Provimi i maturës vlerësohet si i suksesshëm

Kosova

Provimi i maturës vlerësohet si i suksesshëm

Më: 4 qershor 2016 Në ora: 15:16
Konferencë për media

Sipas raportimeve nga komunat dhe të gjitha qendrat e testimit, Komisioni Shtetëror i Maturës (KShM), në një konferencë për media, e ka vlerësuar shumë të suksesshëm procesin e mbajtjes së pjesës së parë të Provimit të Maturës Shtetërore 2016 – afati i qershorit.

Kryetari i KShM-së, z. Azem Guri tha se, sipas informatave të deritanishme, rezulton se ky proces ka shënuar progres në raport me vitet e kaluara. “I tërë procesi ka shkuar sipas planit të paraparë, gjë që dëshmon përkushtimin e Ministrisë për administrim korrekt e ligjor të një procesi kaq të rëndësishëm si Matura Shtetërore. Definitivisht, sipas të dhënave zyrtare nga të gjitha komunat, ky është organizimi dhe administrimi më i mirë i Maturës Shtetërore", tha ai.

Sipas kryetarit të KShM-së, Komisioni është shumë i kënaqur me nivelin dhe përgjegjësinë e dëshmuar nga të gjithë akterët e përfshirë në këtë proces. “Jemi të bindur se vetëm në këtë mënyrë, ne do të arrijmë që ta ngrisim cilësinë e arsimit në Republikën e Kosovës dhe të jemi konkurrentë në tregun e dijes”, tha ai.

KShM, tha z. Guri, në ditët në vazhdim, bashkë me përpunimin e rezultateve, do të bëj një analizë të plotë për gjithë procesin në funksion të përmirësimit eventual të ndonjë lëshimi të evidentuar, në mënyrë që në pjesën e dytë të testimit të kemi standard akoma më të avancuar të administrimit të Testit.

Z.Guri falënderoi të gjithë administruesit, mbikëqyrësit dhe monitoruesit që janë përkujdesur për mbarëvajtjen e këtij procesi, përfshirë kryetarët e komunave, drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit, drejtorët e shkollave, Policinë e Kosovës, Këshillin Rinor, Këshillin e Prindërve, si dhe platformën Kallxo.com për monitorimin e mbarëvajtjes së Provimit të Maturës Shtetërore.

Kryetari i KShM-së falënderoi në veçanti mediat, të cilat kanë përcjellë te publiku gjatë gjithë kohës organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit të Maturës Shtetërore.

MAShT dhe KShM i ka përcjellë nga afër rastet e izoluara të tentimit për kopjim dhe janë ndërmarrë masa dhe veprime të menjëhershme ndaj të gjithë atyre që kanë tentuar ta dëmtojnë këtë proces.

Provimit të Maturës Shtetërore 2016, sot i janë nënshtruar rreth 30 mijë maturantë, në 252 qendra të testimit, ndërsa për administrim janë të angazhuar rreth 3 mijë zyrtarë, ndërsa pjesa e dytë e testit për afatin e qershorit, do të mbahet më 18 qershor 2016.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat