Në rrugën e rilindjes së artit dhe kulturës në Berat

Art

Në rrugën e rilindjes së artit dhe kulturës në Berat

Më: 25 qershor 2016 Në ora: 15:40
Kalaja e Beratit

Muzeu Ikonografik Onufri, i përshtatur në ambientet e Kishës “Fjetja e Shën Mërisë” në Kalanë e Beratit, është një destinacion atraktiv kulturor, i cili i është nënshtruar restaurimit dhe rikonceptimit të mjediseve, si dhe është pasuruar me objekte të reja.

Salla e re e ekspozimit, tërësisht e restauruar, e çelur një muaj më parë, si dhe mundësimi i një audioguide në tre gjuhë, shqip, anglisht dhe italisht, janë risitë që muzeu ofron për turistët dhe vizitorët, gjithnjë e më të shumtë në numër, nga 7400 në vitin 2013, në rreth 25 mijë turistë në vitin 2015.

Koleksioni ikonografik është pasuruar me 20 ikona, të cilat u nxorën nga errësira e depove të lëna në harresë dhe u restauruan, për t’iu bashkangjitur 173 objekteve ekzistuese, ikona dhe objekte të tjera liturgjike dhe shërbese. Veprat u përkasin piktorëve ikonografë shqiptarë që kanë krijuar në shekujt XIV – XX: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpatarakut, Çetirët dhe të shumë piktorëve të tjerë anonimë.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro vizitoi mjediset e Muzeut dhe u takua me drejtuesin e Muzeut, i cili informoi mbi punën e realizuar aty.

Kumbaro u shpreh se objektet e ekspozuara për herë të parë për publikun, kanë një vlerë të madhe kulturore, por që fatkeqësisht ishin lënë prej vitesh në errësirën e depove.

“Ne gjetëm këtu në magazinat e Drejtorisë Rajonale një sasi shumë të madhe ikonash. I morëm dhe pastruam, depon e kthyem në laborator restaurimi. I morëm restauratorët në punë se i kishin hequr dhe në këto dy vite kemi nxjerrë rreth 20 objekte ikona, të cilat janë restauruar nga e para dhe shfaqen për herë të parë për publikun në pavionin e ri të muzeut.”

KryeministriRama, i shoqëruar nga Ministrja Kumbaro vizitoi Kishën e Shën Triadhës dhe mjediset e brendshme ku po vijon puna restauruese.

Pas më shumë se 36 vitesh, nga ndërhyrja e fundit restauruese, në Kishën e Shën Triadhës në Kalanë e Beratit, ka përfunduar rikonstruksioni i jashtëm i saj dhe i çatisë së kupolës. Ky monument i rëndësishëm kulturor i cili daton në fund të shekullit të XIII, fillimit të shekullit XIV, iu nënshtrua një projekti restaurues të studiuar dhe miratuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës.

Me restaurimin e bërë, dhe materialet cilësore të përdorura për këto ndërhyrje, çatia e kupolës së kishës është tërësisht e rindërtuar dhe e mbrojtur, duke ruajtur në të njëjtën kohë elementët origjinalë të pamjes së saj. Paralelisht ka përfunduar hartimi i projektit të konsolidimit të afreskeve në pjesën e kupolës dhe në pjesën rreth tamburit cilindrik. Ndërsa pas miratimit të projektit të specialistëve të sektorit të artit do të nisë puna edhe për konsolidimin e pikturës murale në këtë monument me vlera të rralla për trashëgiminë tonë kulturore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat