Fjalor, për një fjalë të re, e kulturë më shumë

Kultura

Fjalor, për një fjalë të re, e kulturë më shumë

Nga: Bajram Sefaj Më: 12 dhjetor 2016 Në ora: 13:25
Ilustrim

Terma, gjini, rryma e drejtime artistike, botime, revista e gazeta, konkurse, çmime, procese teknologjike, aparatura e pajisje... – kjo është tryeza, me të gjitha të mirat mbi të, që e shtron para lexuesit, autori Qerim Vrioni, në librin e tij më të ri, “Fjalor i fotografisë” që, kohë më parë, e botoi Shtëpia Botuese,Vllamasi nga Tirana.

Veshur me brengën e përgjegjësisë për vonesë të madhe, por çfarë rëndësi ka kjo, me kënaqësinë më të madhe e lexoj librin “Fjalor i fotografisë”, kur, bashkë me buzëqeshjen miqësore, me piku në dorë, nga dora e mikut tim të vjetër, Qerim, në Panairin e sivjetmë të Librit, të 19-të më radhë, në Tiranë, zhvilluar midis datës 9 e 16 nëntor 2016, ky vit. (Si të mos mbahet në mend kjo datë e shënuar e festës më të madhe të librit në botën shqiptare!).

Para se të marr “rrugën” e të endem (bashkë me ju) gjithandej nëpër 175 faqet e këtij libri, vlen të precizohen disa fakte: ky është fjalori i parë në gjuhën shqipe që i kushtohet fotografisë dhe leksikut (të pasur) të saj nder ne. E dyta, nuk është vetëm një fjalor i thjeshtë, klasik e tipik asi që vë në radhë (sa më shumë, aq më mirë!), fjalë e terma që kanë të bëjmë me fotografinë, në këtë rast. Përpara se fjalor, libri i Qerim Vrionit, mund të cilësohet edhe si abetare, histori, antologji e çfarë të duash tjetër. Ani pse në kapakun e çeljes së tij shënon thjesht e mirë “Fjalor i fotografisë”, veçse të hapet e të shfletohen faqet e para të tij, lexuesi menjëherë do të bindet se ai është më shumë së aq. Përmbledh në vetë, ato që i thash më parë, por, dhe shumë cilësi të tjera, si një lumë vërshues, sa që çuditësh si kanë mundur të grumbullohen e të zënë vend në vetëm 176 (exact) faqet e këtij vëllimi, të kenë “vendbanim të rehatshëm” gjithë ato terma... (Thërras në ndihmë autorin për t’i rinumëruar), ...ato gjini e drejtime artistike, revista e gazeta, konkurse e çmime, procese teknologjike, aparatura e pajisje... Vërtetë, një univers i tërë i njëmendet dhe po aq i panjohur dhe i pa lëruar ndër ne, i mbërthyer në “bordin” e një libri jo aq vëllimor. Kë dinë, arrijnë të bëjnë vetëm krijuesit e pasionuar, me plot vullnet e elan ...”që të digjem si qiriun...” e të hedhin dritë edhe në skutat e zçiqët e errta (për ne) mbi të cilat të tjerët, moti kohë, i kanë ndriçuar duhe hedhur dritë mbi to. E, Qerim Vrion, gjej rastin e mirë të shtoj  edhe këtë: nuk është hera e parë që është i pari që, si të ishim të  verbër!, na tërheq drejtë asaj bote të panjohur që fotografi i thonë. Me respektin e merituar kujtoj librin e tij studimor “Fotografia një grusht diell”, botuar në vitin 2005, që ishte libri i parë kësodore të ne.

I prirë nga modestia e tij e lindur dhe e pa luhatur, por edhe nga thënia gjeniale e gjuhëtarit anglez  të shekullit XVII, Samuel Johnson:”Fjalorët janë si orët, më i keqi është më i mirë se asgjëja dhe, nga më i miri, mos prit kurrë të jetë krejt i përpiktë”, prandaj, autori i ndërgjegjshëm, shton: “Gjithsesi, ky fjalor, si i pari, do të këtë edhe ndonjë mangësi e pasaktësi që do të plotësohen dhe të saktësohen  në një ribotim të mundshëm”.

Tash, me shportë në dorë, do të eci faqeve të këtij fjalori i vetëdijshëm se kurrë nuk t’i bie në fund, dhe kurrë nuk do të mund t’i mbledh të gjitha lulet erëmira të kopshtit të tij. Në çdo faqe, ose pas çdo shkronje të alfabetit tonë, gjej fjalë që, sidomos kohëve të fundit, i përdorim lehtësisht, sikur të ishim rritë me to e, në anën tjetër, kryet me na e këputë nuk ua dimë kuptimin. Këtu po rendis vetëm disa prej tyre, jo të gjithat se janë shumë e s’e qet hesapi. Për shembull: artefakt, belinografia, boshti optik,  cd, celuloid, cinkografi, daregotopia, densiteti, digjital, diorama, dvd, dhoma e errët (mera obscura), E-6, ekspozimetër, fil, flash, flu, fluksi i dritës, fotofinish, fotomontazh, fototeka, fotozhenik, gama (digjitale), gigabyte (gigabajt), gjatësia vatrore, halogjenë, hrrd disk, heliografia, histograma, ikona, imazhi, infinitiv, infografia, instagrami, joule, kalotipi, kelvin, kodak, kolodio e njomë, kompresion, kserografia, murator, laser, lavash, Macintoch, Microsoft, mikrofilm, microçip, monitor, monokromatik, multimedia, network, nudo në fotograi, njolla uji, offset, opak, paparazzo, pattern, pdf, pelikolë, piksel, polaroid, portal, punktum, rezolucion, rgb, rom, rrezeultra-violet, skaner, sensor, sepie, stampim, stereoskopia, stignometër, shkrepsi, teleobjektiv, terabyte, texture, tonalitet, ttl, thumbnail, USB, vetëshkrepës,  vinjetim, windows, www, X, xhelatina me brofur argjendi, vello, zoom, zooprraxiscope, dhe, Zh – zhvillim.

“Udhëtimi” nëpër faqet e këtij Fjalori nuk përfundo këtu e më kaq. Mos të harrohet të ahtohet se “Fjalor i fotografisë” i Qedrim Vrionit, kur edhe vetë është mjeshtër i fotografisë, është i pajisur edhe me njësi aq të nevojshme, për të domosdoshme, siç janë: Kronologji ose Fotografia,  hap pas hapi, Fotografi që përmendën në libër dhe Burime, cikërrime këto që këtë botim e bëjnë komplet më nuanca enciklopedie në miniaturë...

 Unë e bëra timen, veçse provova që t’i ndajë e ti pikëtojë, një si hesap, dy a tri fjalë për çdo shkronjë. I hapa dyert e kësaj Porte! Tash në potez, lexues i nderuar, je ti. Mbetët punë vullnetare e jotja të ecësh nëpër universin e këtij Fjalori edhe sa për të zënë kuptimin e një morie fjalësh që i përdor në jetën e përditshme, e kryet me të këputë nuk e di se ç’domethënë kanë!  E, jo vetëm k aq. Aty do të gjesh edhe shumë e shumë gjera të shtrenjta për sa më shumë dijeni e kulturë informimi, përgjithësisht!

Krejt e në fund të shtoj se nëse për dy (shumë) anët e kufirit tonë (unik në botë!) (ndër)shqiptar na mungon, sidomos kohëve të kritiku i profilizuar, i arteve pamore, i letërsisë, i muzikës, i teatrit e kështu më radhë..., kur është fjale për fotografinë, si art dhe zeje, kjo nuk mund të pohohet, Qerim Vrioni,  jo vetëm që është kritik, por ai njëherësh është hulumtues dhe studiues i saj. Për dëshmi, kemi sot qindra kritika, artikuj e studime të nënshkruar nga i vyeri dhe krijuesi ynë i urtë, zotëri Qerim Vrioni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat