Rruga e vjetër e veriut, pa makina dhe turistë

Opinione

Rruga e vjetër e veriut, pa makina dhe turistë

Nga: NDUE DEDAJ Më: 11 qershor 2016 Në ora: 18:08
NDUE DEDAJ

Deri para shtatë vitesh ishte ajo “rruga e kombit”, edhe pse nuk thirrej kështu, e vetmja nëpër të cilën mund të shkohej në Kosovë e më tej. E njohur ndryshe dhe si rruga e “Qafës së Malit”, është kredhur e gjitha në heshtje. Gjurmët e së djeshmes janë të pakta, ato më shumë i përkasin kujtesës së mijëra njerëzve që e rrahen atë me ditë e me net, për disa dhjetëvjeçarë, duke mbetur rruga veriore e shekullit XX. Ajo ngjitet nga ultësirat e fundme në maja dhe prapë ulet e ngrihet grykave, përshkon tërthoret që nuk mbarojnë nga Fushë-Arrësi në Fushë-Dukagjin të Kukësit. Ndër shenjat e fundit të saj janë grafiti “Kosova” mbi një krua në Shënmri, një lapidar i dy luftëtarëve të UÇK-së në Kalimash etj.

Edhe pse mjetet nuk rrugëtojnë më andej si dikur, pasi i bihet nga Rruga e Kombit, edhe pse është shndërruar në një rrugë “ekzotike”, ju ftojmë të veni dhe ju kur ta keni të mundur, jo thjeshtë për nostalgji e bukuri natyrore. Ndoshta nën hapat e sytë e njerëzve rruga e vjetër do të rinisë të gjallërohet, duke sjellë përpos kënaqësisë dhe “bereqet”. Koha e saj e mundimeve ka kaluar. Qafa e Malit dhe të gjitha bjeshkët rretheqark janë shndërruar, nga pyje përrallore pishe, bredhi e ahu në kullota dhe ky është një shformim i ekosistemit të lartësive alpine. Paçka se përqindja e smogut në lendinat e këndellura në blerim është zero e s’ka dhe një thërrmizë pluhur, nëpër kthesat marramendëse që s’dinë të mbarojnë si lakadredhat e gjarprit s’flet lirisht në telefon, pasi shpesh mungojnë valët. Nuk ka mjaftueshëm as internet, dhe pse përgjatë rrugës një shirit asfalti i zi tregon se poshtë tij është shtrirë kabulli.

Janë vetëm katër-pesë “stacione” ku mund të qëndrosh apo të vështrosh diçka të re, të kohës, si stabilimenti i ujit “Lajthiza”, ku dukej se kishte përfunduar një investim dhe makinat që hynin e dilnin në fabrikën e ujit, një resort turistik modest, por që e bën të veçantë trofta e rritur me njërin nga ujërat më të mirë të vendit, ndaj dhe ka një shije si të koranit të Pogradecit. Nuk është reklamë kjo, jo vetëm se nuk kemi një synim të tillë, por veprave që rizgjojnë malësitë në një kontekst të ri social-ekonomik, ia vlen t’iu bëjmë “reklamë” të gjithë, gjersa njerëzit ta kenë kuptuar se po vonohemi shumë në kthimin e maleve tona në shtëpi të turizmit, në hambar të ardhurash dhe të mirëqenies. Vërtetë nuk ka makina sa do të duhej, ama pamë dhe turistë amatorë të motoçiklizmit, çka do të thotë se vizitorët janë pas dere. Të mbash “leksion” për rëndësinë e maleve, kjo ndodh vetëm në një vend si yni, ku njerëzit janë dashuruar marrëzisht pas “kënetave”, siç thonë ata me ironi për veten.

Në Shënmri duhet t’i falenderohesh një kupe me qershi bio, nga ato që në pazaret tona i gjen rrallë e për mall. Njerëz të besimit mysliman të urojnë rrugëtim të mbarë, nën bekimin e kishës së Laçit (mbase ngaqë ka qëlluar e marta e fundit e Shnandojt) dhe ti e miqtë e tu iu uron atyre muajin e ramazanit, që sapo ka nisur. Është vërtetë prekës një detaj si ky mes njerëzish të saponjohur, në ato kreshta mahnitëse me të vetmit padronë, diellin në verë e borën në dimër, ndërkohë që ka hipokrizi në përshëndetjet e politikanëve para selive fetare në Tiranë, sa herë ka festa të besimtarëve.

Rasti e ka sjellë të ndodhemi në një “ngjarje”, nga ato për të cilat shoqëria jonë ka nevojë si për ajrin e bjeshkëve. Ermali, që ka jetuar shumë vite në Itali dhe tani është kthyer në vendlindje e ka hapur një biznes turistik në zonën e Kthellës (Thkellës), ka ardhur të rinjihet me njerëzit që e kanë strehuar një natë të vështirë të vitit 1997, kur ai me shokët e tij të repartit ushtarak po marrshonin në këmbë nga Borja e largët e Kukësit për në Fushë-Arrës e me poshtë. “Na keni sajdisur me çorape të reja, na keni pritur me bukë e kripë e zemër, si dhe “reçel ftoi”, iu kujton ai detaje mikpritësve të tij të asaj nate me këmbët gjak, kur pas tyre ia kishte behur dhe një “skuadër” tjetër ushtarësh, gjithastu të cfilitur e pa bukë. Ja, për “pak” mirënjohje ka marrë ai rrugën prej larg dhe tashmë janë ata njerëz të emocionuar që i janë mirënjohës atij për ardhjen në votrën e tyre bujare.

Në Kalimash njeriu verën dy pamje kontrastuese, një vajzë të vogël që bashkë me të vëllanë kishin dalë në rrugë për të shitur një shportëz me mana të kuq të freskët dhe miniera e kromit në shpatin e malit ku dikush apo disa pasurohen. Nuk dimë asgjë për këtë minierë (vite më parë aty kanë vdekur minatorë si në Bulqizë), diçka na step që të trokasim për të marrë informacion, mbase ngaqë minierat në këtë kohë janë të paragjykuara, për standardet e munguara, aksidentet e pandalshme, keqpagesën e punëtorëve etj. Ndërmarrje të tilla me sipërmarrës të huaj apo vendas janë hermetike për gazetarët, të fshehura nga kamerat, ato bëhen lajm vetëm kur ndodh ndonjë e keqe në galeritë e tyre. Por të vijojmë më tej rrugën nëpër udhën që fatmirësisht nuk është e dëmtuar, përpos se në dy-tre vende ku ka patur shembje të vogla anësore, dhe me siguri mirëmbajtësit i kanë vënë në dijeni shefat e tyre për të ndërhyrë. Kështu kemi mbërritur në Fushë-Dukagjin, ku tashmë është austostrada që e ka fjalën. Makinat me pushtetarë kalojnë pa e kthyer kryet nga rruga e vjetër, fshtrat që kanë mbetur në vetmi, dhe pse pjellorë e tërheqës në anë të Drinit liqe. Vetëm kur ndërmerr rrugëtime të tilla e kupton se sa të braktisura janë malet shqiptare, se politikat për zhvillimin rural nuk kanë sjellë thuajse asgjë. Duhen përgëzuar ata pak njerëz që e mbajnë gjallë jetesën atje, që nuk i kanë lëshuar trojet e të parëve, bashtinat, pemët, gjënë e gjallë, peshkimin në liqenin e Fierzës, mirëmbajtjen e rrugëve etj.
Ajo që të bie në sy pas mugesës së makinave, është mungësa e dhive. Në Has, matanë Drinit, vetëm tridhjetë kilometra më përtej, organizohet festa tradicionale e dhive, kurse në gjithë ato male që përndahen mes Pukës dhe Kukësit nuk të zë syri tufa e nuk të dëgjon veshi kumborë, apo të lehura qenësh, nuk del tym në stane. Doemos që ne nuk ishim për ndonjë “inspektim”, as nuk iu drejtuam zyrave përkatëse, ngaqë nuk besojmë dhe aq në seriozitetin e sotëm bujqësor dhe blegtoral, përpos se në zona ku ka traditë si Hasi, apo Dukati në rastin e dhive. Mund të jenë dhënë kredi, të raportohen shifra tufash, projekte shoqatash të huaja, ama pamja që të shfaqet nuk të bind se ka një realitet të dëshirur në blegtori. E, pra, kafenetë e ish-qendrave komunare apo ato të qytetit të Kukësit ishin deng me njerëz, si kudo tjetër në atdheut tonë të “lulëzuar” kapitalist, ku në vendet e epërme politikës askush nuk ia vë veshin, ajo iu duket si një gjë që luhet jashtë tyre, që më shumë i shohin sherrin, pasi vjen e iu shterr burimet e ujit si kuçedra e legjendës. Vetëm fushatat zgjedhore e “zgjojnë” vetëdijen e mykur zyrtare të Tiranës drejt këtyre njerëzve fisnikë në zgrip të mbijetesës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat