Sylejmani: Përfundoi një epokë e rëndë

Atletika

Sylejmani: Përfundoi një epokë e rëndë

Nga: Kemajl Goca Më: 30 qershor 2016 Në ora: 16:10
Halil Sylejmani

Atletët e atletet i kanë të hapura të gjitha dyert në garat e ndryshme ndërkombëtare!  Pengesa më e madhe për ta pa dyshim ka qenë pjesëmarrja në garat zyrtare ballkanike, sepse nuk ishin të anëtarësuar në Federatën Ballkanike të Atletikës, por kjo barrierë u hoq qafesh javën që e lamë pas. Halil Sylejmani, kryetar i Federatës Atletike të Kosovës, thotë për gazetën kombëtare “Bota sot” se sakrifica dhe mundi 25-vjeçar u kurorëzuan më në fund, sepse pas pranimit në Federatën Botërore të Atletikës (IAAF), Federatën Evropiane (EAA), tani janë edhe në federatën ballkanike. “Përfundoi një epokë e rëndë shumë nervore, me të gjitha pengesa, më në fund triumfoi Federata Atletike e Kosovës.  Bile ishim në një ambient të një shteti që nuk e ka pranuar Kosovën, Rumania. Delegatët e 17 shteteve u dakorduan që federata atletike të jetë e barabartë me federatat tjera ballkanike, dhe menjëherë na lejuan që me atletët tanë të marrin pjesë në garat zyrtare, në Kampionatin  Ballkanik për seniorë. Them të drejtën puna jonë, angazhimi ynë, sjellja jonë, edhe taktika tona së bashku me miq tjerë evropian e botëror, dhe direkt kryetari i federatës ballkanike, Dobromir Karamarinov,  pastaj Turqia dhe të tjerët kanë ndikuar që të jemi pjesë e këtij asociacioni. Një duel i vogël ka qenë kur përfaqësuesi i Bosnjës e Hercegovinës, që ishte jo kryetar federate, tha se e përcjell fjalën e kryetarit të tij që nuk e pengon pranimin e federatës tonë, por në një mënyrë mu duk se abstenuan. Nuk pasur asnjë kundërshtim të hapur, edhe pse kam pasur një frikë të jashtëzakonshme”, thotë Sylejmani. Ai tha se federata do të përfitojë me pranimin në EAB. “Federata do të ketë përkrahje në mënyra të ndryshme, ndoshta edhe materiale, dhe shkëmbim përvojash edhe me federata tjera, sepse bashkëpunimi është i patjetërsueshëm dhe pranimi i FAK-ut në Federatën Ballkanike është shumë më rëndësi, pasi që ne kryesisht do t’i bëjmë garat në Ballkan dhe në Evropës, kurse në Botë ka me rrallë gara. Ky është dallimi mes federatës ballkanike, evropiane dhe asaj botërore”, theksoi ai. “Kosova për herë të parë mori zyrtarisht pjesë në garat ballkanike dhe na nderoi prezenca e atletit të mirënjohur Musa Hajdari, i cili e zuri vendin e dytë në 800 metra dhe i solli medaljen e parë të argjendtë Kosovës, një rezultat i pamohuar”, thotë Sylejmani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat