Poezi ku frymon shpirti i përjetshëm i njeriut tonë

Kultura

Poezi ku frymon shpirti i përjetshëm i njeriut tonë

Nga: Mikel Gojani Më: 16 tetor 2017 Në ora: 12:39
Kopertina e librit

Mëhill Velaj, një krijues shqiptaro-amerikan mjaft i frytshëm dhe kualitativ, autor i shumë veprave letrare të zhanreve të ndryshme, prozë, poezi, ese, publicistikë etj. Me krijimtari letrare është marrë qysh herët. Pas luftës migroi në SHBA, ku jeton edhe sot në Stamford të Cennecticutit. Me krijimtari letrare merret qysh herët. Edhe pasi migroi në Amerikë, Velaj vazhdoi veprimtaritë e tij letrare dhe kulturore dhe dha një kontribut të çmuar në jetën letrare dhe kulturore në Amerikë. Një kohë ishte edhe nënkryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikan. Ahtë anëtar i Shoqatës dhe Artistëve ndërkombëtarë ( International Artists and Writers Association (IWA me seli në Ohoi, SHBA, dhe anëtar i Shoqatës së Potëve të Botës (World Poets Society), me qendër në Larisa, Greqi, po ashtu është edhe anëtar i Shoqatës Panshqiptare ”Vatra” me seli në Nju Jork.

Librat e Velajt janë botuar në disa gjuhë të huaja, në angleze, frëngjishte, rumanishte etj. Poezia e tij, më 2009, është përzgjedhur  në Festivalin Ndërkombëtar  të Poezisë në Strugë, “netët poetike të Strugës” (Struga Poetry Evenings”). Gjithashtu poezitë e tij janë në Antologjinë botërore “Who’s Who –Poetry from five continents”.

Në vitin 2011 në manifestimin letrar e kulturor “Takimet e Dom Mikel Tarabulluzit” në Sybëll të Vitisë, u laureua me çmimin e parë “Agim Ramadani”.

Shkruan herë pas here në shtypin shqiptaro-amerikan, përkatësisht në gazetat “Dielli”, “Ylliria” (SHBA; në gazetat e  Shqipërisë dhe të Kosovë, në “Fjala e Lirë” në Angli – Londër, po ashtu edhe në ueb-sajte dhe forume të bashkatdhetarëve më rrjetin social të internetit.

Krijuesja e re, Ardiana Bytyqi:  Poeti Velaj i ka dhënë jetë  poezisë  së tij

Duke folur për vlerat ideo-artistike të vëllimit poetik, krijuesja e re, Ardiana Bytyqi, shprehet  se Ky libër i autorit Velaj ka një forcë të tillë sugjestionuese që të prek thellë në ndërgjegje sikur të bën me faj, sepse të fut thellë brenda vetes  me hapin e parë që merr për ta lexuar dhe së fundmi ia vlen të bëhemi pjesë e botës së trilluar,  botës me plot dëshirë për të lexuar dhe shkruar dhe botës, e cila të bën të ndjehesh më i fortë e i pathyeshëm, këtë e bën vetëm  një autor sikurse krijuesi Velaj. Libri është plot art dhe kultura të ndryshme që poeti ka përfshirë në poezitë e tij, ku gjendja shpirtërore e autorit transmetohet në mënyrë mjaft të natyrshme. Të bën të përfshihesh në situata të ndryshme sa familjare po aq edhe shoqërore të emrave të ndryshëm të autorëve që poeti i përmend. Domethënë jep përgjigje të qarta ende pa bërë pyetje dhe kjo gjë edhe më shumë lexuesve ua bën të lehtë të kuptojnë atë që autori ka sjellë në botim për ata. Leximi i poezive është një nevojë jetësore, sikurse për autorin shkrimi i poezive që është po ashtu një nevojë e pashmangshme sepse autori lind i tillë për t’u zbrazur nga poezia, jo sepse njerëzve u pëlqen të lexojnë por që leximi është edukim për secilin, dhe autorët janë ata, të cilët me shkrimet e tyre edukojnë shumë breza që ndikojnë tek ato kultura dhe sjellja e secilit. Asnjë njëri dhe as poetët nuk mund të jenë të pacenueshëm nga kultura që i rrethon, do të influencohen doemos. Andaj çështja e një influence pozitive do të na shërbejë për të mirë dhe kjo arrihet vetëm nëpërmes të informimit dhe leximit. Në këtë libër janë përmbushur kriteret letrare ku përgjegjësia i bie mendimit të lirë dhe shprehjes së autorit, kurse në anën tjetër është pranuar edhe guximi që ai ka pasur gjatë kohës kur është shkruar. Nga çdo anë janë parë figura të cilat ai ka përdorur me shumë mjeshtri, figura këto të rrëfimtarit të ngjarjeve të poezive të tij që në perceptim marrin trajta të gjithfarshme. Kjo botë do të ishte pa shije pa poezinë, poeti i ka dhënë jetës së poezisë ngjyrat e duhura për ta plotësuar frymën që i mungon atij që mbetet pa leximin e poezive. Kështu poeti nuk do të rrojë as edhe sa vetë poezia, sepse poezia është përtej jetës së tij. Sepse dinamizmi i brendshëm i tij buron midis forcës së errësirës dhe dritës e filizave të reja të cilat përfaqësojnë të ardhmen e çdo autori”, është shprehur krijuesja Bytyqi.

Velaj, në letërsi tashmë ka krijuar në stabilitet të veçantë

Në librin e fundit, “Lotët e pengut”, të autorit Velaj, vërejmë një individualitet poetik të stabilizuar, konstrukte leksiko-figurative të një natyre poetike mjaft të thellësishme dhe shumë elemente të tjera që bëjnë poezinë shumë më të avancuar. Poezia e Velajt, në dukje  na vjen një poezi e thjeshtë, por në esencë kemi të bëjmë me një poezi mjaft të bukur, me plot shprehje figurative, ku frymon shpirti përjetësues i njeriut tonë, historia e lavdishme  me personalitete dhe figura emblematike të asaj periudhe të rëndësishme të rrugës historike të këtij populli.  Gjuha poetike e zgjedhur e  këtij autori, duke kaluar nëpër laboratorin e kriterit që duhet të  kalojë vargu poetik, ka arritur të jap vargje vlerash të pakontestueshme me porosi, kuptohet me përmbajtje  kombëtare, po ashtu edhe universale. 

Libri i Velajt është i konceptuar në disa kapituj që përbëjnë një strukturë unikale përmbajtjesore:  Ky fundshekull po tallet me njeriun; Një lutje të pashpaluara je dhembje; Kur ai është i ndriçuar nga dielli dhe Ikëm të gjithë drejt rrugëve pa rrugë.

Vargjet që kapërthehen brenda kopertinave të këtij libri ngërthejnë në vete vlera lirike që kanë për objekt trajtimi qenien dhe qenësinë e njeriut tonë, fatin e tij në kohë dhe hapësirë. Autori trajton këto elemente në rrafshin thellbësor. Duke i analizuar këto vargje në pah dalin argumente që fati historik ngritët mbi fatin e njeriut, ose mbi qëndresën dhe tragjiken.  Në brendinë e këtyre vargjeve karakterizohen si këngë për jetën, për  robërinë dhe lirinë, tokën e Ilirikut, malli për atdheun, ëndrrën,  për vetminë, për mërgimin, për fatet, për rrjedhat e zhvilluara nëpër kohë, për shpresat dhe zhgënjimet, për diellin në horizont dhe ëndrrën e zhgënjimit, ecejaket nëpër valët e jetës, për realizimin e dëshirave dhe të ëndërrimeve. Këto ideale, dëshira dhe ëndrra, autori sikur i manifeston këndshëm, bindshëm e me forcë emocionale përmes rrëfimeve dhe hollësive të shumta mbi ato tema, motive e dukuri të cilat përshkohen me vërtetësi ideore e artistike dhe që në tërësinë e tyre rrezatojnë mbi faktet dhe ngjarjet e jetës, të historisë dhe të transformimeve të shoqërisë nga shumë anë e rrafshe jetësore.

Poezi që ngërthen një botë e tërë motivesh dhe përjetimesh

Në poezitë e vëllimit respektiv janë prekur e janë trajtuar tema, motive dhe dukuri të llojllojshme. Brenda tyre vërejmë mendime, ndjenja, emocione, aspirata, nostalgji, dashuri për jetën, për lirinë, për vendlindjen, për traditën, për kulturën e historinë kombëtare dhe për çdo gjë që lidhet  me të bukurën dhe njerëzoren. Në të vërtetë poezitë e vëllimit i karakterizon trajta e shprehja poetike e shoqëruar me të dhëna, që nga ana e Velajt pasqyrohen me zhdërvjellëti e spontanitet. Në saje të këtyre cilësive autori ka arritur të prekur një gamë problemesh të mprehta. Në poezi vëmë re zotësinë dhe afinitetin e poetit, i cili me një duf të thellë emotiv, di të  shpreh gjithë atë që e frymëzon, po ashtu di të bëjë kalimin e rubikonit poetik, prej një përjetimi ndjenjor në një tjetër, duke e thyer kështu rutinën e rrëfimit, dhe kjo thyerje flet për një mjeshtri të veçantë që Velajt e dëshmon në pasqyrimin e çështjeve të cilat i bën objekt shqyrtimi dhe trajtimi në tekstin e tij poetik.

Nëse gjykojmë dhe vlerësojmë  duke u bazuar në botën poetike që autori ka shprehur në vargjet e tij, vargje këto të shoqëruara me plot figura stilistike, me metafora të shumta, që përçojnë mesazhe dhe ide shumë të rëndësishme, dëshmojnë që  krijuesi Velaj është shoqëruar njësoj si me të kaluarën tonë historike, po ashtu edhe me bashkëkohësinë, etapa këto që paraqesin një simbiozë të nyjshme, pra e kaluara dhe e tanishmja, përbëjnë thelbin poetik.

Me kuptimin e plotë të fjalës, mund të konstatojmë se në secilin varg të poezive të këtij autori, poeti ka dhënë një situatë poetike – jetësore - historike. Ky segment i këtyre tri shtyllave bosht kurrizore që ndërtohen në këto vargje, pasqyrojnë vlerën  e aktit jetësor.   Prandaj, vetë titujt e poezive, po ashtu edhe titulli i këtij vëllimi poetik, pasqyrojnë me konsekuencë poetike konceptin mbi aktualizimin poetik. Prandaj, kjo poezi, sikur pasqyron dhe vlerëson; sikur  vlerëson dhe gjykon ngjarje dhe situata ekzistenciale.

Në poezinë e Velajt gjejmë  simbolikën  e lotëve dhe dhimbjeve, të hijeve dhe të mallit, të shiut dhe të diellit, të dashurisë dhe urrejtjes, të atdheut dhe dritës së lirisë. Motivi i vetmisë bëhet shkak për zjarre të imagjinatës që ndizen në mes të stinës së acart, ku bëhen shkak për një klimë  e mjedis që  shuan kufijtë  e kuptimin e kohës dhe të hapësirës. Ajo refletkon shumë  nga tradita e poezisë shqipe në figuracionin, me të cilin ngjizet bota artistike, por kujtimet pavetëdijshëm herë më shumë e prekin të sotmen, që synojnë të ardhmen përmes trazimit të imazheve  të pakoha.

Libri i ri i Velajt është një zbulim interesant i brendësisë  krijuese të autorit, e formësuar nga grimca meditimesh dhe përjetimesh, përvojash dhe ndjesish që plotësojnë një anë të re të profilit të tij prej krijuesi.

Poezia është një marrëveshje

Në mes gëzimit dhe dhembjes

Poeti nuk vdes kurrë, është si shkenca

Ai kërkon të mbështetet në realitetin

Ai është i pranishëm në shpirt...

Poezia, Meditim, fq. 18.

Edhe poezitë përkushtimore zënë vend të rëndësishëm në vëllimin poetik të Velajt. Të kësaj natyre kemi poezitë, si “Himn për baltën e Devollit”, kushtuar shkrimtarit Dritëro Agolli me rastin e vdekjes, “Në shtëpinë e tij”, Dritëroit,” Burim shprese”, kushtuar bashkëshortes, “Ishte natë”, baladë për vëllanë, poezi kushtuar babait, nënës, Jozë Martin Ademit etj.

U kërrusa në shkopin e vargjeve,

Të mbaj peshën e baltës së Devollit

Mbledhur në trastë leshi, nën gunë

Arave me ugare e luginave  të truallit.

Rëndë e rëndë me hapa në asfalt

Të lyej gardhiqet e kujtimeve të mia

Por ty poet, djali i xha Rizait

Nëse gjer  në fund s’më zë rakia.

Atdheu ynë, këmbët në Adriatik

Ti, flokëlëshuari im si luan

Unë tej, sa larg, në Amerikë

Rrojë që të na ndaj një oqean...

Poezia, Himn për baltën e Devollit, fq. 24.

Poezia e mallit dhe e dhembjes që poeti i mungon atdheut, vendlindjes së tij vërehet në disa poezi të autorit. Është poezia, “Unë dhe atdheut”, “Jam biri yt Gllogjan”, etj., autori shpreh gjithë atë zjarr malli që përvëlon për atdheun dhe vendlindjen e tij, motiv mjaft i përsëritur tek shumë  poetë që përjetojnë këtë ndjenjë. Në këto poezi ndjejmë një varg mjaft drithërues dhe nostalgjik.

Te poezitë e  kapitullit “Një lutje  të shpaluara je dhembje”,  janë vargje që vijnë ne mjetet e huazuara të figuracionit, me motivet e brengës nga largësia prej qenies së dashur, që duhet thënë se, më shumë së konkrete, është simbolikë dashurie, emocion i brendshëm nga ata që alegorizohen, duke dhënë gjithçka  nga shkrirja shpirtërore dhe ideja e sakrificës sublimuese.

Jetojmë larg në një ishull tjetër

Kohët na largojnë në dy cepa të botës

Unë e ti mbesim Një

As dashuritë e reja nuk na pushtojnë

Vetëm dashuria e mëhershme

Rrritet dhe bëhet e vjetër...

Poezia, Dashuri e pambrojtur, fq. 100.

Prandaj, krejt në përfundim mund të konstatojmë se vëllimi poetik i titulluar, “Lotët e Pnegut”, të autorit shqiptaro-amerikan, Mëhill Velaj, është një libër me  vlerë të padiskutueshme, që kontribuon në njohjen pasurimin e fondit të librave të botës letrare poetike, po ashtu edhe  hapjen e një horizonti të ri në përsosjen e  shijeve të lexuesit shqiptar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat