Në Etno Fest u shpalosën 15 vëllime të Eposit të Kreshnikëve

Kultura

Në Etno Fest u shpalosën 15 vëllime të Eposit të Kreshnikëve

Më: 17 shtator 2016 Në ora: 00:31
Etno Fest

Paraqitja e vlerave të Eposit të Kreshnikëve, monumentit më të madh të poezisë gojore shqiptare, pasqyrimi i veçorive të tij autoktone, si dhe dokumentimi i tij në UNESCO si vlerë sublime gojore e trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit vjen i përmbledhur në 15 vëllime të cilat i ka sjellë profesori Zymer Neziri, kësaj radhe në Etno Fest.

Realizimi i tij mundëson që ky lloj i epikës gojore të studiohet dhe opinionit shkencor e kulturor të botës t’i ofrohet për pranim si pasuri e përbotshme dhe si e tillë të njihet, si thesar botëror i kulturës.

Përurimi i 15 vëllimeve të projektit Eposi i Kreshnikëve në pesë shtete të Ballkanit, u bë në skenën me stande, ku Neziri shpalosi këto vëllime, ku grumbulloi dhe hodhi në letër me qindra mijëra vargje të epikave shqiptare.

Sipas Nezirit, Eposi i Kreshnikëve të Shqiptarëve jeton si vlerë etnokulturore e trashëgimisë shpirtërore, jo vetëm të Ballkanit por edhe të Evropës, pra është një vlerë universale e etnokulturës së njerëzimit.

“Sonte po prezantoj 15 vëllime. Në këto materiale është kryesisht kënga e Eposit të Kreshnikëve, e ciklit të Mujës e Halilit dhe janë këngë që ende kanë mbijetuar në fillim të këtij mijëvjeçari, ku nuk ka të tjera epose që kanë mbijetuar në Evropë, ky është eposi i fundit që ka mbijetuar. Ky epos paraqet edhe një realitet të trashëgimisë etnokulturore të Evropës”, tha fillimisht Zymer Neziri për KultPlus.

Pesëmbëdhjetë librat e prezantuar në këtë mbrëmje, ishin të ndara në vëllime, ku secili vëllim përfshinte një krahinë shqiptare deri në Maqedoninë Perëndimore. Në këto vëllime janë përfshirë gjithsej 440 këngë, 69 tregime, 100.002 vargje dhe rreth 65 mijë vargje xhirime me kamerë.

“Ftesa për promovimin e librave edhe në Etno Fest në ka gëzuar shumë dhe erdha me kënaqësi. Unë mendoj se ky festival do të shërbejë edhe si model që edhe në viset tjera të organizohet diçka e tillë sepse shqiptarët kanë nevojë për rrënjët e veta, që ato rrënjë t’i njohin e t’i ruajnë sepse me të vërtetë kemi rrënjë të lashta, jo vetëm në Ballkan dhe Evropë por jemi ndër popujt dhe kulturat më të moçme edhe botërore”, kështu vlerësoi Neziri në festivalin Etno Fest.

Këtë promovim pranë shtëpizës me pallzina, ulur në qylym dhe posteçi, e ka përcjellë edhe rapsodi Bajram Baja, me zërin e shahirit me sharki ku këndoi pjesë nga epika e Mujës dhe Halilit dhe tregoi se prejardhja e emrit Mujë është shqip nga fjala ‘mujs’ sepse ai i ka mujtë të gjithë në fushën e betejës, ka triumfuar mbi të gjithë.

Vlerësime të mëdha Neziri ka marrë edhe nga profesori David Elmer, nga Universiteti i Harvardit, Kembrixh, SHBA, i cili thotë që Neziri njihet si autoriteti kryesor i epikës shqiptare. “Projekti në shqyrtim, sipas mendimit tim, është më mbresëlënësi dhe më i rëndësishmi në arritjet e tij deri më sot. Projekti i Nezirit ka rëndësi të madhe, si për studimin e drejtë të epikës shqiptare, ashtu edhe për studimin e traditave epike evropiane në përgjithësi. Projekti ka qenë, që në fillim, mirë i planifikuar dhe i realizuar në përputhje me standardet më të larta shkencore”, tha në fjalën e tij David Elmer.

Ndërsa profesori Nicola Scaldaferri nga Universiteti i Milanos, Itali vlerëson Nezirin si një dijetar të njohur edhe në qarqet ndërkombëtare. “Numri i vëllimeve të parashikuara në fazën përfundimtare të këtij projekti, bashkë me koleksionin e librave që prof. dr. Neziri dhe Instituti Albanologjik kanë botuar që disa vite, tashmë përbëjnë një arritje historike, si për kulturën shqiptare ashtu edhe për studimet epike”, ka vlerësuar Nicola Scaldaferri.

Përurimi i radhës së këtij Eposi do të bëhet në Akademinë e Shkencave në Tiranë, këtë javë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat