“Eposi i kreshnikëve”, në UNESCO

Kultura

“Eposi i kreshnikëve”, në UNESCO

Më: 21 shtator 2016 Në ora: 16:09
Ilustrim

Pas polifonisë shqiptare, të regjistruar tashmë si vlerë e trashëgimisë jomateriale e mbrojtur nga UNESCO, është dorëzuar edhe dosja shkencore e projektit “Eposi shqiptar i kreshnikëve në 5 shtete të Ballkanit”, një projekt që përfshin një punë të gjatë të akademikëve nga Kosova dhe Shqipëria, prej 15 vëllimesh.

“Besoj se është një prej nismave më të rëndësishme shkencore që janë ndërmarrë në këto 10 vitet e fundit, për promovimin e vlerave themelore të trashëgimisë shpirtërore të shqiptarëve në programet e UNESCO-s. Në qoftë se, sikurse shpresojmë së shpejti, do të kemi të regjistruar edhe eposin, atëherë trashëgimia muzikore shqiptare me të dy dialektet e veta, polifoninë jugore dhe homofoninë veriore, është e përfaqësuar denjësisht”, shprehet studiuesi Shaban Sinani.

Kjo përpjekje sheshon edhe pretendimet e kahershme të akademikëve serbo-boshnjakë mbi eposin, thotë profesor Zymer Neziri.

“Bota nuk merret më me to. Shkolla serbe është shumë e dobët kur bie fjala për nacionalizmin. Por sot nuk kanë më fuqi të ngrejnë zërin, sado që gjetjet e kahershme flasin që popujt që jetojnë pranë njëri-tjetrit marrin dhe japin. Por ky është një epos origjinal shqiptar”, tha Zymer Neziri, studiues i Folklorit.

Dosja mbi eposin është vlerësuar me çmimin e Bashkimit Europian “Europa Nostra”, ndërsa tani vendimi për të kaluar pragun në UNESCO i mbetet diplomacisë.

“Vendimi përfundimtar për regjistrimin e një trashëgimie në UNESCO merret me votim në Asamblenë e Përgjithshme ku votojnë anëtarët e UNESCO-s. Kjo do të thotë se tani fillon një fazë mjaft e vështirë”, deklaroi Shaban Sinani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat