Përçudi zgjohem në varr dhe veten vras në liri

Kultura

Përçudi zgjohem në varr dhe veten vras në liri

Nga: Kalosh Çeliku Më: 4 janar 2017 Në ora: 11:09
Kalosh Çeliku

Kohën e fundit, Veten shoh ëndërr mes varreve
Rrëzë Çukës, edhe një varr i hapur.
Imzot, mos kam vdekur në gjumë
E, unë ende nuk e di përsëgjalli nën Rrap?!

Nateditë turrem pas Dy shtambave me verë
Përçudi, nuk e di si zgjohem në varr?!
Dhe, Veten e vras në Liri…

(Njeri i gjallë nga varri nuk më nxjerr në Mal)

Imzot, të vdekurit zgjasin duart
Nateditë më kërkojnë ndihmë!
E, presin t’i nxjerr nga varret
Përdore t’i marr përmes fushës
Bregut Lumit. Livadheve. Maleve.

Vallë, si nuk e dinë se: Unë jam në varr
E, nuk ka njeri të gjallë në këtë botë
Nesër, përkrahu të më nxjerr në Mal…

(Unë puth në faqe gra e jo hadumë)

Viti Plak (2016) , fundekrye  xhuxh përralle
Vit dinak. Ujk pas dere me këmbën me miell
Mëkot, më troket te porta nëpër shekuj.
Netët të gjata, o mik. Ditët me ferexhe
Dimri çmendet pas dere. Pranvera larg.

Rrugët i gdhimë me protesta politike - fetare
Flamuj të huaj, rroken qafë për qafe:
Përpara Qeverisë me flamurin kuqezi.
Zorrë nuk kam për t’i vjellë në “hale”
Shkaku, se: më përzihet barku. Trutë.
Shtatë sahat larg, sot  e fluk vargun.

“Bomba” politike para kamerave televizive
“Shpëtimtarin” duke e puthur në të dy faqet
Edhe, atë: Çerdhen e UÇK -ës, në Kumanovë.

Nesër, nuk e di si do të çelin lulet në Livadh
Ujë kush do t’u jap në Kopësht. Bukuri?!
Lulëzojë oborri. Bari ngrejë kokën për Liri.

Vit xhuxh, thyej qafën! Kokë vekshi me dy vegë
Unë, puth në faqe gra. E, jo hadumë të Njerkës...

(Valle mbi shpuzën e zjarrit)

Vallja lehtë hiqet me shami në Livadh
Ose, Lëmë përpara Shtëpisë me lodra.
Nusen kur e zbresin krushkat në Lëmë.
Por, ecë e hiqe vallen në mal
Me krushqi të ngrirë. E, koçi pa Nuse!

Vallja lehtë hiqet në Livadh. Lëmë
Por, ecë hiqe mbi shpuzë! Zjarr.
Pena ime kur mbytet me raki rrushi. Verë.
Përçudi, nga hurdha nuk e nxjerrë njeri i gjallë…

(Pena ime zjarreflakë digjet në Oxhak)

Pena ime, ndizet zjarreflakë
Nateditë, digjet në oxhak.

Dimri kur delë te Kodra e Tikeve
Gunën e bardhë hedhur krahëve.
Nata pret të bie, zbresë në Katund
Lëmën të na e pushtojë. Çatinë.
Mundësisht, edhe Oxhakun.

Zogjtë, herët kanë dalë nëpër dritare
Cicërrojnë për thërmia buke!
Kokërra misëri rrasin barkun
Hutini, u ka vënë pusi mbi çati.

Ujë! Ujë, hudhni Penës sime - zjarr
Përndryshe, flakën ia vura Shtëpisë Publike!...

(Lopa e Qytetit pëllet për Viçin e palëpi)

Politikanët tanë besnikë, e gjejnë nga një Lopë
Edhe, e mjelin përpara ekraneve televizive.
Institucioneve të Shtetit me një torbë taxhi.
Ministri. Vetëmse, Lopa e Qytetit nuk ka tambël
Shqelma qet në mes të Sheshit “Skënderebu”.
Pëllet në televizor për Viçin e palëpi
Dudumët, kthehen në Katund edhe pa kusi.

Dudumë, Nëna ime i zgjidhte lopët nga soji
Përçudi?! Nuk i shihni në Ditën e Sotshme
Lopët tuaja, se: I ka pi Bolla me flokë?!...

(Rrapi Nesër do lulëzojë prej Rrufesë)

Patjetër, Nesër Rrapi do lulëzojë prej Rrufesë
Arsye: shiu do të bie me shtamba.
Natyra do të egërsohet. Hakmerret
Bërllokun ia kemi lënë te pragu i derës.

Qielli do të bombardojë me breshër
Çatitë t’i lajë nga bërlloku shekullor.
Hedhurinat të na i kthejë prapë në Vatër.
Rrëzë Çukës, të rritet bari mbi varre.

Nesër, do të zgjohen të vdekurit nga varret
Shkaku, se: Sot, na mbytën të gjallët…

(Vrasësi im Rrufjani ende është gjallë)

Vrasësi im, Rrufjani ka emër dhe mbiemër
Përçudi, ende që të dy jemi gjallë?!
Edhe pse, ai ka vulë në ballë
E Unë, pusi pas ferre në mal.
Jo si ai, i përgëdhelur në Qeveri
Me çmime shtetërore. Anëtar në Akademi.

Vrasësi im, sot ka emër e mbiemër
Përçudi, ende që të dy jemi gjallë?!
Zonja Vdekje, gjykatëse speciale:
Hetimet, siç duket do t’i mbyllë në varr…

(Kohë e keqe për Lirinë)

Kohë e keqe për Lirinë:
Çlirimtarët  - armiq! E armiqtë - “çlirimtarë”.
Parti politike në çdo rrugë. Sokak
Imzot, popull i dalldisur me shekuj
I dashuruar marrëzisht në Robëri.
Edhe sot, turret pas herdheve të Dashit.

Armiku brenda nate, i bëhet mik
E miku - armik. Qorr me dy sy në ballë…

(Rrugë për në Robëri)

E di, ndonjëri do të më pyes në Libër:
Pse, nuk shkruaj më opinione. Poezi erotike?!
Gazetat. Portalet elktronike mbush me tru.
Edhe une, kam heshtje parazgjedhore politike.

Themele. Hidhni. Kaci. Ndërtoni shkolla
Fabrika. Rrugë për në Roberi!
Përderisa, ai katundari nuk do t’u përgjigjet:
Politikanë, po ne nuk kemi fëmijë…

(Poeti i ka miq edhe armiqtë)

Poetin e vjedhë Shteti. Njerka
E vjedhë Nëna Parti. Politikani.
E vjedhë Rrufjani në jetë
E, Ai: perçudi nuk di të vjedhë?!

Jo. Edhe, Ai vjedh. Ditën. Natën
Vargje, i mbushë xhepat. Bibliotekat.
Shkollat. Çantat e nxënësve
Libra për te cilët e dënojnë në Ferr.

Shkaku, se: nuk di të vjedhë
Si Tollumbaxhiu. Nëna Parti.
Që, sot merret me “art. Letërsi”.

Poeti, sot i ka miq edhe armiqtë
Jo, se: Ai i do. Po, ato e duan marrëzisht…

(Bam - baaam i paloj me vargje tek porta)

“Miqtë” e mi, i ka burgosur kërpeshi kanapit në grazhd
Edhe, më sulen pas shpine kur dal tek Livadhi.
Trusakatët, nuk e dinë se, i ka lidhur nyje Nëna Parti
Dhe, përjagen kot pas meje. Torbën plot me taxhi
Përqafe, pas porte: laam-laaam. Këlyshët me zgjebe.
Nateditë,  lehin “roje besnike” tek porta. Gardhi.

Lëmsh m’i bëjnë vargjet. Shkrimet publicistike
Gjoja se, vetëm ato dinë ta “lexojnë” poezinë?!
Deshifrojnë mes rreshtave tek Policia letrare?!
E ngatërrojnë Ditën me Natën. Rrugën pas Çuke
Shkrepjen e “nagëntit” tim në Robëri, për Lirinë...

Atdheut sot i duhen Ujqër mali

Përditë. Përnatë. Ehu, po cofim si derra
E, kurrë nuk e bëmë Shqipëri Etnike.
“Patriotë” me thasë. “Këshill opozitar”
Fundekrye, me këmbët dhe trutë në legen.
Politikanë me kamionë. Analistë trusakatë
Anembanë Trojeve Shqiptare, s’i nxë Atdheu.
Kuqezi, në ekrane televizive:  Zi. Zi. Dhe, Zi.

Përditë. Përnatë. Ehu, po cofim si derra
Shqipëria Etnike, siç duket kërkon Ujqër mali...

(Nga libri me poezi: Zonjën Vdekje do ta marr për Grua, që së shpejti pritet të dalë në dritë).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat