Drejtori i Zyrës serbe për Kosovë, Marko Gjuriq e ka konfirmuar letrën dërguar kompanive të përfshira në konsorciumin për Brezovicën.
Gjuriq ka theksuar se kërcënimet e vetme vijnë nga autoritetet e Prishtinës, të cilat, sipas tij, publikisht janë kërcënuar se duan ta uzurpojnë pasurinë serbe.
"I vetmi kërcënim që ekziston është kërcënimi i thënë publikisht për pasurinë tonë në Brezovicë. Ata na janë kërcënuar hapur se po e uzurpojnë pasurinë tonë në Bezovicë", ka thënë lidhur me letrën që Gjuriq ua ka dërguar investitorëve potencialë.
Sipas tij, investitorëve u është thënë se duhet të flasin me Serbinë për Brezovicën.
"Ne vetëm i kemi njoftuar investitorët potencialë se investimet janë të mirëseardhura, porse për investime duhet biseduar me pronarët e jo me ata që duan të uzurpojnë pasuri”, ka thënë Gjuriq për mediat serbe.
Gjuriq e ka konfirmuar edhe kërcënimin me padi. Ai ka thënë se bisedimet me ata që duan të uzurpojnë pasurinë e huaj janë të pakuptimta dhe se investitorët në këtë rast do të binin pre e ligjeve, vendore dhe ndërkombëtare.