Tensioni i krijuesit para aktit kreativ

Kultura

Tensioni i krijuesit para aktit kreativ

Nga: Bislim Aliu Më: 29 nëntor 2017 Në ora: 11:16
Bislim Aliu

Krijuesi para aktit kreativ të veprës artistike, gjithëherë gjendet në një tension të lartë shpirtëror. Në një tension, që vazhdimisht e bren shpirëroren e tij. Dhe, kuptohet, ky tension asnjëherë nuk e lë të qetë. Andaj, krijuesi, para këtij akti, gjendet në një situate “tenebroze” e cila shpirtërisht e bren krijuesin. Dhe, a thua, çka është ajo forcë “magjike” e cila nuk e lë artistin të qetë, por e detyron atë që ta shprehë shqetësimin e vet shpirtëror? Ndaj, a thua, në çfarë shkalle të shqetësimit, gjendet që me aq afsh e detyron krijuesin që të shprehet? Pra, ky tension, vardiset si një bumerang i harlisur në mendjen dhe në shpirtëroren e krijuesit, varg e vijë, si një “vrragë” e lartë shpirtërore. Kjo vardisje, përherë vargnohet, si përpelitje  e lartë shpirtërore në kreativitetin idealizues të tij.

Zatën, kjo cytje e lartë shpirtërore, vazhdimisht sorollatet në idealizmin e brendshëm të krijuesit. Dhe, sigurisht, ky tension te krijuesi, paraqitet si një “ fshehtësi” e vargnimit të lartë shpirtëror. Ndaj, kjo fshehtësi, e krijuesit, sikur dëshiron që të shpërfaqet me idealizmin më të lartë shpirtëror, ndjesor e përmbajtësor.

Shqetësimet artistike ia hapin udhën krijuesit për kreativitet

Pa dyshim, krijuesit e ndryshëm, për  këtë tension, para aktit kreativ, kanë vënë në dukje, vuajtjet e mëdha dhe shqetësimin e veçantë, meqë shpirtërorja e tyre është e mbushur me lloj-lloj përfytyrime dhe emocione të larta nga më të ndryshmet. Dhe, sigurisht, para shpërfaqjes së këtyre emocioneve  dhe para se ta realizon veprën artistike, kërkohet një parapërgatitje , për ta realizuar atë projekt të ngacmimit shpirtëror. Dhe, ky ngacmim përherë vardiset në shpirtëroren e krijuesit.

Për këtë, piktori i madh Delakrua, në librin e vet “Ditari” tregon kjartas parapërgatitjet, që i bën para realizimit të veprës artistike. Ai, në këtë vepër shkruan;   “Skicat e mia janë shumë të mira, por ato kanë humbur një pjesë të karakterit misterioz. Me një vizatim të mirë të linjës, të formës së kompozimit, dhe duke shenuar vendin dhe figurat, mund të hiqet dorë nga nga skica. Skica lind në vetë tablonë, kur ajo sapo ka nisur të shënohet, por ende i mungojnë detajet”.

Image

Prandaj, në njëfar mënyre, skica krijuesit ia qel udhën për të krijuar, dhe, sigurisht, ajo është bazament i fortë para se të krijohet vepra artistike. Këtë situatë para kreativitetit, mjaft bukur e përshkruan edhe piktori Van Gog, kur shprehet; “ emocionet nganjëherë janë aq të forta, saqë punon pa e ditur se punon, kurse penelatat vijnë njëra pas tjetrës, me një rregullsi e vazhdimësi të atillë si fjalët në një letër apo ligjëratë”.

Andaj, për këto lëvizje të brendshme shpirtërore, sikur në “ethe” vazhdimisht kacafyten në mes vete dhe, sikur kërkojnë “çlirim” për t’u realizuar ato forma të imazhit ose ideje e ndiesimit artistik. Atëherë shpirti i artistit çlirohet nga presioni i madh i përfytyrimeve.

Sigurisht pasi shpërfaqen përfytyrimet dhe ndiesimet e larta emocionale për krijimin e imazhit të ri, atëherë kërkohen përfytyrimet; “Ky konflikt, shkruan Livin Rusu, - duhet, me anë të përpjekjes për ekuilibër, të tregojnë në sipërfaqe të ndërgjegjes mjetin e vetëm të çlirimit. Lëvizja e brendshme ndërgjegjësohet dhe shkakton kështu qetësimin”.

Në çfarë niveli do të jetë tensioni kreativ, në atë nivel do të jetë edhe shpërfaqja artistike

Pa dyshim, në kreativitetin artistik, do të vendos  niveli i shkallës së tensionit kreativ. Në këtë tension, rol të rëndësishëm luan edhe përjetimi dhe shkalla se në çfarë niveli do të jetë përjetimi kreativ. Andaj, gjatë procesit të realizimit të veprës artistike, tensioni kreativ i krijuesit, kërkon ndërgjegjësim apo realizim të përfytyrimeve të brendshme shpirtërore.

Ajo brendi e përfytyrimeve, te krijuesi, gjithmonë do të gjendet në “kacafytje” të përhershme, dhe, ato, përherë do të kërkojnë “çlirim”, për t’u çliruar nga konflikti i brendshëm shpirtëror. Ky tension i brendshëm  vargnor, kërkon çlirim nga ai trazim i lartë shpirtëror.

Edhe Vasilije Kandinski, piktor i formatit botëror, në lidhje me tensionin dhe veprën e krijuar, në librin e tij “Shpirtërorja në art” shprehet; “ Vepra e artit lind në mënyrë misterioze. Shpirti gjen vetë diçka për të thënë, e cila për një çast, mund të jetë e paqartë dhe ndaj vetë artistit. Zëri i brendshëm i shpirtit i pëshpërit atij, se cila formë i lypset dhe se ku duhet gjetur ajo…”  Andaj, ky ndërgjegjësim dhe ky realizim konkret, me të vërtetë është paksa misterioz. Dhe, mu për këtë, duhet angazhim tejet serioz në realizimin e kësaj brendie dhe e këtyre përfytyrimeve ngacmuese.

Pa dyshim ky tension i krijuesit para krijimit të veprës artistike dhe para aktit kreativ , nuk është e nivelit të njëllojt te secili krijues. Ndaj, ky tension ndryshon; për shkallën e përjetimit, realizimit dhe, mbi të gjitha për shkallën e përjetimit. Ndaj, në çfarë shkalle përjetohet ky tension, në atë shkallë do të realizohet vepra artistike dhe do të paraqitën imazhet e atyre përfytyrimeve. Dhe, mu për këtë shkallë të përjetimit tensional, dëgjohen edhe disa shprehje të vizitorëve  tanë në galeritë tona artistike; “Kjo vepër ka logjikë reale të përjetimit”,  “Vepër me tension të lartë të realizimit” apo “Kësaj vepre i mungon kompozicioni logjik i formave”.

Për këtë ndërgjegjësim të realizimit të përfytyrimeve dhe shpërfaqjes së imazheve ndiesore, në përgjithësi, i dallojmë dy tipa të artistëve;  “artistë objektiv”, të cilët në vazhdimsi i japin rëndësi të veçantë, dukurive objekive dhe objektivitetit realist, dhe, “artistë  subjektiv”, të cilët shpërfaqjen të shumtën e herave  e realizon nga fantazia dhe  nga imagjinata.

Pra, tensioni kreativ i krijuesit para realizimit të veprës artistike, luan një rol primar në kreativitetin e krijuesit.  Andaj, në shpirtërorën e tij përherë ky tension  është një “vrragë” e brendshme  shpirtërore me shumë fshehtësi, e cila gjithmonë do ta ngacmon krijuesin dhe asnjëherë nuk  do ta  lë të qetë…

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat