Tre brezat e 'trimave' të Kosovës

Kultura

Tre brezat e 'trimave' të Kosovës

Nga: Sinan Kamberaj Më: 30 dhjetor 2016 Në ora: 22:58
Sinan Kamberaj

I Pari nis nga Dy Vëllezër
Mustaqepërdredhur
Kallushanë si Arusha t'Malit
Që ishin zënë fytafyt
Për një bagël n? udhë -
Nëse ishte e Lopës a e Kalit ...

Dhe, sakaq e kishin lënë fshatin
Po atë natë tërë inat
Pa lamtumirë!

E hajt - hajt, e hajt - hajt!

Mbas pesëdhjetë vjetësh
Na ishin takuar sërish

Për ta përsëritur marrinë
Secili në të vetën:
- E lopës ka qenë! - çartej njëri
- Jo e lopës, po e kalit! - tjetri!

Po, tashmë s'kishin takat për luftë

Kishin vdekur Vëllezërit e Marrë
Pa lënë gjë kryeshpirti
Përveç Anekdotës ...

E hajt - hajt, e hajt - hajt!

Erdhi Brezi i Dytë -
Bijtë e vëllezërve legjendarë
Të varfër e të rrjepur
Gjithë ditën në hije dardhe
Rronin me të vetmën drojë
Të mos i mundte Qyqja
Ditën e Shëngjergjit
Dhe të mos i hynin n'hak hyqymetit!

Mbrëmjeve mbas iftarit
Kur binte Tupani i Ramazanit
I Madhi mësyente drejt Xhamisë
Tjetri që shquhej për shkrim cirilicë
Çante udhën për dritë hane
Drejt Stacionit t'Milicisë ...

E hajt - e - hajt, e hajt - e - hajt!

***
Erdhi koha e Stërnipërve
E "kumandantëve" - brez i tretë
Që i konvertojnë toskërisht
Nazalet e gegnishtes
Kur e rrjepin serbisht
Kosovënënën
Që e kanë çliruar
Me magji prej Rognerit
Larg - larg fronteve tê luftës!

As troku i Kalit të Anekdotës
Së Stërgjyshërve ahmakë
S'ua vret ndërgjegjen!

Breza sojsuzë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat