Të vërtetat e piktorit tiranas Serxho Petrela, “Lulet” dhe “Rrugicat e kryeqytetit”

Kultura

Të vërtetat e piktorit tiranas Serxho Petrela, “Lulet” dhe “Rrugicat e kryeqytetit”

Nga: Andi Bica , Beti Kumi Më: 30 maj 2017 Në ora: 14:24
“Lulet” dhe “Rrugicat e kryeqytetit”

Serxho Petrela,  një piktor i cili tanimë e ka krijuar profilin e tij individual me punimet në telajo, vijon të na sjellë motivet jetësore brenda kuadrateve të realizuara.

E veçanta e Petrelës në artin pamor, është ndjeshmëria që ai bart në thellëbrendinë e vet, të cilën e shpalos me shumë pigment gjallues mbi sipërfaqe piktorike. Tek punët e tij në motivet e Luleve , dallohet  ekspresioni i lëvizjes së formave, larmia e ngjyrave të jetshme si edhe strukturat e vijëzimeve të realizuara duke i dhënë pikturës mbylljen e filtruar të saj.

Emetimi i energjive që shpërndan nga vetja tek shikuesi, bën që punimet e tij të komunikohen lehtësisht duke u prekur me aromat, ngjyrat e format e tyre natyrale.

Kthehemi tek peisazhet tipike të vendlindjes, në “Rrugicat e Tiranës”.   Duke u nisur nga realiteti i jetuar prej tij, në filmin e shtrirë të kujtesës, Serxho e pasuron me fantazinë krijuese si edhe kërkimin që ai vijon brenda vetvetes, për të na sjellë mbi telajo copëza shpirti, që gjithsecilit i lëvizin memorien emocionale të breznive.

Paraqitja e njeriut tek punët e tij, sado simbolik, në praninë e pakët, e jetëson e i dhuron limfë natyrës së  një Tirane idilike. 

Përsa i takon  përmasimit të njeriut në raport me mjedisin , ai e shikon herë me gravitet të lartë e herë të lehtë në ecejake, duke ritmuar brenda kuadratit, me këtë disproporcion të ekuilibruar  sipas dëshirës së piktorit.  Kjo na kujton parimin se arti i vërtet shkon në kahje të kundërta me natyrën , megjithë ndërthurjet e njëri tjetrit. (Piktori e sheh njeriun i distancuar nga larg , si pjesë e peisazhit në modelin e pikturës ilustruese në artin dekorativ islam, kurse tek përmasat e personazheve të tij në miniaturë ashtu si në fillimet e artit bizantin nuk zbatohet perspektiva ,  por rëndësia subjektive e vetë realizuesit.)

Tek cikli vijues i “Rrugicave të Tiranës” , shihen detaje përfaqësuese të qytetit , si dyert e vjetra prej druri, avllitë rrethuese me tullat e lyera me të bardha, vënde vënde të gërryera nga koha , blerimi i pemishteve kacavjerrëse, shtyllat elektrike të shtrembëruara , çatitë tradicionale me oxhakët tymues , tendat e shtrira të dyqaneve me emërtesat e njohura të dikurshme si Byrek, Mëngjezore, Birrari, Ushqimore, tabela që evokojnë një pjesë të bukur të së kaluarës së përbashkët.

Ngjyrat tek peisazhi urban kryeqytetas, vijnë të forta, mbizotërojnë njollat e ftohta , por godasin në këtë tërësi herë e  verdha e dritshme diellore, herë e kuqja e përflakur në zjarrin veror me tonalitetin e brendshëm pasional, e herë jeshilja paqtuese si kulmi i një teqeje të moçme sipas gjurmëve nga realiteti i përpunuar i njeriut krijues. Në këtë mënyrë autori hedh dritë, duke ndalur kohën tek disa objekte të itinerarit njerëzor.

Raporti grafik edhe tek punët e Petrelës është i lirë në kompozim duke shpërndarë të errëtat e të çeltat, me sistemin e dendur të vijëzimeve ,  piktori arrin të krijojë mjeshtërisht baraspeshën në imazhet e sjella tek këto prurje. E ndiejmë këtë drejtpeshim si në ciklet e “Luleve” po ashtu tek peisazhet e “ “Rrugicave të Tiranës” .

Piktori Petrela pëlqen të komunikohet me gjuhë të thjeshtë vizuale me publikun. Por shtegu për të mbërritur deri në këto limite ,  e për ta ruajtur  këtë kualitet të zgjedhur , nuk është i rrafshët.  Piktori dallohet nga të tjerët për qëndrimin besnik ndaj “emrit të vetvetes” , duke qëndruar i lidhur shpirtërisht me truallin e të parëve.

Serxho në dinjitet ndaj zejes artistike që zhvillon me lindjen e diellit e deri në perëndimin e frymëzuar , asnjëherë nuk është i njëjtë  në interpretimet e reja , brenda  dritareve  të tij nga  e kundron jetën.  Ai ruan diçka të pandryshuar në kohë, tharmin e disa vlerave që i japinë më shumë vërtetësi pikturave të tij.  

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat