Poezi që shprehin botën e pasur krijuese të poetit

Kultura

Poezi që shprehin botën e pasur krijuese të poetit

Nga: Milazim F. KADRIU Më: 21 shtator 2016 Në ora: 16:49

Libri ”Mbetur në majë”, që ditë më parë u botua është  vëllimi i pestë me poezi i  poetit, Rrahim M. Sadiku. Ashtu sikur edhe në përmbledhjet e botuara më herët, poeti vazhdon të shpreh botën e tij të pasur krijuese, duke e pasuruar në brendi me tema e imazhe nga aktualiteti, me kujtime nga e kaluara dhe aspirata për të ardhmen.

Në këtë libër  janë të  prezantuara 60 poezi që janë  të ndara në gjashtë cikle (Vargu valë lumi, Edhe një jetë, Kokën nën gërshërë, Herët a vonë, Më merr e më jep, Kohë e vjedhur), por që të gjitha ciklet kanë një lidhmëni mes vete. Këto poezi janë poezi të sinqerta, poezi të  shpirtit, shpirtit  poetik, të qarta dhe të kuptueshme.

Duke ngarendur për ta zënë frymëzimin në kalim, në fluturim e sipër,Sadiku vazhdimisht e mbanë të zgjuar imagjinatën dhe arrin ta fokusojë motivin, ngjarjen, skicën, informatën, të cilën pastaj e kumton me vargje poetike, të skalitura artistikisht dhe të kuptueshme për lexuesit.

Rrahim M. Sadiku është i dashuruar përjetësisht me fjalën poetike. Ai tashmë është njëzuar me të dhe nuk shqitet dot nga ajo, sepse e ka zbuluar mënyrën më të pëlqyeshme për komunikimin me veten dhe lexuesin.

Bota poetike e Rrahim M. Sadiku  është e pasur dhe e begatshme si në perceptimin poetik të realitetit ashtu edhe të motiveve që trajton në poezinë e tij.

Poezitë e këtij libri sjellin një tematikë mjaft të gjerë, pothuajse nga çdo fushë, ato flasin për jetën, atdheun, dashurinë, ka përkushtime për personalitete të jetës kulturore... Heroizmi, qëndresa, patriotizmi në shumë poezi, tregojnë ndjeshmërinë  e poetit por ka edhe poezi përmes së cilave autori shpreh revoltën e tij. Në këto vargje na vjen një botë e tërë mendimesh, një botë e pashterur.  Se autori Rrahim M. Sadiku ka një qëndrim dhe unin e vet, e shpreh edhe në vargjet e tija.

Në poezitë e kësaj përmbledhjeje, poeti i ka kushtuar kujdes edhe gjuhës, stilit, shprehjes së qartë, mesazhit të motivuar dhe përgjithësisht ka arritur një nivel të lakmuar të diskursit poetik.

Poezitë e poetit Rrahim M. Sadiku dallohen sa për mendimin e thellë  e plot mesazhe aq edhe për formën e bukur artistike plot metafora dhe figura të gjetura letrare që i japin poezisë së tij një tingëllim të veçantë.

Në poezitë e tij Sadiku ka thënë gjithë atë që e preokupon, e madhëron, e sheh dhe e përjeton bukur.

Si titulli   ashtu   edhe   brendia   e   librit  përfaqësojnë     besnikërisht     përmbajtjen     dhe mesazhin   e  poezive, dhe mendoj  se libri do të  pritet mirë nga lexuesi ngase libri është shumë përmbajtësor dhe në nivel të lartë në artin e fjalës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat