“Magjja” prodhues i ushqimeve tradicionale dhe punëdhënës i grave

Kultura

“Magjja” prodhues i ushqimeve tradicionale dhe punëdhënës i grave

Më: 2 korrik 2017 Në ora: 14:50
Flija (gatim shqiptar)

Një shembull i veçantë në Llashticë të Gjilanit është biznesi familjar që ka investuar në këtë punëtori për prodhime ushqimore tradicionale, ku janë angazhuar gra në punë.

Që prej janarit të këtij viti biznesi për ushqime tradicionale “Magjja” ka filluar me prodhimin dhe shitjen e të gjitha gatimeve tradicionale shqiptare, duke filluar prej produkteve si fli, pite, rrethatore, manti, samza, resenik, paqë, pogaqe, bukë, gatime po ashtu edhe nga misri, sikurse edhe disa produkte ëmbëlsira fshati siç janë, bakllava, tatli të buta dhe të forta etj. Gatime që prodhohen veç në furra druri janë me një cilësi të lartë pa aditiv dhe me prodhime vendore.

Anë pozitive e këtij biznesi është edhe për fermerët e këtij fshati dhe në rrethinë, ngaqë “Magjja” po u blenë bulmetin për prodhimin e këtyre produkteve tradicionale në këtë punëtori.  

Konsiderohet se biznesi i cili u krijua me një iniciativë të grave që është investuar në vlerë rreth 40 mijë euro me një kredi bankare për ushqime tradicionale e bënë Kosovën atraktive, jo vetëm për konsumatorët, por edhe për turistët dhe mërgimtarët nga diaspora.

Biznesi për ushqime tradicionale “Magjja” ka kapacitete të plota për t’i furnizuar edhe restorantet në çdo kohë dhe shpejt me çmime të arsyeshme.

Menaxherja e prodhimit, Nebahate Haziri tregon se puna që ka filluar prej fillimit të këtij viti po iu shkon mirë, me shumë vullnet dhe janë të kënaqur me punën që e bëjnë.

Ajo shprehet se të gjitha gatimet bëhen sipas traditës, me punë dore dhe konsiderohet i favorshëm për afarizëm, ngaqë janë të inkurajuar me trendin e leverdisë.

Haziri: Të gjitha produktet i gatuajmë në furrë me dru, pa përdorë aditiv

“Jemi pesë anëtarë të familjes, i mbajë me këtë punë. Jemi disa punëtore këtu që punojmë, por varet qysh kemi porosi kemi edhe punëtore. Jemi pesë punëtore të rregullta mendojmë me rritë edhe më tej numrin e punëtoreve dhe po ashtu edhe biznesin, besoj se po na shkon biznesi mirë. Është një biznes i ri, i cili ka filluar në janar të këtij viti po besojmë me i rritë kapacitetet e biznesit... Po e shihni edhe vet të gjitha produktet i gatuajmë në furrë me dru, pa përdorë aditiv me bylmet nga fermerët e fshatit, duke filluar me kos, gjizë dhe qumësht. Pra të gjitha të freskëta dhe bio, andaj, janë të kënaqur të gjithë klientët tanë me produktet tona”, theksoi Haziri.  

Edhe Nysrete Berisha punonjëse në këtë punëtori, e cili nuk përton me gatua me brumë, tregon se tetë lloje të piteve i gatuan, ndër to edhe piten e ashtuquajtur me hundë, tradicionale e vjetër që nuk gatuhet aktualisht nëpër kuzhinat shqiptare.

Berisha: Të gjitha llojet i gatuaj, edhe pite me hund që është mjaft e kërkuar në treg

“Jo nuk jam lodhë, mirë shumë. Këtë e kam gatuar pite me hundë ose pite e gjyshes. Ka kërkesa në treg për këtë më shumë, sepse kjo nuk është sikur këto pitet që i gatuajmë rrafsh, ka shije tjetër dhe ndryshe gatuhet jo sikur këto pitet tjera. Unë nuk përtoj asnjë herë me punuar me brumë, të gjitha llojet i gatuaj... Produkt tradicional, i vjetët, tash rrallë prej me të vjetrave që mundet me gatuar, sepse grat e reja nuk munden, është i vështirë me punuar.... Gatuaj, edhe pite rrethatore, pite rrafsh, mantia, samza me kos, mantia me djathë, me hithi, me spinaq, me patate… Po, gatuajmë edhe produkte prej ëmbëlsirave, ka pasur shumë kërkesa tash për festën e Bajramit, për bakllava, paqë, sheqer pare. Qysh e do tregu ne i punojmë këtu”, theksoi Berisha.

Në mesin e këtyre pesë grave është një djalë i ri, shofer, i cili kujdeset kënaqshëm për dërgesat e produkteve kudo që po i kërkojnë konsumatoret, në shtëpi, restorant, dyqane. Behar Berisha thotë se të gjitha porositë mbërrijnë me kohë tek klientët në gjithë Kosovën.

Berisha: Të gjitha porositë mbërrijnë me kohë te klientët

“Të gjitha porositë mbërrijnë me kohë... Dërgojë nëpër Prishtinë në çdo vend ku bëhet porosia, në gjithë Kosovën. Unë ia kam nisur punën prej muajit janar, jam i kënaqur me pagën që e marr”, tha ai.

Drejtues të këtij biznesi thonë se si çdo biznes tjetër kanë vështirësi për depërtimin në treg, mirëpo kërkojnë që përmes donacioneve dhe projekteve me donatorët të ndihmohet ky biznes në ngritje të kapaciteteve.

Isuf Berisha zëvendësmenaxher i Arbresha Berishës në “Magjja”, thotë se hapja e këtij biznesi ka qenë iniciativë e grave, për grat e papunësuara, të cilat kanë përvojë për gatimet e shtëpisë.

Berisha: Iniciativë e grave, sidomos për grat e papunësuara

“Më së shumti ka qenë iniciativë e grave, kjo sidomos për grat e papunësuara të cilat dinë të gatuajnë dhe kanë përvojë me gatimet e shtëpisë. Për këtë kemi parë të arsyeshme që një minibiznes  të gjenerohet dhe të hapet për shkak të punësimit të grave në fshat.Po ne e shohim këtë lloj biznesi si profitabil dhe mendojë edhe në të ardhmen me i rritë edhe kapacitetet punuese këtu dhe sipas kërkesës së tregut, ku presim përkrahjen dhe prej donatorëve, prej komunës prej Qeverisë... Kemi përkrahje nga kryetari i komunës na ka ndihmuar me infrastrukturën rrugore dhe me rrjetin e ujërave të zeza, është duke na u rregulluar. Pra, edhe kjo është një ndihmesë në lidhje me këtë projekt, mirëpo na mungon edhe një pjesë e objektit për përpunimin e brumërave dhe po shpresojmë që ta gjejmë ndonjë donator për këtë investim dhe të përfundoj ky projekt më të gjitha kushtet”, tha ai.

Kjo punëtori ka një sipërfaqe prej 200 metrash katror, me gjashtë oxhaqe, ku drejtues të këtij biznesi planifikojnë që edhe për 200 metra katrorë të tjera të shtojnë hapësira për përpunimin e brumit.

Zëvendësmenaxheri ka shtuar se një pjesë e konsumatorëve kanë dëshirë të ushqehen me ushqim tradicionale, sepse gatimi kryesisht bëhen me dru, jo me rrymë apo me gazra të ndryshme. Sipas tij, “Magjja” mund ta gjesh në kafe, shtëpi, familje, restorant, hotel dhe kudo që ndodhen konsumatorët, por tash me ardhjen e mërgimtarëve nga diaspora, Berisha pret të shtohet puna edhe më shumë në këtë biznes të ri.  

E në komunën e Gjilanit, zyrtarë të saj, po thonë se Drejtoria për Zhvillim Ekonomik në këto dy vjet e gjysmë ka bërë një punë jashtëzakonisht të madhe, duke i koordinuar punët me biznese dhe duke i evidentuar të gjitha ato mangësitë që i kanë prodhuesit.

Sipas drejtorit të Zhvillimit Ekonomik në këtë komunë, Agim Zuzaku, të gjithë këto mangësi kanë arrit që t’i hartojnë apo t’i shënojnë në një Strategji të zhvillimit ekonomik, Strategji për zhvillimin socio-ekonomik për vitin 2017-2021. Sipas tij, ky është një dokument i cili është aprovuar në fillim të këtij viti nga komuna dhe thotë se është një udhërrëfyes për orientimin e bizneseve dhe zhvillimin ekonomik për komunën e Gjilanit në këto pesë vjet.

Zuzaku shton se tani projekti i fundit është fuqizimi i grave në ekonomi, i cili ka dal si rezultat apo si aktivitet i Strategjisë së Zhvillimit Socio-Ekonomik, që është financuar nga KE.

Ai theksoi për KosovaPress se në këtë komunë kanë krijuar klimë të favorshme për bizneset, duke i hequr të gjitha taksat komunale për biznese, dhe si rezultat i kësaj janë krijuar diku biznese të reja rreth 800 brenda vitit të fundit.

Zuzaku: Kemi hequr taksat komunale për bizneset

“Një prej obligime që e ka marrë drejtoria për zhvillim ekonomik për me i përkrahur gratë në biznes është edhe krijimi i një kodi të veçantë për mbështetje të grave në kuadër të drejtorisë. Kjo mbështetje sado e vogël, i ndihmon bizneset për me u zhvilluar. Bizneset problemin kryesor e kanë me nivelin qendror, nuk e kanë me nivelin lokal, për shkak se në këtë vit i kemi hequr taksat komunale të gjitha për bizneset. Kemi krijuar klimë të favorshme dhe si rezultat i kësaj në bazë të statistikave diku 30 përqind janë krijuar biznese të reja. Brenda një viti  2015-2016... Për një vit mesatarja që regjistrohen në komunën e Gjilanit arrin në 800 biznese... Numri arrin diku rreth 5000 biznese të vogla dhe të mesme”, tha Zuzaku.

Ai shtoi se sa i përket përkrahjes së bizneseve në mangësi të buxhetit sikur të gjitha komunat tjera, cilat nuk kanë buxhet të mjaftueshëm për grante, për zhvillim të bizneseve, komuna është fokusuar më tepër për luajtjen e rolit apo koordinimit të bizneseve ose B2B, biznes me biznes, për evidentimin e problemeve të cilat i kanë, pastaj për t’i dërguar ato deri tek Qeveria ose Ministria e Financave ose Doganat.

Ndërsa, sa përket përkrahjes drejtpërdrejt të biznese, Zuzaku thotë se kanë pasur disa donacione të vogla nëpërmjet organizatës gjermane “Help”, e cila ka ndarë diku 49 grante të vogla për bizneset.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat