Maliqi: Feronikeli, do ta përsërisë suksesin

Futboll

Maliqi: Feronikeli, do ta përsërisë suksesin

Nga: Kemajl Goca Më: 6 korrik 2016 Në ora: 17:44
Behar Maliqi

Kampioni i Kosovës, Feronikeli nga Drenasi, po përgatitet për edicionin e ri. Fillimisht stërvitjet me shumë janë të përqendruara në vrapime në drejtimin e kryetrajnerit Afrim Tovërlani. Synimi i klubit nga Drenasi është rritja e cilësisë së lojës dhe të tregojnë forcën e kampionit edhe në edicionin e ri në Raiffeisen Superligën e Kosovës. Kapiteni i klubit, Behar Maliqi, shprehet për gazetën kombëtare “Bota sot” se rrjedha e përgatitjeve shkon sipas planeve dhe beson se do të përgatiten maksimalisht deri në fillimin e garave. “Faza e parë është e mundimshme, për shkak se ka vrapime të thata më shumë. Është fazë që duhet më së shumti në futboll për më pas një sezon të mirë”, thotë Maliqi. Futbollisti thotë se kushtet janë të shkëlqyeshme për stërvitje. “Atmosfera e një kampionit është perfekte. Kushtet janë shumë të mira. I kemi dy stadiume për punë dhe të gjithë janë shumë të mirë”, theksoi ai. Kapiteni është i bindur se klubi do të jetë edhe më i fortë se në edicionin e kaluar. “Besoj se do të jemi më të fortë, sepse kemi ekipin e njëjtë dhe po ashtu goxha mirë jemi të përforcuar”, tha futbollisti. Feronikeli deri më tash është përforcuar me portierin Deniz Troshupa, me futbollistët Ahmet Halitin, Festim Krasniqin dhe Blerand Kurtishajn. Maliqi pret që të rritet niveli i futbollit në përgjithësi në edicionin e ri.  “Besoj se do të rritet niveli.  Sepse janë kthyer disa lojtarë në Kosovë që kanë luajtur në shtetet e jashtme dhe shpresoj se do ta rrisin nivelin e futbollit dhe besoj se ka me qenë më interesant”, tha ai.  A besoni do ta mbroni titullin. “Me këtë ekip besoj se po,  sepse edhe këta lojtarë që janë ardhur, është treguesi më i mirë se do ta përsërisim suksesin”, ka thënë Maliqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat