“Çimka” në zyrën e Tahirit, zbulohen gjurmë gishtash

Shqipëria

“Çimka” në zyrën e Tahirit, zbulohen gjurmë gishtash

Më: 3 qershor 2016 Në ora: 16:28
Saimir Tahiri dhe Edi Rama

Prokuroria e Tiranës i ka deleguar Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, kryerjen e disa veprimeve hetimore për pajisjen e përgjimit të gjetur në paradhomën e Zyrës së Ministit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Nga kqyrja e parë që i është bërë aparatit përgjues janë gjetur disa gjurmë gishtash.

Aktualisht, pajisja gjendet në laboratorin e Policisë Shkencore, ku do të punohet për të verifikuar se kujt i përkasin gjurmët.

Burime nga grupi hetimor thanë për Televizionin Klan se, pajisja e gjetur është një përçues analog i përgjimeve ambientale.

Pjesa tjetër e pajisjes, ajo që kryen regjistrimin, nuk është gjendur ende dhe hetuesit thonë se do të jetë mjaft e vështirë që të identifikohet vendndodhja e saj.

Specialistët presin që, nga kryerja e ekspertimit të pajisjes të gjejnë sa është distanca e valëve të përgjimit dhe sa ka qenë jetëgjatësia e baterisë, për të kuptuar se për sa kohë ka funksionuar ajo.

Ditën kur u gjet, pajisja ishte e fikur pikërisht pasi i kishte mbaruar bateria.

Ajo është parë nga sekretarja e Ministrit të Brendshëm, në afërsi të grirëseve të letrave.

Zbulimi ka alarmuar admnistratën dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme ka bërë menjëherë referimin në Prokurorinë e Tiranës.

Disa zyrtarë e punonjës të Ministrisë së Brendshme do të thirren në Prokurori, për t’u marrë në pyetje për këtë rast.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat