Cili më parë, syri ose zëmra

Kultura

Cili më parë, syri ose zëmra

Nga: Reis Mirdita Më: 19 dhjetor 2017 Në ora: 11:37
Reis Mirdita

Pa mëdyshje ishte një dukuri e re që më përvodh shpirtin asaj mbrëmje në mes të grupit intelektual që thithte nektarin filozofik të traktateve mbi ecurinë e jetës por duke mos vërejtur aspak të tashmen e mbrëmjes, më sublimen e mbrëmjes, dashurinë! Nuk di as tani se ç’ ngjau: “thyerje” syzash, kryqëzim sysh, akord zemrash, apo mishërim ndjenjash?! Më saktë, të gjitha ndodhën bukur e mirë por cila më parë? Thyerja, kryqëzimi, akordi, apo mishërimi? Katër reagime në të njëjtën thërrime kohe! Katër klithma të shkrira në dy qenie që u mbuluan me dashuri. Por lindi edhe një mister më magjik në trurin e dashuruar;  kush ra i pari në betejën magnetike..., syri, zëmra apo të tjerat shqisa? Vallë, edhe kjo do të ishte një funksionim klithmatik i ndjesive të thellësisë së shpirtit që lind ashtu tok, një herë në jetë!?

Një shkëputje nga shtegtimi i viteve të fundit erdhi befasishëm që në momentin kur thjerrëzat e syzeve u thyen nga shikimi i parë duke hedhur sytë në valle pa ndërmjetës, ngase çdo gjë shkëlqeu sikur për të na e ndritur të pamurit. As unë, as ajo, nuk kishim kaluar nëpër ndonjë humnerë vetmie. Me sa kuptova në vazhdim edhe ajo ishte person plot shend e miqësi dhe ndeshja e jonë nëpër një feeling qiellor, erdhi si një dukuri e “lindjes për njëri tjetrin”.

Pas debatit filozofik, “Traktat mbi jetën”, mbrëmja vazhdoi me muzikë të zgjedhur dhe vallëzim. Aty, në mes të pistës së definuar enkas për mbrëmjen, në mesin e notave të valcerit “të bardhë” me ritmin e njohur binar, formuam çiftin që nisi rrotullimin në vetvete, ashtu si e donte ritmi dhe dashuria që po vlonte në zemrat tona etura për lidhje shpirtërore...

Ora tik-take, me lavjerrës të praruar, varur në murin me ngjyrë të pa definuar, tregonte kahen e saj drejtë numrave të vegjël të natës... Sa shpejtë kaloi kjo kohë e larë me dashuri të freskët, dashuri që do të kthehet në romancë të pa fund, të çelur në mbrëmjen e Traktat-it mbi jetën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat