Hasije Selishta Kryeziu fituese e çmimit mbarëkombëtar “Dr. Ibrahim Rugova”

Kultura

Hasije Selishta Kryeziu fituese e çmimit mbarëkombëtar “Dr. Ibrahim Rugova”

Nga: Adem Lushaj Më: 4 dhjetor 2016 Në ora: 19:27
Haki Rugova e Hasije Selishta Kryeziu

Në organizimin të Klubit Letrar “Podguri”, e të përkrahur nga Kryetari i Komunës, Haki Rugova, Istogu ishte për herë të dytë, vend takimi i shumë poetëve nga trevat shqiptare, duke iu përgjigjur Konkursit letrar që mbanë emrin e ish Presidentit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës. 

Siç bën të ditur, Nuradin Imeraj, kryesues i këtij aktiviteti letrar, ceremonia vlerësuese ishte mbajtur në hapësirat e sallës së Kuvendit Komunal të kësaj Komune, ku kishin marr pjesë artdashës të shumtë nga troje shqiptare, qoftë për të dëgjuar poezitë konkurruese, apo edhe si konkurrues për të marr çmimin tashmë tradicional “Dr. Ibrahim Rugova”.

Me pjesëmarrjen në këtë tubim letrar, pos kryetarit dhe nënkryetarit Haki Rugova dhe Lulëzim Blakaj,  kishte nderuar edhe, Flamur Gashi-Ambasadori këshilltar i Rajonit i Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani.

“Orës së madhe letrare ia rriten madhështinë poetët pjesëmarrës në konkurs të cilët me paraqitjen e tyre dinjitoze, ngritën lartë vlerën e çmimit prestigjioz " Dr. Ibrahim Rugova" dhe vet Presidentin Rugova”, është shprehur Imeraj, i cili ka njoftuar se, juria profesionale, Ana Kove, Adem Zaplluzha dhe Murteza Osëdautaj, në një konkurrencë të lartë, kishte vlerësuar për çmimin “Dr. Ibrahim Rugova”, poezinë  e të autores Hasije Selishta Kryeziu, të titulluar “Poezi”.

Pos poetes Hasije Selishta, janë shpërblyer edhe poetët Ali Berisha dhe Shefqete Gosalci për vlerësim të shpërblimit të dytë, si dhe Nikollë Loka për çmimin e tretë.

Gjithnjë sipas Imeraj, mirënjohje iu është dhënë edhe poetëve, Seveme Fetiqi-Gjermani, Vjollca Koni-Austri,  Ilda Shabani-Greqi, Ali Daci dhe Safet Hadrociq-Rozhajë, Rrustem Rugova, Ajet Bytyqi-post mortum dhe Erenestina Gjergji Halili-anëtare nderi i Klubit letrar “Podguri”.

                                 POEZI

Njërin sy bëje qiell e hapu, vargun hënor linde me diellin!
Tjetrin sy, bëje ujvarë, epjau erërave ta freskojnë zalisjen si shiu!

Bëhu gojë e thirr për paqe, deri në kupë të qiellit!
Në katër anët shkunde tokën e robëruar, ajrit ngritja flamurin e fitores!

Mos druaj nga të pagjumët, epjau fjalën se ata i venë gjuhën.
Hanë kohën si mollët për të shkurtuar pritjet.

Me yje ia vejnë syrin dhe një copë qiell në ballë,
I japin shpirt për ta derdhur nga ëndrra.

Me frymën e frymëve kalojnë pranë të çmendurve pa e prekur
dhimbjen e tyre, me zemër bjeshke lindin ëndrrën prej dielli.

Për fluturimin e fluturave, krahët e tyre ruajnë për vargje që ti vënë yllnajë.
E  po deshën, pijnë verë, dehen që të derdhin lotët nga shtamba.

Për të kënduar këngët e fatit në frymëzimin e pavdekësisë
Të puthë, aty ku kujtesa ka urë deri në përtej botë.

Lëshoje flokun tënd e bëhu rrugë, shtroje gjer te perenditë!
Bëhu hyjneshë e dashurisë e qeshu deri në marrëzi!

Zgjatu çerpikut të jesh e përditshmja lutje,
Në mjegullnajë, bëhu pusullë të gjesh diellin!

Në grushta mbaj ajrin, shpërndaje aty ku pritja e shpresa
Kryqohen në shtratin e Ajkunës për atdhe në shtrëngatë.

Merr veç një frymë për të rilindur
Për të gjetur të humburit e shuar, të zhdukurit e kërkuar!

Flokët nëpër tym mbuluar, varret e trimave zgjoi!
E shko silli të gjithë engjëjt për ta marë nuse lirinë!

Rrjedh posi lumi, dashuri si në ëndërr të gjithkujt, mos le qyqe
të këndojë në mjekrrën tënde të bardhë, falma ujin e jetës !

Të të dal përtej lëkurës, për të hyrë në mesin e lumnajës
Të rrjedh plagëve për t’i shëruar.

Kur ta ndalojnë fjalën në fyt, këpute dhe gjerdanin prej diellit!
Të lutem , mos më le, se të dua! Aq shumë të dua, sa dhe ti njerëzinë!

Hasije Selishta Kryeziu

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat