Një demon i vogël i stepës

Kultura

Një demon i vogël i stepës

Më: 20 mars 2017 Në ora: 08:21
Visar Zhiti

Grotesk që s’e shmanga dot, ku çdo ngjashmëri me ngjarje e ndonjë president real është e rastit, përveç ngjashmërisë time me veten...

Demon çalaman...

dhe të bënë president.

Brirë s'ke mbi ballë,

por një të rëndë helmetë,

jo se vërtet e mban,

por kokën ke të fortë.

Trishtan komedian,

dinakërisht idiot.

 

Statujën e idolit

mbarte mbi shpinë.

Një këmbë e një dorë

mallkueshëm të ngrinë.

Po s’i ta ngresh natën, -

në ç’shesh a varrezë,

atë që turmat flakën

në ditën bronzzezë?

 

S’duroni dot të gjallët,

nga ferri juaj dalë...

dhe dekoron të vrarët

nga soji yt të vrarë.

Ti vetë je vrasja

e ndërgjegjes së kohës,

ana e prasme -

mashtrim i revoltës...

 

Ç’stepë të dha fat

në dimrin e vonë?

Gropa hap në çdo hap,

demon që çalon.

S’e di përse je,

pse koha u çmend?

President pa atdhe,

atdhe pa president.

 

Monologu i njeriut  të pasnesërm

As Eva, as Adami nuk ishin antarë partie,                                                                                       

njerëzimi e di, të lutem dhe ti dije.

Pa parti Noja me atë arkën e tij,

Globi shtyn errësirërat pa parti.

 

Por Djalli, me pikpamje djalliste,

shpiku partitë, - ç’gusto neveritëse!

Në zemër të mollës futi krimbin, - 

krim(b)* dhe gjarpër një ishin,-  

politikën - profesion me prejardhje djallëzore,

që krim(b)ëzon njerëz kohë pas kohe.

 

Politika shpiku policinë,

Politika shpiku kryetarët.

Njerëzit kishin ëndërruar bashkësinë,

jo partitë dhe nënndarjet.

 

Po ku është partia e vejushave, invalidëve, pelegrinëve,

ku është partia e familjes, e fëmijëve?

Partia e syve të skuqur ku është vallë,

në hirin e Aushvicit, Songmit, Gulakut** të gjallë?

 

Por një ditë, një ditë, një ditë,

për stërnipërit tanë të gjitha partitë

do të kujtohen si një gjë e tejshkuar

si superkafshët, si Babilonia e rrënuar.

 

Bota pa të persekutuar e blasfemi do të jetë,

pa çalamanë moralë në pushtet***,

e gjitha një e asnjë parti,

veç ajo me emrin e thjeshtë: njeri.

 

Shkruar në 1972.

Botuar për herë parë në 1991.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat