te këto poezi, ndjehet dhe nga lexuesi i thjeshtë se si natyra rrugëton poetikisht si personazh, si një domosdoshmëri estetike e vargut, strofës, poezisë. Në këtë asimetri poetike të traditës dhe modernes, sikundër dhe në vëzhgimet kritike, Bujar Tafa, është kursimtar në fajlë, i peshon ato me peshoren e farmacistit, i trioron me durim, në triorin e mendimit gjykimor. Siç duket ai e ka konvencion në udhën poetike një sentencë estetike të lirikut të Madh Lasgush Poradeci: “Poeti duhet të jetë kursimtar i madh i fjalëve, të thotë maksimumin e ndjenjave me minimumin e fjalëve.”

Qoftë dhe me këtë vëllim poetik, sikundër zanafilla e Witmanit të Madh me “Fije bari”, me të drejtën time, theksoj se lexuesi me të drejtë do të pohojë se Bujar Tafa është poet i trilleve, i qartë në idetë dhe mesazhet e tij poetike. Gjithçka e artikuluar në vargje, i del nga shpirti, por asnjë çast ai nuk largohet nga habitati, toka ku ka vrarë këmbët, në ato vende ku ka vjelë lëndën dhe ka gjetur zgjuar muzat poetike. Siç duket, autori, e ka busull estetikën poetike të Walt Whitmanit që thot: ”Nëse kërkon të gjesh të bukurën, mos ngarend kot, por shihe se atë e ke tek e thjeshta, para syve.” (Durrës, 28 Dhjetor 2017)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat