Poezi nga Qerim Zogaj

Kultura

Poezi nga Qerim Zogaj

Nga: Qerim Zogaj Më: 17 shtator 2016 Në ora: 13:32
Qerim Zogaj

Qeshja 

(fletëz ditari 24 korrik 2015)
Kam qeshur njëherë
Nga fillimi i njëherit që nuk mbaron

Fusha e male u lëkunden në nisje
Për të hyrë në qeshje këtë herë

Edhe tërmete e Suname të trishtër
Shkuan drejt qeshjes se maskat po bijën

Gjërat që asnjëherë nuk kishin lëvizur,
Për të hyrë në qeshje lëvizën, përtej kufirit të saj

Njësi të parregullta kudo u shpërndanë
pa njohur ligjet e lëvizjes në këto anë.

Qeshja ishte për të vetmen gjë
Për fjalën dhe ofshamën

Sa e dhimbshme qeshja -
Në pritjet e mbrëmjeve e rëndë pesha e saj.

 

 Shi e lule 

 

(fletëz ditari 27.korrik 2015) 

 

Kur nisem udhëve të mia 

Litar i pashkëputur 

Bie  shi  ditë e natë 

Mbi tokën e blertë 

E në shkretëtirë. 

Ujë i turbullt 

Rrëmbyeshëm vjen mbi udhët 

Fundos brigje e gjurmë 

Të gjitha para vetës i merr 

Dhe i shtyn në trishtim…

Shkoj kah e panjohura

  

Thellësia e ujit mbi udhë 

Udhëton me dritën 

Nën degën e qershisë së lulëzuar. 

 

Plagë e dhembje

(fletëz ditari 28korrik 2015)

 

Kur dielli perëndon,

Qielli shuhet ngadalë

Në zjarrin e përflakur

 

 

Dallëndyshet si në kob

Nisin lojën e vjetër

Të fluturimit lartë e poshtë

Nëpër qiellin

Si pikturë e arnuar

 

Festa zhurmon ndër mote

Me udhëtimet përtej deteve

Pa prekur ëndrrat dhe largësitë

 

Sa e venitur buzëqeshja

Nëpër plagë e dhembje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat