Studimi i fotografisë historike të Kol Macës

Kultura

Studimi i fotografisë historike të Kol Macës

Më: 20 nëntor 2017 Në ora: 06:52
Fotografia e Kol Maces

Në Tiranë, studiuesi i njohur i fotografisë historike, Qerim Vrioni, po vazhdon prej disa vjetësh kërkimet mbi fotografin shkodran Kol Maca.

Vrioni gjeti foton “Bija e Gjon Palit”, të krijuar nga Maca në vitin 1913, dhe vazhdoi studimet mbi artin e tij.

Kol Maca ka patur 3 studio fotografike, në Shkodër, Vlorë e Tiranë, qysh nga fillimi i shekullit të kaluar, por krijimtaria e tij e rrallë ka ngelur krejtësisht jashtë vëmendjes.

Korrespondenti ynë në Tiranë, Ilirian Agolli, bisedoi me studiuesin Qerim Vrioni dhe përgatiti materialin në vijim.

Studimi i fotografisë historike të Kol Macës

Studiuesi i njohur i fotografisë shqiptare, Qerim Vrioni, ka 5 vite që po gjurmon krijimtarinë e fotografit shkodran Kol Maca, i cili jetoi rreth 63 vjet nga viti 1882-1945.

Ai zbuloi shumë foto të autorit Kol Maca në Shkodër dhe në Vlorë, portrete të figurave si Abedin Nepravishta, Nebil Çika e Ali Asllani, banorë të thjeshtë me kostume popullore dhe pamje nga krahina të ndryshme.

Por fotoja më e veçantë është “Bija e Gjon Palit” e vitit 1913 nga rrethimi i Shkodrës.

Fotoja ka marrë vlerësimet më të larta nga ana artistike dhe historike, ndërsa kërkimet e Qerim Vrionit vazhdojnë pa ndalim për ta ndriçuar plotësisht autorin Kol Maca.

Fillimisht atij i bënë përshtypje dy foto “Gratë me shkarpa” dhe “Ceremonia e përcjelljes së trupit të Ismail Qemalit nga Vlora në Kaninë.

Edhe pse veprat e këtij nxënësi të Kol Idromenos u krijuan gati 100 vjet më parë, për Kol Macën nuk kishte shkruar askush më parë.

Një pjesë me rëndësi e krijimtarisë së Kol Macës, krahas pejzazheve e dokumentare nga Tirana dhe krahina të tjera, janë edhe portretet e personaliteteve dhe tema shoqërore si bujqit vlonjatë dhe malsorët shkodranë.

Ai botoi në shtypin italian në vitet 1907-1908 edhe studime etnografike e historike të shoqëruara me fotot e tij.

Kol Maca jetoi mbi 60 vjeç dhe nisi fare i ri krijimtarinë e tij dhe në afro 40 vjet punë duhet të ketë nxjerrë një mori fotogafish nga të tre studiot e tij në Shkodër, Vlorë e Tiranë.

Për këtë autor dhe krijimtari nuk është folur asnjëherë gjatë diktaturës madje as tani gjatë demokracisë.

Por studiuesi Qerim Vrioni është i vendosur ta risjellë edhe një herë në jetë veprën e gjerë të autorit të mrekullueshëm, me vlera të rralla artistike dhe historike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat