Në Mitrovicën e ndarë të Isa Boletinit

Kultura

Në Mitrovicën e ndarë të Isa Boletinit

Nga: Dr. Nuri Dragoj Më: 30 gusht 2017 Në ora: 14:12
Kadri Tarelli, Hysen Ibrahimi, Nuri Dragoj, Bajram Muharremi, Viron Kona, Zyhdi Dervishi

Profesor Zyhdi Dervishi, që ishte vlerësuar me titullin Anëtar Nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptar, Papa Klementi XI Albani në Suedi, titull që do t’i jepej në Bajram Curi ku nuk mundi të merrte pjesë, propozoi të shkonim në Prishtinë.

-Kam mendimin, - na tha profesor Zyhdiu, - të shkojmë në Prishtinë dhe të shtrojmë një drekë pune për krerët e asaj shoqate. - Por kam një kusht, - vijoi Dervishi. Nuk do të lejojmë asnjë lëvizje nga plani im. Dreka është e jona.

Ramë dakord, Vironi njoftoi kryetarin e asaj shoqate . Hysen Ibrahimi dhe ditën e shtunë, datë 19 gusht udhëtuam për Prishtinë. Bashkë me ne, ishte dhe Kadri Tarelli.

Prof. Zyhdiu ecte me kujdes, tërë korrektesë siç karakterizohet në çdo hap të jetës dhe ndiheshim të sigurt. Por gjatë bisedës na lindën dhe “probleme”. Zyhdiu thotë që unë jam nga Kruja dhe Kruja e Skënderbeut është e para, pas saj vijnë të tjera.

-Jo, - ia kthente Vironi. - Në ballë qëndron Vlora e Ismail Qemalit, ka shumë vlera Vlora që ju nuk i dini mirë.

-Rri, ore Viron, se ti je nga Berati, nuk je nga Vlora. Shqipëria e Mesme anaon nga Kruja, ndaj leri fjalët!

Vironi nuk bindej. I thoshte se gabohej pasi edhe Enver Hoxha, në një bisedë, në prezencë të Vironit, kishte pohuar të njëjtën gjë. Vironi i pati treguar që të parët e tij vinin nga Berati. Ai vet kishte lindur në Vlorë dhe nuk dinte se si të thoshte, jam nga Vlora apo nga Berati.

-Nga Vlora je, - i pati thënë Enver Hoxha. Dhe kjo i vinte vulën. Zyhdiu lodhej kot.

Pastaj ndërhyra unë dhe u thashë që i parë si qytet, mbetej Prizreni, ku u mbajt kuvendi i madh për autonominë e katër vilajeteve shqiptare. Si individ, të linin të parë Skënderbeun dhe pas tij Ismail Qemalin, ndërsa si emra qytetesh, brenda Shqipërisë, le të mbetej Vlora, sepse kishte derdhur më shumë gjak.

Për Dervishin, Skënderbeu qe diplomat, shtetformues dhe luftëtarë, ndërsa Ismail Qemali ishte vetëm diplomat i klasit të parë, por shtet nuk bëri dot.

Qeshëm një copë herë dhe kjo temë u mbyll, pasi hymë në kafene. Më tej dolën çështje të tjera që lidheshin me Kosovën dhe Vlora përmendej pak më rrallë, por asnjëherë nuk u hoq nga thelbi i bisedave.

Takimi me krerët e shoqatës Papa Klementi XI

Hysen Ibrahimi dhe Bajram Muharremi, kryetar dhe nënkryetar të shoqatës Papa Klementi XI Albani në Suedi, na prisnin te hotel Grand në Prishtinë. U përqafuam me ta dhe u ulëm në kafen e atij hoteli, ku u hap dhe biseda. U thamë që ata ishin të ftuarit tanë, por kjo nuk na eci. Hysen Ibrahimi, i mbështetur nga Bajram Muharremi, na e hodhën poshtë dëshirën tonë, duke ngulur këmbë se aty ishin zot ata, dhe se do të kishte ditë të tjera kur të vinin në Tiranë dhe punët rregulloheshin.

Na treguan për veprimtaritë e kryera, për të cilat Bajram Muharremi u shpreh se nuk pretendonin të bënin gjëra të mëdha, por atë që mundeshin e bënin me zemër, me dashuri. Unë qesha dhe u thashë se të njëjtën gjë ka thënë dhe Nënë Tereza: “Jo secili prej nesh mund të bëjë gjëra të mëdha, por të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla, me dashuri të madhe”.

Miqtë propozuan që të shkonim në Mitrovicë, të shihnim qytetin e martirizuar, kullën Isa Boletinit dhe të pas të shkonim dhe në Prekaz, te Adem Jashari.

-Besoj se nuk keni qenë ndonjëherë në Prekaz? - pyeti Ibrahimi.

-Jo, - tha Vironi, - Nuk kemi qenë.

-Unë kam shkuar dy herë në Prekaz, por edhe 10 herë të shkoj, më duket normale, - thash unë. Dhe atë çast mu kujtuan disa vargje, shkruar pas atyre vizitave, ku na priti djali i Adem Jasharit. Kulla e shpuar nga plumbat dhe pjesërisht shembur nga predhat e artilerisë, është dëshmi e gjallë e asaj çfarë ka ngjarë. Dhe varret e të rënëve janë zbukuruar. Ja disa nga vragjet e poezisë:  

Mbi Kosovë po bje një re, / Po shkrep qielli me rrufe. / Ndini burra, po flet Galica, / “Po vjen shkjahu te Drenica”.

Kush ka kap pushkën ma i pari, / Trim mbi trimat, Adem Jashari, / Ka shku brenda nëpër kulla, / Kuvendim ka ba me burra.

Kush e ka një pushkë në dorë, / Për Kosovë le të bjer dëshmor. / Nëpër shekuj, në histori / S’ka duruar ky vend robni.

Shkja, nuk shuhen vatrat tona! / Kjo tokë ndër shekuj është e jona! / Ndër shekuj ti e ke provu, / Jemi shqiptar, s’kena me u shu!

Sa ka zbardh e shkreta ditë, / N’kullë t’Ademit paskan mbërrit, / Shumë ushtarë dhe milici, / E kanë rrethu edhe kanë shti.

I çojnë fjalë: “Dorëzohu i gjallë, / Shkjahu ty ka me të falë, / Bashkë me robnit e shtëpisë, / Ke me kenë nder i Serbisë”.

Flet Ademi: “S’mbrohet kulla, / Po nuk pati brenda burra. / Po gabohesh shkja çetniku / Tash po më flet automatiku...

Për Kosovë bëhem dragua, / Le të bien plumbat mbi mua. / I thotë hasmit: Ndalu shkja! / S’mund të hysh për pa u vra…

Pas gjysmë ore mbërritëm në Mitrovicë. Fillimisht shkuam për të drekuar. Lokal Ibri ishte një mrekulli, vendosur mes një fushe të gjelbërt rrethuar ngado me pemë. Parcelat rreth tij qenë mbjell me zarzavate, domate, speca, tranguj gjithçka nevojitej dhe të gjitha përdoreshin nga lokali. Ishin aq të freskëta sa të krijonin habi, por ja që ka dhe lokale me produkte bio.

Dy gazetarë të televizionit të Mitrovicës na prisnin në një mjedis pranë lokalit. Aty, kreu i shoqatës Papa Klementi XI, Hysen Ibrahimi, i dorëzoi prof. Zyhdi Dervishit vlerësimin Anëtar Nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptar Papa Klementi XI, Suedi. E njëjta gjë u bë edhe për mua. Profesor Zyhdiu foli për rolin e madh atdhetar që luante shoqata në fjalë dhe ndikimin e saj, jo vetëm në emigracion por edhe në Kosovë e Shqipëri. Prof. Viron Kona e quajti shoqatën lokomotivë të fuqishme, që do të ndikojë në udhërrëfimin e mërgatës drejt afrimit me atdheun mendërisht e shpirtërisht, por edhe të angazhimit të saj në ndihmë dhe mbështetje të vendlindjes, duke mos harruar shprehjen e famshme të Nolit: “Shqipëri mo ski frikë se ke djemtë në Amerikë”. Të njëjtën gjë bëmë dhe unë e Kadri Tarelli. Por nuk po zgjatem në të, pasi vet shoqata do ta zbardhë bisedën dhe do ta pasqyrojë në faqet e librave të vet.

Image

Te Ura e Ibrit

Hysen Ibrahimi dhe Bajram Muharremi na ftojnë të shkojmë të Ura e Ibrit. Ka disa vite që ajo është kthyer në mollë sherri, për shkak të këmbënguljes patologjike të Serbisë, e cila kërkon të mbeten territore të saj. Por kjo është e pamundur. Punimet në krahun e djathtë të rrjedhës së lumit Ibër kanë përfunduar, pasi vareshin nga pala shqiptare. Përkundrazi, pjesa në të majtë, apo veriu i saj, ka ecuri të ngadaltë. Sa herë që Brukseli tërheq vëmendjen, serbët fillojnë punën dhe e ndalin sërish dy ditë më pas. Mbi urë vazhdojnë të qëndrojnë dëgje hekuri, symbol i ndalim-qarkullimit dhe mungesës së dëshirës nga politikanët dhe qeveritarët serbë për paqe dhe vijimin normal të jetës.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, është treguar korrekt në çdo detyrë të lënë nga Brukseli. Sipas tij, është arritur një marrëveshje në Bruksel më 25 gusht 2015, e firmosur nga të dy kryeministrat e vendeve respektive. Nga komuna që ai drejton, marrëveshja në fjalë është zbatuar pikë për pikë. Edhe Frederika Mogherini, një vit më parë, deklaroi hapjen e Urës së Ibrit, ndonëse dëshira e saj nuk u realizua në praktikë.

Në fillim të muajit gusht të vitit 2016, Bashkimi Europian kërkoi zhbllokimin e urës, por punët sërish u zvarritën. Së fundi u fol për qarkullimin e lirë më 20 janar 2017. Për fat të keq ende nuk është bërë fakt, pasi edhe europianët i përkëdhelin pak si shumë politikanët serbë. Me përfundimin e punimeve në krahun tjetër, do të nënshkruhet dhe memorandum i kufijve administrative. 

Qarkullimi i lirë i njerëzve dhe mjeteve mbi këtë urë, do ta kthej atë në simbol të normalizimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit paqësor midis komuniteteve shqiptare dhe serbe. Por pavarësisht kësaj vonese, përparimi është i dukshëm. Njerëzit kalojnë lirshëm në të dy krahët e Ibrit, ndonëse mjetet ende janë të privuara nga kalimi mbi të.

Diskutonim me njëri-tjetrin, bënim fotografi dhe qeshnim. Kjo qe hera e parë që qeshja mbi Ibër, tërësisht i çliruar nga ankthi. Bajrami na tregon me gisht një vend buzë lumit, gati 100 metra nga ura, në krahun e djathtë të rrjedhës.

-Aty është vrarë dhe vëllai i Hysen Ibrahimit, Isak Ibrahimi tani Dëshmor i Kosovës - thotë ai. - Qenë kohë të vështira kur serbët kishin rrëmbyer armët dhe qëllonin mbi shqiptarët. Pas kësaj edhe ata u detyruan të bënin të njëjtën gjë. Ndjemë dhimbje për humbjen e jetës së atij djali trim të Mitrovicës. U drejtuam nga Hyseni dhe i thamë të jetë i paharruar kujtimi i tij. Por ai nuk qe i vetëm.

Tashmë dihet që shumë kombe të ndodhur përpara vdekjes janë shëruar duke kaluar nëpër zjarrin e betejave të shumta, midis pengesave vdekjeprurëse që qëndronin në rrugën e tyre. Shqipëria ishte shkatërruar dhe poshtëruar disa herë në shekuj. Dhe përsëri qe bërë pluhur e hi në vitet 1912-1914. U sakatua edhe në vitet e mëvonshme, e deri më 1920, për t’u pushtuar sërish në vitin 1939. Në dekadën e dytë të shekullit 20-të kërkonin pronësi mbi trojet shqiptare malazezë, serbë, bullgarë, grekë, më pas edhe italianë e austriakë, gjithkush synonte të rrëmbente sa të mundte prej trupit të saj.

Në vitin 1939 ishte Italia që i përfshiu trojet tona brenda mbretërisë së vet, Greqia në vitin 1941 nuk donte të largohej nga Vorio-Epiri dhe orekset nuk janë shuar ende. 

Flamujt e huaj ngriheshin dhe uleshin njëri pas tjetrit, ndërkohë gjaku shqiptar derdhej lum. Serbia nuk do ta kursente urrejtjen në vitet 1998-1999, duke derdhur shumë gjak të pafajshëm, por mesa duket shqiptarët qenë të dënuar ta paguanin me gjak të shumfishtë të drejtën e lirisë. Të mbështetur në krahët e vëllezërve të tyre në Shqipëri, ata mundën ta zbusnin disi dhimbjen për t’i drejtuar sytë nga qielli i lirisë, nga e ardhmja e fëmijëve të tyre, me shpresën e bashkimit dhe konsolidimit kombëtar.

-Po sot, a mund të quhet gjithçka e arrirë?, - pyet si pa adresë kameramani i TV Mitrovicës. Dhe unë preferova të jepja mendimin tim.

-Nuk mund të quhet e arrirë dhe kemi shumë për të bërë, si popull dhe si politikë, por në radhë të parë elita që udhëheq vendin. Se vëmë re që kosovarët kërkojnë nga shteti i tyre të mos bëj gabime, si deri më sot, në takimet e zhvilluara në Prishtinë, Beograd apo Bruksel. Mesa duket shumë intelektualë kosovarë e shqiptarë mendojnë se është mirë të shihet mundësia e ndonjë korrektimi në politkën e jashtme, lidhur me qëndrimin që duhet mbajtur në takimet dypalëshe dhe ato me ndërmjetës ndërkombëtar.

Beogradi kërkon të njihet në radhë të parë autonomia e serbëve të Kosovës dhe pas kësaj të kalohet te reciprociteti. Në këtë kuadër presidenti serb Vuçiç propozon që, të dy palët të lëshojnë, të humbasin diçka nga vetja për hir të paqes, por në fakt ajo që humbet është vetëm Kosova. Të mos harrojmë që objektet e kultit ortodoks të mbetura në Koosvë edhe sipas platformës Ahtisari, janë si puna e gozhdës së Nastradinit, që i kujtojnë politikës serbe mitet e tyre të vena në gjumë, e cila pret të kthehet një ditë pranë tyre. Beogradi e ka ndërtuar dhe vazhdon ta ndërtoj politikën e vet sipas interesave kombëtare e shtetërore të Serbisë. Në këtë aspekt, nuk mund të lihet mënjanë as deklarata e bërë nga patriarku Irinei, sipas të cilit Serbia pret edhe 2000 vjet për të ribëre Kosovën të vetën.

Pranvera ka mbërritur

Kam qenë dhe herë të tjera në Mitrovicë, - i thashë Hysen Ibrahimit, - në vitin 1913 kur marrëdhëniet ishin më të acaruara dhe Urës së Ibrit qe e vështirë t’i afroheshe; në vitin 2015 përsëri shkuam deri pranë pirgjeve të zhavorit, por jo më tej dhe në pranverën e vitit 2016, kur ndërkombëtarët e patën ngritur zërin dhe zyrtarët serbë, lokal dhe qëndror, dukeshin disi më të zbutur. E kishin kuptuar që pavarësia e shtetit të Kosovës nuk kishte kthim pas. Ibri edhe pse i bllokuar me inerte, në fakt ndihej i lirë.

Saktësisht qe data 4 maj. Qëndroja bashkë me një shokun tim, pedagog në Universitetin e Tiranës, dhe vinim re qiellin ku retë ecnin me shpejtësi, dëndësoheshin me ngut duke e zënë diellin në pak minuta dhe filloi të binte shi. Njerëzit që ndodheshin aty, pranë Urës së Ibrit, për të vëzhguar a vajtuar fatin e keq të bllokimit të saj, vrapuan për të gjetur ndonjë strehë e më në fund ndalën nën pemët pranë sheshit Isa Boletini. Dëgjonin në heshtje pikëlat e shiut të binin mbi gjethe.

Një djalosh mbante në dorë një tufë manushaqe dhe ia dhuroi vajzës që ishte bri tij. Ajo i mori dhe po i përkëdhelte me gishtat e saj të brishtë, duke u bërë edhe më e bukur. Sakaq shiu pushoi dhe koha nisi të qeshte përsëri. Disa zogj qenë ulur në një degëz dhe befas fluturuan, duke bërë që ajo të tundej dhe pikat e shiut të binin breshër mbi ne. Shpendët e bukur çanë ajrin me krahët e tyre që nuk lodhen kurrë, duke na lenë poshtë pemës të spërkatur nga breshëria e pikave të ujit që ata lëshuan pas startit për fluturim.

Kaluan disa minuta dhe nisi të frynte erë e lehtë. Retë që patën zbritur fare poshtë, përplaseshin në kodër e mbi pemë dhe shkërmoqeshin brenda degëve të tyre. Dukej sikur retë kërcënonin diellin duke i prerë rrezet e tij drejt tokës, mbase qe urdhër i dimrit të ashpër për të mos i hapur rrugë pranverës së qeshur, por ishte vonë. E keqja qe mundur. Dalëngadalë retë po përhapeshin dhe qielli po zbulohej duke i lenë hapësirë diellit të depërtonte në tokë, e cila buzëqeshte nën rrezet e tij. Era lëvizte gjethet e pemëve që fëshfërimin pa i trazuar degët. Cicërimat e zogjve mbushnin krejt mjedisin në pyllin pranë e deri te pemët buzë shtëpive. Zhuzhurima e këngës së embël të bletëve ndihej ngado, pasi bletët i qenë përveshur punës për të thithur nektarin e luleve pranverore. Vështrimi ynë qe ngulur mbi Urën e Ibrit dhe pastaj humbiste në pyllin e Mitrovicës plotë drurë të gjelbëruar. Vajzat e atij qyteti kishin hequr veshjet e trasha dimërore dhe kudo zotëronin bluzat dhe fustanët pranverorë shumëngjyrësh. Dukej qartë që dimri qe mundur dhe pranvera pati fituar duelin e ashpër me të, duel të cilin e ka fituar dhe Mitrovica shqiptare.

Para monumentit të Isa Boletinit

Hysen Ibrahimi dhe Bajram Muharremi kishin dëshirë të shkonim te kulla e Isës. Duket që u bë vonë, pasi ora shënonte 18 dhe ne duhet të ktheheshim për në Tiranë. Atëherë lamë Urën e Ibrit dhe u drejtuam për te shehi para komunës.

Njeriu ka aftësinë të shoh jashtë kohës dhe vendit ku jeton, sepse shërben si nyje që lidh të kaluarën me të ardhmen. Materien e ditëve që ikën e prek, e rikrijon dhe e përdor si lëndë të parë për të ngritur godinat e ditëve që vijnë. Njerëzit qëndrojnë të heshtur e bien në mendime pranë historisë së tyre, që ngjason me një fushë beteje. Vendosin tufë me lule të freskëta para monumentit të Boletinit, dalin në fotografi, frymëzohen e ngarkohen me motive e ngjyra të reja. “Ditë më të mira paskëtaj vijnë”, shkruante Naim Frashëri. Ky nuk ishte iluzion, por një parashikim real i së ardhmes. Edhe në Mitrovicë kanë të njëjtin mendim. Ditë më të mira paskëtaj do vijnë.

Pranë Isa Boletinit gjetëm dhe disa kosovarë me banim në Gjermani. U bashkuam me ta dhe mbajtëm një minutë heshtje në nderim të heroit tonë, për të rënët e Mitrovicës. Bëmë dhe fotografi. Isa dukej tepër burrëror dhe krenar siç qe në të gjallë. Shikimi i tij zhbirues dhe imponues njëkohësisht, mu duk sikur thoshte: Tregohuni dinjitoz! Mos u përulni ndaj të huajve, mos i besoni ata, sepse përherë synojnë përçarjen e shqiptarëve! Këtë ua thashë edhe shokëve. Ashtu, në këmbë siç qemë, me vështrim nga burri i madh i kombit shqiptar, rrodhën kujtime dhe tregime të natyrshme.

-Isa Boletini nuk e njihte përuljen e nënshtrimin, - tha Hysen Ibrahimi.

-Natyrisht, - ndërhyri profesor Zyhdiu, - përulësi do të thotë të jesh i vogël, nisur nga fakti se njeriu është i vogël, ndërsa dinjiteti ka kuptimin te jesh madhështor, nisur nga fakti se njeriu është madhështor. Përulësi do të thotë të kapërcesh iluzionin e natyrshëm që na bënë të mendojmë se ne jemi më shumë se ç’jemi në të vërtetë, dhe se të tjerët janë më pak se ç’janë në të vërtetë.

-Boletini hyn ndër ata burra që kanë lenë gjurmë të pashlyeshme, - thash unë. - Dhe burra të tillë hasen me duartrokitje e kundërshti, sepse njeriu që e ka kaluar jetën pa lënë pas gjurmë që nuk fshihen, fruta që nuk harrohen, pa lënë pas fansa ziliqarë, dashamirës dhe dashakeqë, dije se është thjesht një njeri mes miliarda të tjerëve, që kontribuojnë në krizën për ushqim, papunësi dhe shkatërrimin e infrastrukturës. Në kujtesën historike mbeten vetëm ata që bëjnë diçka të veçantë, që e lënë të ndezur debatin. I tillë ka qenë dhe Isa.

Debatet dhe e vërteta e Isa Boletinit

Isa Boletini është një nga luftëtarët e paepur të periudhës së Pavarësisë. Historia ka dhënë plot vlerësime për figurën e tij, por disa herë patrioti i njohur shqiptar është akuzuar për bashkëpunim me serbët, malazezët, apo për organizmin e luftrave kundër perandorisë osmane, në favor të interesave sllave. Një version i tillë nuk bazohet në fakte bindëse. Kryeministri serb i saj kohe, Millan Millovanoviç, kishte dërguar kolonelin Bozhin Simiç dhe priftin Andjelka nga Mitrovica e Kosovës, si edhe Ognjan Radenkoviçi për të biseduar me Isa Boletinin lidhur me revolucionin kundër ushtrisë osmane. “Para se të arrinin emisarët tanë serbë te Isai, - shkruante në librin e tij Joseph Swire, - kishin shkuar të dërguarit e mbretit Nikolla të Malit të Zi për t’iu lutur, që të mos punonte për Serbinë. Por Isai u kishte thënë se nuk mbante asnjë krahë, por luftonin së bashku kundër të njëjtit armik, kundër osmanëve.

Natyrisht, këto shënime nuk duhen parë të shkëputura nga konteksti i kohës. Të bashkëpunoje me serbët kundër pushtuesit të përbashkët, nuk ishte mëkat. Shqiptarët e kanë dashur në çdo kohë aleancën me fqinjët e vet, nisur nga fakti se kanë patur fat të përbashkët. Është e vërtetë që të parët e Isës mbanin disa bujq serb për punimin e tokave. Në shekullin e 18-të Boletinasit u kishin falur bujqëve serb një sasi toke për të ngritur shtëpi e manastir ku të faleshin. Të njëjtën gjë kanë bërë dhe bejlerët e Gjirokastrës e Delvinës me bujqit grekë. Shkaku nuk dihet saktë. Ishte përunjësia dhe pagesa e ulët ndaj bujqëve të ardhur si emigrantë apo kryeneçësia shqiptare, për të mos punuar në çifligun beut të tyre. Mbase ka ndikuar dhe virtyti shqiptar, për të respektuar tej çdo kufiri jabanxhinë, njeriun e dobët, atë që për momentin ndodhej në hall. Kjo tolerancë njerëzore duket se është shfrytëzuar prej tyre. Pas vitit 1950, manastiri serb filloi të zgjerohej dhe do të rrethonte dhjetëra dynym tokë të Boletinëve, duke i lënë kullës së tyre pak vend të lirë. Jo vetëm kaq, por serbët nuk donin të lejonin as varrimin e eshtrave të Isa Boletinit në vendlindjen e vetë, duke e pretenduar si tokë të tyre.

-Duhet të korrigjojmë veten në radhë të parë, - thotë një nga shokët, - pasi historia ka treguar jo rrallë herë që ne u shërbejmë të huajve, në dëm të vëllezërve tanë.

Ia miratova pohimin dhe në çast mu kujtua thënia e Albert Einstein: “Bota është një vend i rrezikshëm për të jetuar; jo për shkak të njerëzve që bëjnë gjëra të këqija, por për shkak të njerëzve që i shohin ata dhe nuk bëjnë asgjë”. Biseda shkoi te ndërrimi i kombësive, përulja ndaj besimit dhe kulturës së të tjerëve, te shitja e interesave të atdheut tënd. Janë të shumtë ata që kanë ndërruar kombësinë nga shqiptare në greke, malazeze, maqedonase, serbe etj. Me të drejtë Fan S. Noli shkruante:  “Njeriu mund të zgjedh cilëndo fe që ka trashëguar prej stërgjyshërve dhe që i pëlqen, por s’mund të zgjedh një tjetër kombësi dhe të luftojë të tijën pa venë në ballë një vulë të madhe prej “tradhëtari”.

-Është interesante, - ndërhyn Viron Kona, - por shoh që vihet re një paralele midis Isës dhe Ismail Qemalit. Edhe për njeriun që ngriti flamurin kombëtar në Vlorë, ka dashakeq që thonë se kishte grua greke, në një kohë që ajo ishte shqiptare, arvanite. Thonë që tentoi të bënte aleancë me Greqinë, duke e parë si veprim të gabuar, por në fakt kjo qe mençuri dhe ndershmëri, pasi një armik i madh, siç ishte perandoria osmane,  nuk mund të luftohej vetëm prej shqiptarëve. Madje, në kohën që politikanët grekë nuk pranuan kushtet e vendosura nga Ismail Qemali, për ruajtjen e pavarësisë së territorit të secilit shtet, marrëveshja dështoi. Pra nuk qëndrojnë fjalët e hedhura në erë kundër tij. Tani edhe Skënderbeun po e giditin sa të mundin. Kjo ndodh sepse, siç thotë populli, goditet pema me kokërra.

-Ke të drejtë, - i them Vironit. - Gjithsesi, historia e jetës dhe veprës së Isa Boletinit, është historia e një patrioti legjendar, që me sakrificat e tij hodhi një gur të madh në themelet e shtetit të pavarur shqiptar. Ishte pikërisht qëndrimi patriotik i Boletinit dhe shumë burrave të tjerë që mundësuan mbijetesën e popullit shqiptar. Patrioti përmetar Kamber Bënja do të shkruante se nuk më hiqet nga mendja sa të jetë jeta, klithma e Isë Boletinit, kur mësoi lajmin e zi, se fuqitë e copëtuan Shqipërinë, e ndanë në copa. Ndërsa Miss Durham ishte e mendimit, se nuk mund të gjendet racë tjetër në botë, që të ketë luftuar më shumë se shqiptarët. Për shkak të vitalitetit të madh të këtij populli, “asnjë racë e huaj nuk ka mundur të asimilojë gjuhën dhe zakonet kombëtare të tyre”.

Mbi Isa Boletinin serbët përpiqeshin të hidhnin baltë herë pas here. Madje në dhjetëditëshin e dytë të nëntorit 1912, për të ngjallur panik në radhët e luftëtarëve, do të përhapej lajmi se ai ishte vrarë. Thuhej se gjenerali serb Zhivkoviç e kishte urdhruar të udhëhiqte sulmin ndaj ushtrisë turke. Por Isa i kishte thënë, që në vijën e parë duhej të rrinin serbët dhe jo shqiptarët. Në sherr e sipër, Zhivkoviç e kishte vrarë duke e akuzuar si tradhëtarë. Në të vërtetë Isai ishte gjallë dhe po udhëtonte drejt Vlorës.

Në gjysmën e dytë të dhjetorit Ismail Qemali përgatitej për të shkuar në Londër, por kjo nuk ishte e mundur. Dëshira e tij do të mundësohej 120 ditë më vonë dhe pikërisht në fund të muajit mars, kur së bashku me Luigj Gurakuqin dhe Isa Boletinin arritën të dalin jashtë kordonit të bllokadës detare prej flotës greke.

Në delegacion bënte pjesë edhe Isa Boletini, që përfaqësonte Shqipërinë e Veriut. Në fotografinë e vetme që ka mbërritur në ditët tona, shihet qartë se në motobarkën lundruese me të cilën u nisën politikanët shqiptarë drejt Brindisit, ravijëzohen katër burra me qeleshe të bardha dhe një me kapele të zezë. Ismail Qemali mbante mbi kokë kapelen e tij karakteristike me ngjyrë të zezë. Pasi mbrritën në Brindisi, në datën 1 prill 1913 ai u nis me nxitim drejt Romës, ndërsa Isa Boletini dhe Luigj Gurakuqi shkuan në Bari. Aty mblodhën disa ndihma nga atdhetarët shqiptarë dhe para se të niseshin drejt Vjenës, stacioni i qëndrimit për t’u ritakuar me Ismail Qemalin ishte Milano.

Kreu i qeverisë do të takohej me shokët e tij në Milano, të cilëve u tregoi përshtypjet që kishte patur gjatë takimeve me politikanët italianë. Pikërisht kur delegacioni bënte planin e nisjes drejt kryeqytetit austriak, Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin i kërkoi në takime të veçanta diplomati serb, Zhijovin Ballugxhiç. Ai kishte qenë dërguar nga Beogradi në Shqipëri për të bindur udhëheqësit shqiptarë që të pranonin planet ekspansioniste serbe. Takimet i organizoi veç e veç me secilin prej tyre, pasi shpresonte në bashkëbisedimin me Isain.

Ismail Qemali e priti ftohtë dhe pa interes këtë takim.

- Çfarë kërkoni? - e pyeti Ismail Beu - Ballugxhiçin, sapo diplomati serb i zgjati një paketë me cigare të kushtueshme, të cilën ai e refuzoi. Diplomati serb e mbylli paketën me pezmatim dhe u shpreh:

- Unë kërkoj në emër të qeverisë sime, që ju si anëtarë dhe drejtues të qeverisë së përkohshme shqiptare, të pranoni vijën kufitare të caktuar nga Serbia. Dhe këtë miratim ta njoftoni botërisht.

- Çfarë domethënë kjo? - e pyeti Ismaili.

- Përveç kësaj, - shtoi diplomati serb, - pala shqiptare duhet të pranojë kërkesën tonë, që Durrësi të bëhet skelë tregtare e Serbisë. Më vonë është mirë të deklaroni se e pranoni idenë e bashkimit të Shqipërisë me Serbinë. Ky është kushti ynë për vendosjen e lidhejve ekonomike midis palëve.

Atë çast Ismail Qemali ndjeu se po i dridhej mjekra nga nervozimzi. Një kërkesë e tillë, kaq e pacipë dhe e hapur, i ishte bërë edhe në Vlorë prej disa emisarëve të ardhur nga Beogradi. Ide të tilla gjenin mbështetje prej disa pseudopatriotëve shqiptarë, që ishin shitur tek serbët. Ismail Qemali e kishte refuzuar këtë ide me dhjetëra herë. Por guximi i diplomatit serb për të përsëritur këtë propozim në Milano e nervozi edhe më shumë. Megjithatë, duke ruajtur maturinë diplomatike e refuzoi qetësisht propozimin e tij, duke i thënë:

-Serbia duhet të lëshojë menjëherë viset shqiptare të pushtuara nga ushtria serbe. Në të kundërt, shumë shpejt do të vijë koha kur Beogradi do të pendohet për qëndrimin e mbajtur ndaj Shqipërisë. Në brendinë e territorit shqiptar, serbët do të përballen me luftën e elementit trim dhe të vendosur.

Në atë moment, diplomati serb e kuptoi se vazhdimi i bisedës me kreun e qeverisë së Vlorës ishte pa shpresë. Prandaj, duke flakur me nervozizëm cigaren nga goja, ai bëri një lëvizje të dorës, që dukej si një farë përshëndetje apo një veprim që nënkuptonte shprehjet: “do shihemi prapë, ne nuk tërhiqemi, këtu do të jemi”.

Pas kësaj ai kërkoi takim me Isa Boletinin, të cilit i kujtoi që Serbia kishte qenë përherë në mbështetje të tij.

-Mos harro kujdesin e kryeministrit Nikolla Pshiç ndaj famljes suaj, - tha Ballugxhiçi.

Isai e priti ftohtë këtë hyrje bisede dhe po atë ditë Ballukxhiçi i shkruante Beogradit, se Isai e kishte pritur me mospërfillje përmendjen e ndihmës serbe ndaj familjes së tij. Ai i shkruante ministrit të Jashtëm serb: “Isai mbajti një qëndrim, sikur kjo ndihmë është diçka që ia kemi borxh, sepse me asnjë fjali nuk shprehu asnjë mirënjohje për këtë kujdes ndaj familjes së tij”.

Në vend që të hynte në kurthin e diplomatit serb, i cili e përkëdhelte me ndihmën e dhënë familjes së tij, Isai u përqendrua te tragjedia që kishte shkaktuar Serbia, ndaj familjes së madhe të shqiptarëve.

-Serbia ka bërë dhe vazhdon të bëjë padrejtësi të mëdha ndaj shqiptarëve. Ne kurrë nuk do të pajtohemi me këtë padrejtësi historike ,- i tha Boletini me qetësi, pastaj shtoi: - Serbia rrëmbeu viset tona duke robëruar gjysmë milionë shqiptarë. Ata nuk do të rrinë duarkryq, por do të ngrenë krye dhe “do t’i tregojnë Europës, se nuk duan të jetojnë nën zgjedhën serbe”. Kjo është e drejta e tyre, sepse këtu ka më shumë shqiptarë se serbë. Të gjithë do të ngrihen në këmbë për të mbrojtur tokën e tyre.

I dështuar në tentativën e tij të dytë me Isa Boletinin, diplomati serb, për të justifikuar misionin e tij, i nisi një letër Beogradit, ku i quante dy liderët e qeverisë shqiptare “agjentë të Austrisë”.

Para kullës së Boletinëve

Para kullës së Boletinëve në fshatin Boletin, çdo historian apo shkrimtar nuk ka se si të mos emocionohet. Jo vetëm nga madhështia e kësaj fortese, e cila mban brenda një pjesë të krenarisë së historisë së Mitrovicës, Kosovës dhe kombit shqiptar. Sidomos kur mëson historinë e dhimbshme të saj. Ajo është djegur dhe është rindërtuar gjashtë herë. Herën e parë, kulla ishte djegur nga forcat osmane në vitin 1750.

Fakti që ajo është djegur kaq herë tregon, se kulla e Boletinëve ishte kështjellë shpirtërore për rezistencën e shqiptarëve. Ndërsa rindërtimi i saj, po aq herë sa dhe është djegur, tregon se ajo përbënte një domosdoshmëri mbijetese për frymëzimin e qëndresës patriotike.

Kjo kullë është disi e veçuar nga të tjerat. Gjendet në pikën më të lartë të një kodre. Ajo mbizotëron të gjithë arealin e gjerë të fshatit Boletin, pjesë e Shalës së Bajgorës në veri të Mitrovicës, në lartësinë 1100 metra nga niveli i detit. Siç shkruan Flamur Doli, në krahun e poshtëm dhe atë anësor, ajo rrethohet me mur të gjerë, i cili ishte i pajisur me frëngji në formë koni të cunguar. Ndërsa në pjesën e sipërme nuk ka mur, pasi kulla është ndërtuar buzë një shkëmbi mjaft të thepisur, prej nga ishte e vështirë të ngjitej armiku.

Edhe në ditët e sotme kjo kullë është mjaft e ruajtur, ndonëse të krijon përshtypjen e një rikonstruksioni të lënë në mes. Sipas studiuesit Flamur Doli, arkitektura e saj ngjason me stilin e tipit të kullave shqiptare të Rrafshit të Dukagjinit. Muret e jashëtm janë në formë prizmatike dhe me bazë katrore. Ato dallojnë nga kullat e tjera të Rrafshit të Dukagjinit, sepse nuk kanë pullaze katër - ujore piramidale, por pullaze treujorë dhe përbëjnë një rast unik për shkak të pozicionit strategjik, disi të veçuar. Ndërsa në strukturën konstruktive të murit të gurëve, pikërisht në blloqet e mëdha, ishin gdhendur frëngjitë rrethore. Të gjitha këto tregonin, që ndërtimi i kullës në rrethana të caktuara historike nuk kishte si orientim vetëm banimin por edhe mbrojtjen e saj nga sulmet e mundshme. Kulla kishte fushëpamje të gjerë dhe në një farë mënyre, për shkak të zhvillimeve historike, ajo ishte kthyer në një kala të qëndresës shqiptare.

Pas gjithë këtyre sa thamë, nuk duhet të harrojmë që heronjtë e historisë sonë luftuan me armiqtë e jashtëm dhe dashakeqët e brendshëm, të cilët, për interesa të ngushta vetiake, nuk linin rast pa shfrytëzuar në dëm të çështjes sonë kombëtare. Letrat e dërguara drejt kancelarive austro-hungareze, britanike, franceze etj., me akuza ndaj prijësve tanë të pavarësisë, tregojnë edhe anën negative të disa prej intelektualëve shqiptarë. Prania e tyre në udhëtimin e historisë sonë kombëtare nuk duhet të na dëshpërojë, por të na motivojë për të mos u përsëritur në të ardhmen ngjarje të tilla. Nga ana tjetër duhet kuptuar, se në atë kohë të vështirë, midis shtrëngatave, baticave dhe zbaticave historike, nuk ishte e lehtë të zgjidhje rrugën e duhur. Prapa shpine fshiheshin tradhtarë dhe matrapazë të kufijve tanë. Kjo e dyfishonte vështirësinë dhe madhështinë e misionit të tyre historik për mbrojtjen e çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Pikërisht edhe për këtë punon Hysen Ibrahimi dhe Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptar Papa Klemendi XI në Suedi, që të duam njëri-tjetrin dhe të punojmë për kombin, pasi një tullë e venë nga secili, me penë, fjalë, vepra, politikë, por dhe me pushkë kur e lyp nevoja, do të mundim të ngremë në këmbë ngrehinën e kombit shqiptar, të cilin ky shekull e ka thirrur në tryezën e historisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat