Mbrëmje magjike me këngë Shqiptare

Kultura

Mbrëmje magjike me këngë Shqiptare

Nga: Ramazan Çeka Më: 1 shtator 2017 Në ora: 16:42
Mbrëmje magjike me këngë Shqiptare

Në këtë verë të nxehtë Televizioni Kombëtar Klan rikthen pas disa vitesh një eveniment të rëndësishëm të muzikës dhe këngës shqiptare të titulluar "Maratona e këngës", që ashtu si edhe në vitet e tjera mbanë autorësinë e treshes historike të këtij televizioni: Adi Hila dhe vëllezërit Pandi e Bledi Laço.

Jo më kot autorët dhe organizatorët e kanë quajtur këtë spektakël madhështor "maratonë", sepse ajo nis dhe përfundon si një garë e gjatë, duke përshkuar të gjtha qytetet e Shqipërisë nga veriu në jug dhe duke korrur sukses, jo si dafinat e fituesit të garës, por duke korrur duartrokitje të zjarrta nga mijëra e mijëra spektatorë që e kanë ndjekur.

Në ditët e fundit të gushtit "gara maratonë" e këngës do të zbriste në Jug të Shqipërisë, në Përmetin e luleve dhe Konispolin e largët, por shumë të afërt me pjesën tjetër të Shqipërisë, sepse këtë afërsi dhe lidhje mes qyteteve dhe krahinave e bën vetë kënga e bukur shqiptare.
Ky spektakël përbëhej nga një "skuadër" prestigjioze, nga këngëtarët më të shquar të muzikës shqiptare, nga Veriu në Jug, ku natyrisht spikatnin ata "më të vjetërit", si: Irini Qirjako "Mjeshtre e Madhe", Eli Fara, Bujar Qamili "Mjeshtër i Madh", Irma dhe Eranda Libohova, Gjergj Leka, etj. dhe për të ardhur tek brezi i mrekullueshëm i këngëtarëve të rinj.

Unë personalisht pasi e ndoqa "Maratonën e këngës" në Shkodër, vendosa dhe i kërkova mikut tim Bujar Qamili ta shoqëroja në këta dy qytete, ku maratona do të mbyllej, por edhe ku unë edhe Bujari nuk kishim qenë asnjëherë më parë.

Ndoshta është e tepërt të përshkruaj bukuritë e natyrës gjatë rrugës Tepelenë-Përmet, rrugën që gjarpëronte buzë honeve dhe kanioneve të Vjosës së lashtë, për të hyrë në këtë qytet të vogël e të mrekullueshëm, në këtë qytet të luleve, të këngëve dhe të gurit të famshëm simbol të Përmetit.

Një qytet i mrekullueshëm, një qytet bujar që do të mbesë gjatë në kujtesën time dhe të gjithë pjesëtarëve për mikëpritjen që i bëri këtij spektakli që për disa orë me radhë largoi terrin e natës edhe vapën e madhe të këtij gushti.

Gjatë kohës që përgatitjet ishin finalizuar, para Turizmit të Përmetit, aty dhe ku ishim akomoduar, një kafe me stafin e TV Klan Adi Hila, Pandi e Bledi Laço krijoi një situatë të këndshme pas atij rrugëtimi të gjatë.

Skena gjigande për disa orë me radhë u bë pjesë e qytetit dhe të gjithë këngëtarët që u ngjitën atje, u pritën me ovacione e duartrokitje, sepse nganjëherë edhe vetë prezantueset e jashtëzakonshme Klea Huta dhe Nevina Shtylla, nuk kishin nevojë t'prezantonin këngëtarët, pasi ata tanimë kanë bërë emrin e tyre dhe kanë korrur famën e tyre në të gjithë Shqipërinë.

Unë isha atje mes këtyre njerëzve kaq të dashur e të pasionuar pas këngës shqiptare, por në mënyrë të veçantë isha atje për të ndjekur nga afër mikun tim, këngëtarin e shquar shkodran "Mjeshtrin e Madh" Bujar Qamili, i cili, ashtu siç e njohin të gjithë edhe këtë radhë i papërtueshëm, pranoi ftesën e TV Klan dhe u ngjit në skenë për të performuar jo vetëm perlat e këngëve shkodrane nga repertori i tij i mrekullueshëm, por në mënyrë të veçantë dy duete që këtë verë u bënë hit.

Bëhet fjalë për këngën "Rrak-tak", me tekst të Fifit dhe muzikë të Kledi Bahitit, kënduar me këngëtarin e ri simpatik Mateus Frroku, si dhe duetin "Zemra më ka mbetë", me tekst dhe muzikë nga kompozitori i shquar Adi Hila, me interpretimin e shkëlqyer të Rovena Ibrahimit.
Atmosfera e këtij spektakli madhështor dukej sikur ishte e pranishme edhe të nesëmen në mëngjes, kur i shoqëruar nga Bujari, takuam shokë, miq dhe qytetarë, por edhe drejtues të kulturës në këtë qytet, si z.Anastas Naqe, nënprefekt dhe z.Aleks Todhe, specialist i trashëgëmisë kulturore, të cilët u shprehën me fjalët më të mira e më të sinqerta për këtë aktivitet të rëndësishëm të TV Klan.

Do të ktheheshim prapa përsëri, përsëri më në jug, për të shkuar në skajin më jugor të Republikës, në Konispol, në këtë qytet të vogël, me natyrë të egër, por të mrekullueshme, ku u pritëm nga qindra banorë, por edhe nga përfaqësuesit e tyre, nga kryetari i Bashkisë z.Shuajp Beqiri dhe drejtori i kulturës z.Vangjel Taho, të cilët në një bashkëbisedim të ngrohtë na folën për vlerat e mëdha kulturore të kësaj zone, për figurat e shquara që ka nxjerrë ky qytet në fushën e kulturës e në veçanti të folklorit, por edhe për vlerat e mëdha që ka "Maratona e këngës" shqiptare në shkëmbimin dhe njohjen e traditave të krahinave shqiptare, si dhe në rolin e saj të paçmueshëm tek brezat e rinj.
Përsëri atë natë kënga e bukur shqiptare jehoi në qiellin konispolat, mes duartrokitjeve të një publiku të mrekullueshëm. 

Përsëri atë natë u ngjitën në skenë elita e këngëtarëve dhe grupeve të mrekullueshëm të këngës sonë të bukur, për ta mbyllur si një festë madhështore "Maratonën" e gjatë që kishte startuar rreth një muaj më parë rrugëtimin e saj.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat