Nuland-Mustafës: Demarkacioni me Malin e Zi hapë perspektiven eurointegruese të Kosovës

Aktuale

Nuland-Mustafës: Demarkacioni me Malin e Zi hapë perspektiven eurointegruese të Kosovës

Më: 10 korrik 2016 Në ora: 12:43
Pamje nga takimi Mustafa-Nuland

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim ndihmës sekretaren amerikane të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland.

Kryeministri Mustafa dhe ndihmës sekretarja Nuland diskutuan për zhvillimet në Kosovë, për bashkëpunimin dhe përkrahjen e mëtejme të SHBA-ve për Kosovën.

Në takim ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, zëvendës asistenti i sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-ve, Michael Carpenter si dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie.

Kryeministri Isa Mustafa, e njoftoi për progresin e arritur në proceset eurointegruese, në zhvillimin ekonomik dhe në fuqizimin e shtetit ligjor.

Kryeministri Mustafa foli edhe për proceset aktuale dhe për përkushtimin e institucioneve të Kosovës në adresimin e çështjeve të rëndësishme që lidhen me të ardhmen euroatlantike të Kosovës.

Në këtë kontekst, kryeministri Mustafa tha se institucionet e Kosovës, duke u bazuar edhe në përkrahjen e ofruar nga SHBA-të, do të adresojnë çështjen e demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, duke i hapur udhë lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës në vendet e BE-së.

Duke shprehur mirënjohjen e Kosovës për përkrahjen e ofruar për Kosovën, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e plotë për fuqizimin e partneritetit strategjik dhe bashkëpunimit ndërmjet SHBA-ve dhe Kosovës.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, theksoi interesimin që të punohet në riformatimin e Qeverisë, i cili do të përfshijë zvogëlimin e kabinetit, përfshirjen e njerëzve të rinj si dhe rritjen e efikasitetit dhe përshpejtimin e proceseve reformuese.

Ndihmës sekretarja Amerikane e Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, i përcolli kryeministri Mustafa përshëndetjet e presidentit Obama nga Samiti Varshavës.
Nuland, po ashtu, vlerësoi progresin e arritur, si dhe shprehu përkrahjen e mëtejme të SHBA për proceset në Kosovë.

Ndihmës sekretarja amerikane, theksoi rëndësinë e adresimit të çështjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi si një proces shumë i rëndësishëm për hapjen e perspektives eurointegruese të Kosovës.

Nuland gjithashtu vlerësoi reformat e ndërmarra në zhvillimin ekonomik, në luftën kundër terrorizmit si dhe shprehu përkrahjen për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” si dhe inkurajoi që të vazhdohet me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Image
Image
Image
Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat