Një poezi mes relievit dhe horizontit...

Kultura

Një poezi mes relievit dhe horizontit...

Nga: DËFRIM CANI, studiues Më: 6 dhjetor 2016 Në ora: 18:56
Kopertina e librit

Para ca kohësh, poeti Hasan Selimi i dha lexuesit të poezisë një vëllim poetik jo të zakonshëm, si për numrin e konsiderueshëm të poezive në një libër, por dhe për perceptimin që libri krijoi, veçmas tek njerëzit që dinë ta lexojnë poezinë. Në këto kondita, libri “Hije dheu” krijoi një trazim emocional dhe estetik. “Hije dheu” ishte një qasje e veçantë, që në krye të herës krijoi idenë e një profiliteti poetik, jo vetëm të autorit, por dhe të ligjërimit poetik. Raste të tilla janë të rralla dhe nuk mund të shfaqen në çdo kohë dhe në çdo moshë.

Kam pasur rastin ta lexoj dhe ta rilexoj vëllimin në fjalë, së pari për arsyet estetike që ngjallte brenda natyrës se si unë e “lexoj” poezinë dhe së dyti, për një raport motivues, që përvijonte të gjithë vëllimin “Hije dheu”. Madje, në shënimet e mija për librat, kam njëstudim të gjerë dhe të detajuar mbi poezitë e këtij vëllimi më së pari, ku për çudi, ka dhe një lloj “kryengritje” natyra motivore e poezis së tij. Pa e dekonspiruar të gjithë qasjen, që kam në shënimet e mija për këtë libër dhe kontaktin e parë që kam pasur me poezinëe Hasan Selimit, duke iu shmangur ex-catedrës, struktura e thellë poetike e pjesës më të madhe të poezive, sikur kërkonte një qasje vërtetë specifike, e cila duhej të depërtonte në indet e thella të saj. Jo të gjithë poetët e bëjnë të pa-vlefshëm “shabllonin” tradicional me të cilin lexohen poezitë. 

Koncepti apo perceptimi i parë i Hasan Selimit ka lënë më së shumti tek lexuesi i tij një shenjë “kreyngritëse”, ai lloj lexuesi që din të depërtojë në mjedisin “shpirtëror” të poetit, që ka qenë i lidhur me një profilitet poetik, i cili vinte për shkakun e natyrës psikologjike të tij, formimit të tij, mjedisi poetik i besueshëm dhe i natyrshëm.  Njeriu për nga natyra është një qenie poetike, ai ka ndjeshmëri dhe nevojë ta bëjë “objekt” social këtë lloj përjetimi, ta bëjë poezi, d.m.th një mjet komunikimi të harmonishëm.
Asnjë komentues i kësaj natyre nuk do të gabonte kur thotë për këtë lloj poezie, pasi ajo ishte një truall jo i njohur për poezinë shqiptare. Gjithsesi poeti Selimi dukej i natyrshëm dhe me këtë konvencion të dallueshëm, si një shqisë poetike, që frymonte me oksigjenin  e vet një raport të thellë të poetit me një lloj ekzistencianaliteti të dukshëm, që është prezent gati në të gjithë poezinë e tij, qoftë e natyrës emocionale kumtuese, qoftë dhe të asaj të natyrës së komunikimit social.

Në librin më të ri të poetit Hasan Selimi, përveçse klima poetike e poezisë së njohur, e cila dukshëm është bërë prezent që në librin e tij të parë “Hije dheu”, ka një marrëdhënie më diapozitive. Në librin “Shpirtit i betohem”, jo për shkak apo arsye tematike, por dhe esetike, ka horizont, ka më shumë pamje. Ndoshta kjo ka të bëjë me raportin që poeti ka vendosur me lexuesin apo përballjen e vetvetes, me daljen në dritë të poezisë së tij, pavarësisht shpirtit poetik që në fëmijërinë e tij, pasi gjurmët e kësaj natyre duken në tëgjithë marrëdhënien dhe kujtesën që ai ka për vendlindjen dhe mendimin poetik të figuruar, që zakonisht sjellin poezitë e tij.

Për të qenë sa më komunikues, me afër thellësisë poetike të fondamentit poetik, që sjell zakonisht poezia e Hasan Selimit, poezia e tij nuk mund të lexohet sipas një tradicionalizmi, që është edukuar në kritikën, shkollën dhe paraqitjet e librave, që rëndom vazhdon tëjetë e praktikuar dhe sot. Nëse jemi mësuar t’i përcjellim konsideratat për autorët me një fiktivitet steriotip se “ky libër është kështu e ashtu...”, mendoj se poezia e Selimit lexohet përmes një lloj selektiviteti, që zakonisht është prezent në poezi të veçanta. Pra, një libër poetik, asnjëherë dhe në asnjë rast, nuk është një sistem rrafsh, nuk është një fushë e niveluar, por është një reliev me maja, lugina, kodra, gropa dhe hone, pra, është një mal, i cili përbën konceptin e bashkimit dhe jo të ndarjes, që zakonisht e bëjnë lumenjtë. Në vëllimin “Shpirtit i betohem” ka një “reliev” të tillë. me çfarë unë mendoj se duhet kuptuar komunikimi poetik i poetit Hasan Selimi. 

Në shërbim të idesë për ta lexuar përmes veçanësive në poezitë e veçanta të poetit, disa tekste poetike të librit, unë po përpiqem t’i lexoj përmes fjalës, kontekstit dhe mjeteve të ndryshme të strukturës së komunikimit poetik, të cilat asnjëherë nuk janë të njejta dhe as formale në poezinë e Hasan Selimit. Asnjë poet në historinë e poezisë botërore nuk ka pasur mbi dhjetë apo njëzetë poezi të mrekullueshme, ashtu siç nuk ka pasur poet që të gjithë librin ta ketë të shkëlqyer, siç jemi mësuar të lexojmë në kritikën tonë. 
 
Plagoset një gur

“Një plagë e motit, në trup të Luftëtarit- Gur,/ Në faqen e një muri, të një shtëpie kullë./ Plagosur është një gur,/ pa dhimbje, pa zhurmë/ Për hesap të jetës dhe të dridhurat,/ nga krismat e dikujt në qoshen e shtëpisë./ Me shenjë plumbi, tash njëqind vjet,/ derdhet historia, rritet jeta./ E prapë shenja e plumbit, aty tregon,/ nga krisma e dikujt në qoshen e shtëpisë./ Dritare pa kapak, pa dritë me sy./ Qëndrojnë në heshtje tash njëmijë vjet./ Presin, vështrojnë, në heshtje nuk gëzojnë./ Presin njoftimin e gëzim rrezikut./ Të asaj Shtëpie- Kullë/ Për dëshirë të jetës tëdridhura s’ka.”

Diçka i ka ndodhur kullës. Ç’i ka ndodhur kullës? Është një poezi tipike me një kondicion të heshtur jetik të hershëm, që përvijohet përmes dy tri elementëve njoftues se kemi të bëjmë me një shqetësim bazik të një poeti, i cili e njeh mirë kondicionin shpirtërorëmalësor. Në poezinë në fjalë, ka një përdorim të qëndrueshëm fjala “gur”, objekt kumtues i hershëm në librat e shenjtë, një “lëndë” që ka përbërë një nyjëtim të rëndësishëm të kodit kanunorë dhe të besimit, i çdo natyre qoftë ai. Poezia nuk mund të kuptohet jashtëkësaj marrëdhënie, jashtë kodit malsorë dhe atij kanunorë. Pavarësisht një lloj “heshtie”, e cila shtreson një komunikim të lashtë historik dhe të vijueshëm në jetën e malsisë, poeti nuk i këndon “kobit”, por i këndon jetës. Në këtë “epistolar” të kënduar dhe tësistemuar si një lloj rrëfimi autentik, deshifrimet përmes fjalëve dhe sintagmave “luftëtarit- gur”, “shtëpie kullë”, “plagosur është një gur”, “shenja e plumbit”, “tash njëmijë vjet”, “gëzim rrezikut” dhe “për dëshirë të jetës të dridhura s’ka”, krijojnë një lloj marrëveshje tërëndësishme të elementuar, ndryshe komunikimit populist, që rëndom komentohet poezia. Është një poezi që lexohet përmes fjalëve, sintagmave, përmes vertikalitetit dhe horizontalitetit, gjithësesi kondicionuese në poezitë e kësaj natyre, të cilën e kushtëzon në tëgjithë shtrirjen e vet vargu emblametik “për dëshirë të jetës të dridhura s’ka” .
 
Tmerri i kohës

Thirrën në një darkë vonë. Kahmos vaj dhe piskamë dhimbjeje./ Harlisë janë prej deliri e ngritë në gjak./ Turren në të pamundurin tinzisht, si qeni i çartun./ Me bomba me mina e hanxhar./ Gjak e mish njeriu në sokake shkepun./ Bërtasin si në vorre, ku mejtin e fshehin nën dhe./ Pengohen yjet në kufoma të pamundurish./ Zgërdhihen gjarprinjtë fshehun mes pallateve me neone./ Radhiten egërsinat, kush të mburret i pari./ Me gjakun e fëmijëve, të vajzave pa dasëm./ Bërtasin egërsinat me be në perëndi./ Si të ishin caktuar me mbrojtë Zotin tonë./ Nga gjallesat e krijueme prej Tij./ Eh, zoti paska nevojë për mbrojë!”

Është një poezi e çuditshme, përmes së cilës mund të perceptosh një gjendje emocionale të pazakontë, pasi ka një vizatim të qartë kohe apo mjedisi, megjithëse raporti mes kohës me mjedisin është i ndërsjelltë. Poezia ka një qendërsi përmes metaforës vargnore “Pengohen yjet në kufoma të pamundurish”. Është një varg emblematik, valorizues, i cili është i pangjashëm dhe i paimitueshëm në “konditat”, që  e zbulon dhe e vendos poeti Hasan Selimi. Pavarësisht i qerthulluar, gati i baraz- larguar nga skajet vargnore tëpoezisë, poezia duhet të lexohet nga ky varg, metaforë dhe paralelizmi figurativ, deri në personifikim “memec”.

Në të vërtetë poezia është një kalim “sipër vetes” të natyrës dhe zejes së zakonshme me të cilën e njohim poetin Hasan Selimi. Në një gjendje, ku vlon një informacion jashtëzakonisht i madh, me një numër më të madh se zakonisht të elementëve të vet, që fjala të “mos i rrijë ngushtë kumtit” që përcjell poezia dhe ndjeshmëria e poetit, ai ka zgjedhur një qasje tjetër, çuditërisht funksionale për një temë të tillë. Poezia duket si një pamje para syve, dhe një pikturë poetike është shumë më racionale se një poezi e shkruar gjatë. Elementët dhe ngjyresat, që vijnë dhe krijojnë një përfytyrim mjaft fuksional, janë të natyrës së vizatimit, të cilët e ingranojnë natyrshëm mendimin e figuruar, një tipar i njohur dhe i përdorur mjeshtërisht nga poeti Hasan Selimi dhe në krijimet e një natyre tjetër. Kështu përfytyrimin e lexuesit e përmbush ngjyresa e fjalëve “piskamë dhimbjeje”, “qeni i çartun”, “me bomba me mina e hanxhar”,”gjak e mish njeriu në sokake shkepun”, “ gjarëprinjtë fshehun”,”radhiten egërsinat”,të cilat përveçse përbëjnë leksikun e leksemave poetike, janë dhe njëafër- penel, që e mbush tablon emocionale të poezisë dhe shton komunikimin. Është një poezi ku komunikimi dhe stilema poetike janë në një plazëm të përbashkët, ndoshta afër një lloj alkimie.
 
Copëtuar dal nga guva plakë

“Copash ke dalë, nga guva e malit./ Rrethuar nga guri, nga pluhuri tokë./ Përpjekje ke bërë, të rrish në shpat./ Ngulur si një rrënjë pishe në rritje.”
“Copat ke ngjeshur në shtatin tënd të tharë./ Mbajtur je për një rrënjë pishe në rritje./ Ngultas, siç janë kullat në maja pa adresë./ Shtrembëruar nga tallazet, furtuna, tufanet.”
“Tërheq në gojëdhëna anije lufte, pune, apo…/ Ngarkesë e kohës guvë e bjeshkës plakë./ nxjerr ngahera një copë të tharë./ Ngjiten rrëbeshet dallgëzuar për kah lumi.”
“Harruar janë copat, që atëherë e sot./ Me nga njëqind ditë të çdo stine./ Mbështetur në guvën e bjeshkës./ Vajza apo plakë?!”

Si një rrëfim, si një tregim, si një vizatim poezia unifikon një marrëdhënie të thellë që e bëjnë të tillë simbolet funksionale, të qëndrueshme, komunikuese, kryesisht të fjalës dhe mjedisit në të cilën është vendosur fjala, kumti dhe qëmtuesi poetik.

Një sistem leksikorë, i pasur shumë, që nga numri i konsiderueshëm i emrave të tillë si:”copash, guva e malit, guri, pluhuri tokë, shpat, copat, shtatin, pishë, kullat në majë, tallazhet, furtunat, tufanet, gojëdhëna, asnjë luftë, guvë, kohë, bjeshkës plakë, copë të thatë, kohës guve, rrebesh, lumi, copash (njëqin) ditë, stinë, guvën e bjeshkës, vajzë, plakë, ndërsa sistemi foljorë, i cili ndërton një inversion poetik, si fjalë nistore të vargjeve të natyrës “rrethuar, ngulur, shtrembëruar, dallgëzuar, harruar, mbështetur”, e kthejnë poezinë në një tekst të“sofistikuar” dhe të konsiderueshëm për të ndërtuar raporte të drejta kuptimi dhe komunikimi. 

Kur kam shënuar për një lexim selektiv të poezive të kësaj natyre, poezia “Copëtuar dal nga guva plakë” duket se është ndër më tipiket, për shkakun e thjeshtë: ajo është një poezi, e cila qerthullohet e gjitha nga një simbol, i cili e zë “cip për cip” të gjithë tekstin poetik, por brenda të cilit ka një sasi të konsiderueshme figurash poetike dhe një sistem leksikorë të ngjeshur. Fjala në këtë rast shtreson nivelizime historike, etnopsikologjike dhe pasqyruese, për ta bërë të besueshme qëndresën dhe marrëdhënien e subjektit poetik me detajin real. Kemi të bëjmë me një meditim të fortë dhe referencial, i cili ka origjinën e poetit, gjeografinë shpirtërore të tij. Zakonisht poezi të kësaj natyre, të cilat në disa raste i gjejmë në poezitë e Hasan Selimit, kanë një kompleks të pranueshëm, pasi teksti poetik ndihmon në njohjen racionale që lexuesit ia japin fusha të tjera të dijes. Në këtë rast kemi të bëjmë me një formim të veçantë, një formim që mrekullisht demonstrohet dhe në poezi, siç është Hasan Selimi. Në doctrinën e dijes është thënë se njohuritë për historinë, më së shumti njerëzit i kanë marrë përmes poezisë.
 
Vend që shihet nga ballkoni

“Kam kaluar një ditë në një shkëmb të thepisur./ Aty dukej si në ballkon krejt bota nën këmbët tua./ Gjeta një burrë mendje të harlisur nga dituria./ Kur nevoja ia donte, qimen e flokut e ndante për së gjati./ Habitur jam, kur bjeshkën e pashë lidhë pas rrfanës së kanacit,/ të veshës ngishte që një çikë e mbante lidhë për beli./ Ulej ajo çikë në bjeshkën, që e mbante lidhë me atë ushkur,/ ngado që shkonte, bjeshkën e mbante me vete./ Kam pa të aget me lot e shi atë vend, nën këmbët e mia./ Në rrudhat e ballit të djalërisë lexohej kollaj, e kaluera e trishtë./ Me mund e lodhje, dhimbje mbajtë ka emnin e shënuar fillimisht./ Me bjeshkën lidh për rrfanë të kanacit, veshë çika me veshën e ngushtë./ E herë ulej në bjeshkë, e herë kulloste bagëtinë,/ në atë bjeshkë që nuk bëzante./ E kam pa atë çikë, që lyente fytyrën me dritën e ujit të lumit, me ëmër çike./ E kam pa thepin e bjeshkës së malit, ngjeshë pas belit të burrit./ Shtrëngue mali nga shoka e qirqve, që nuk këputej edhe me e tërheqë pesë burra./ E burrat me thepin e malit e të bjeshkës,/ ngjesh për beli çanin frontin e luftës./ Odën e bënin burrat, kudo që ngulnin në punë pas lufte./ Pasqyrë e çikave dhe burrave lumi me emën çike./ Plasarit bjeshkë e mal kthye në rudinë,/ e lugina, vendi im, malësia ime.”

Ndoshta është njëra nga poezitë më emblematike të gjithë librit. Është një refleks aktiv në memorien e poetit. Është një zgjatim i krenarisë gjeografike, e thelbit shpirtëror dhe kujtesës etnopsikologjike në përgjithësi. Është po ashtu, një lloj vazhdimi i “aromës” sëlibrit të parë poetik të autorit, i cili iu propozua lexuesit shqiptarë mrekullisht me një sintagmë funksionale “Hije dheu”. Ndoshta është poezia që e bën të vëmendshme shijen e gjatë që ka lënë libri i parë i autorit, në konditat estetike dhe të strukturës së thellëpoetike me të cilën është ndërtuar poetika e esenciale e librit.

Poetit i duket se po e sheh hapësirën e para syve nga ballkoni i shtëpis së tij, pasi flet për gjëra gati “intime”për atë që bëhet fjalë. Ballkoni është një “receptim” i ngrohtë familjarë, i brenda shtëpisë. Një lartësi nga poeti Hasan Selimi sheh dhe mediton, përshkruan dhe vizaton pesazhin alpin si natyrë brilante, risjell prerjet e të “mbajturit” të jetës, rikonfirmon dashurinë dhe shenjtinë për të, përmes një qasje estetike, vërtetë të mrekullueshme për “objektin” që bëhet fjalë. Është bjeshka e lartë dhe prehëri i saj, janë malet dhe fushat e vogla, është e kaluara dhe ai “burri me mendje të harlisur nga dituria”, rrudhat e ballit, lodhja e dhimbja “me e mbajtë emrin”, pra, një sakrificë e zbuluar përmes simboleve dhe një sensi estetik, që zbulohet në raportet mes “masës” dhe “njësisë”.

Në të gjithë vizatimin e natyrës dhe përvijimit të psikologjisë njerëzore, ka një përshpejtim të bukur, për shkakun e thjeshtë, duket se të gjithë këtë “lartësi zotash”, këtë “tempull” e mban mbi shpinë bukuria e një çike. Prelude të tilla janë produkte të thella tëdashurisë së thellë njerëzore, që lidhet me ripërtritjen e jetës.
 
Zjerm fshati im

“Më duken si njëmijë vjet./ tash, që nuk dëgjoj piskamë./ Këtu në kullat e mia na Kasaj./ Janë ba shumë vjet, e nuk thërret kërrëkush./ O i zoti i shtëpisë, a don miq?/ Nuk ka mirë se erdhët, o burra!/ S’thuhet ma se:/ “shtëpia dhe buka janë të zotit e të mikut!”/ Nuk vjan ma komshia për mëngjes./ Kulaçin e çerepit ta ngjyejmë në lang djathi.”
“Tash sa mot nuk dëgjoj si/ kërcet luga në bludën e drunit të manit./ Pa merak, se pikë në tervesë maza zhagitet,/ për kah jeta, për kah përtritja.”

“Në katundin tim, tani nuk ka shtëpi pulash./ Gjeli si buelli lloçitet nën një drizë hije./ Ai si këndon, mëngjesit, as natës së lagun./ Pulat s’kakarisin në çufurrogun e voes.”
“Hana s’lpin me dardhën rroshullake./ Bjen në livadhe e në liqen si e hutueme./ Kthehet në dritaren time, në derë kurrë./ E lagune si për marre, qull, pik- pik skurrjeli.”
“Në fshatin tim macet nuk dalin ma në kojshi./ Gjahin e kanë harrue, presin një copë pa marre./ Qentë femra dashurohen diku larg./ S’kuptohen, veç kur dalin me klysh lareca.”

“Gardhiet nuk prishen asnjëherë./Nuk ka më lop të hazdisun kapërcimit t’i turret./ Teraku i kuq me balush s’turret as në lop udhëtare./ Shikoj hamshorin e tredhun pa le e më vjen me plasë.”

“Qajnë zogjët edhe për Omerin./ Tash sa mot kalbur në rudinat e lagta./ Një ditë vorri i Omerit qe ça./Dallëndyshja ndërtoi folenë me ashtin e tij.”
“Qyqe e Turrec këndojnë, pa u pa./ E nu pafshin kob ka, medet, murmuritin, grania./ Kosaçi në livadhe s’piskat kosës teh cokatun./ Bjeshka është shpërla, s’ka as ngjit e as djerg./ Mullini është tha, pastaj kalb. Atys’ka as bubrreca.”

“Ja ky është vendi im, dikur zjerm./ Çka është kjo s’dihet, kob lutem jo!”

Poeti duket se tregon nga një “konditë” e çuditshme shpirtërore e tij. Pavarësisht vargjeve të poezisë, që poeti duke “dëshmuar” një raport fondamental njerëzorë, që zakonisht janë vendlindjet, i ka dhënë asaj një frymë balade, por një balade të kënduar nga burrat. Baladat, që zakonisht i këndojnë burrat janë motivet kreshnike, Gjergj Elez Alia, përgjithësisht për ngjarje dhe kumte në të cilët ka kondita burrërore. Raportet e poetit Hasan Selimi me fshatin e tij, i cili vjen përmes një kumti të imët, në realitetin estetik, janë sjellëpërmes enumeracioneve kontekstuale, që nisin kah “njëmijë vjet”, e pastaj, që atëherë, aty ku “shtëpia dhe buka janë të Zotit e të mikut”,

ijnë në një përkujdesje sa mitike po aq reale. Poezia ka një fondament të thellë ekzistencial lëndorë, gati prej historik, qëHasan Selimi i bën të njohura përmes detajeve dhe kumtit të mungesës të tipit “tash sa mot nuk e dëgjoj...”, “nuk ka shtëpi pulash”, “macet nuk dalin ma në kojshi”, “gardhet nuk prishen asnjëherë”, pra, përmes asaj që nuk është. Këto janë pohime  në të vërtetë, por qëpoeti e ka zgjedhur mençurisht, për të imponuar një lloj pohimi iracional që ndodh për shkakun e një përjetimi të thellë të autorit.

Pavarësisht dukjet të mjedisi të caktuar, që realisht duket se është vendlindja e poetit, realisht është një shtresim i marrëdhënieve të njerëzve, kohës, gjendjeve, kodit njerëzorë me të cilët është mbajtur jeta. Në fund të fundit, poezinë nuk e kushtëzon bukuria përkundër peshës që atë e bën të qëndrueshme. Në një qasje të shkurtër, larminë që sjellin në raportet kumtuese dhe estetike poezia e Hasan Selimit, e bëjnë profilitetin e autorit të dukshëm, i cili duhet kuptuar dhe lexuar në rrafshet gjuhësore, që natyrshëm përmbushin marrëdhënien që ai ka me motivet e tij. Duke qenë i pazakontë në natyrën motivore, poezia e Hasan Selimit lexohet përmes nyjtimeve dhe fjalës, që zakonisht e bëjnë të pagabueshëm leximin drejt të poezisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat