Gëzuar mal me borë mes mjegullave

Kultura

Gëzuar mal me borë mes mjegullave

Nga: NGA KALOSH ÇELIKU Më: 19 maj 2016 Në ora: 11:00

Edhe, mjetet e informacionit: gazetat dhe portalet elektronike më shurdhuan nateditë plot shkrime “eksluzive” politike: Kryqi në Butel ka leje të ndërtohet, hesht BDI, LSDM do hedhë “bomba” të reja (?!), Hajredini godet Xhaferrin: BDI shërbetore e kapur nga Gruevski, Shtohen kërcnimet ndaj Fatime Fetait, ALFAT ruajnë familjen e saj, “Bomba” e historianit maqedonas: Islami në Maqedoni nuk është përhapur me dhunë, Ja dallimi mes “revolucionit laraman” dhe “revolucionit kuq e zi” ...

Amani, mjaftë më me këtë gazetari e “analiza politike” katundi, dilni pak edhe nga Qyteti i bërllokut, maleve e fushave! Majat me mjegulla të Katundit Madh. Livadheve e arave, sesi: rritet kungulli në mes të Kopshtit, shalqini, speci, patlixhani (domatja), qepa e patatja!... Pse jo, edhe matanë kufinjve politik, majave të maleve me teleferik ku e prekin qiellin mes mjegullave: shiut, borës dhe shkopinjve të akullit nën çati.

Ditë më parë, në organizim të Shoqatës Humanitare “Cërvica” me seli në Zvicër, (Cyrih), marr një ftese për Manifestimin e dhjetë Jubilar “Cërvica e bashkuar 2016”. Thashë me vete, në stilin e Nolit Madh, në Amerikë: Mbahu Kalosh, mos ki frikë, se i ke djemtë në Cërvicë!...

Përçudi, në Manifestimin e sivjetmë jubilar morën pjesë qindra cërvicas që jetojnë dhe punojnë në Zvicër, që për dallim nga vitet e kaluara numri i pjesëmarrësve ashtu siç e thanë edhe vetë organizatorët, ishte shumë më i madh.
Programi Artistik, me këngë të kënduara nga Duli i Cërvicës, Leonida Marjakaj dhe këngëtarë tjerë, me valle e humor të përgatitur nga anëtarët e ShH “Cërvica” dhe Grupi Shkëndia Cërvicë, u shoqërua me këngë, valle, humor e recitime në Restorantin “Villa Miami”, në Glattbrugg të Cyrihut.

Në këtë Manifestim kulturor jubilar, që sivjet shënonte dhjetëvjetorin e themelimit, të pranishëm ishin edhe Kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, kryetari i Shoqatës Kulturore “Kërçova” në Zvicër, Gafur Sherbeti, kryetari i Bashkësisë Lokale të fshatit Cërvicë, Adil Xhambazi.

“Manifestimi ka si qëllim bashkimin, për afrimin si dhe nxitjen e aktiviteteve të përbashkëta të bashkëvendësve këtu në Zvicër. Ishte një ide brilante e paraardhësve tanë që vendosën ta mbajnë takimin e parë të Cërvicasve, në Maj të vitit 2007. Duke e parë vlerën si dhe frytet e këtij takimi, për çdo vit radhazi vazhdoi të krijohet mbajtja e këtij manifestimi. Për këtë vlerë që na u trashëgua, do doja në këtë rast të falënderoj nga zemra aktivistët e palodhshëm të shoqatës Cërvica, që për çdo njëri tashmë janë të njohur. Gjithashtu falënderoj të gjithë sponsorët e manifestimit që me vite radhazi nuk mungon përkrahja financiare për ta realizuar një manifestim të tillë”, deklaroi kryetari i Shoqatës Humanitare “Cërvica”, Bukurim Xhaferi.

Në fjalën e tij, kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari tha, se: llogaridhënia para banorëve të Cërvicës do të vazhdoj të jetë pjesë e punës dhe aktivitetit të tij. “Me këtë rast, do të filloj të uroj që nga themeluesit e shoqatës “Cërvica”, pra të parët e asaj shoqate dhe deri në momentin që tanimë festoni dhjetëvjetorin jubilar të shoqatës, anëtarët e rinj dhe kryetarin e saj Bukurim Xhaferi, për punën e mrekullueshme dhjetëvjeçare që e keni bërë për të gjitha aktivitetet tuaja, si për vendlindjen Cërvicën, poashtu për Kërçovën por edhe më gjerë. Jo rastësisht në një paraqitjen time diku në Kërçovë, apo në Cërvicë e kam thënë kështu: Sikur të ishte Kërçova një shtet i vogël, kryeqyteti i saj do të ishte Cërvica. Këtë e dëshmoni vazhdimisht, do ta them gjithmonë në vazhdimësi me që jeni shembulli më i mirë i humanitetit, i patriotizmit, i sakrificës dhe i çdo të mire që i bëhet jo vetëm komunitetit, jo vetëm Cërvicës por edhe mbarë shqiptarisë. Do ta marrim si shembull gjithmonë punën tuaj, organizimin tuaj dhe humanitetin tuaj. Do mundohesha të jem siç jam përpjekur edhe brenda këtyre tre viteve, të jem pjesë zhvillimit të vendit, jo vetëm të Kërçovës, por edhe Cërvicës, siç tani në mesin tuaj jam jo vetëm për tu çmallë, por edhe natyrisht mbi të gjitha për të dhënë llogari para jush ashtu siç i ka hije një politikani, apo një të zgjedhuri të popullit. Pra, llogaridhënia para jush do të jetë pjesë e punës time në vazhdimësi. Tani do të jeni edhe ju dëshmitarë bashkë me Bashkësinë Lokale atje, por me Bashkësinë Lokale në veçanti tuajën këtu në Zvicër, me Shoqatën, ne Cërvicën dita - ditës po e zbukurojmë më shumë, ashtu siç përmenden parafolësit që t’i ngjajë sadopak vendit ku jetoni këtu. Edhe njëherë duke i dëshiruar punë të mbarë shoqatës, juve, familjeve tuaja, ju falënderoj duke ju premtuar se do të vazhdoj të jem prezent në çdo vend dhe aty ku ka nevojë çdo shqiptar, e në veçanti njerëzit më të dashur, më besnik për mua dhe njerëzit që dua tu jap më shumë llogari për mua Cërvica, siç e kam thënë gjysma e pjesës sime dhe do vazhdoj të përpiqem të jem gjysma e pjesës suaj”, tha në fjalimin e tij para të pranishmëve, kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari.

“Ne si Bashkësi Lokale e fshatit Cërvicë, ju falënderojmë juve gurbetçarëve që keni qenë mbështetës gjithmonë për ne, për fshatin tuaj dhe për vendlindjen tonë të përbashkët. Me Shoqatën Humanitare “Cërvica” kemi bashkëpunim të frytshëm, në Cërvicën tonë të përbashkët kemi realizuar disa projekte dhe vazhdojmë të realizojmë edhe projekte tjera që ta bëjmë Cërvicën moderne që kur ju të vini atje t’u duket sikur jeni këtu”, tha kryetari i Bashkësisë Lokale të fshatit Cërvicë, Adil Xhamazi.

Pas pak kohe, para të pranishmëve foli edhe kryetari i Shoqatës Kulturore “Kërçova”, në Zvicër, Gafur Sherbeti: “Ju e dini se sfidat e njeriut, sidomos të ne kërçovarëve po ndryshojnë dita në ditë, dhe ne duhet ato sfida t’i ndjekim. Duke e ditur se prej kujt vendi vijmë dhe si t’i ndjekim ato sfida. Ne si shoqatë e porsazgjedhur, jemi të vendosur të punojmë në bashkimin e shqiptarëve në Zvicër dhe të gjitha shoqatave tjera. Ne, në këtë drejtim kemi nxitur shumë aktivitete të cilat tashmë janë tradicionale, siç e dini Manifestimi i Nëntorit dhe Turniri i futbollit. Ne si shoqatë e posazgjedhur kemi filluar edhe me një aktivitet të ri, ai është simpoziumi i mjekëve kërçovar i cili para një jave filloi punimin e vet dhe në bazë të rekomandimeve dhe sugjerimeve tona është shumë i suksesshëm dhe në këtë drejtim do të vazhdojmë me punën tonë”, tha kryetari i Sh H “Kërçova”, Gafur Sherbeti.

Gjithashtu, në këtë manifestim jubilar kulturor - humanitar, mori pjesë edhe shkrimtari i mirënjohur me prejardhje nga Cërvica, Kalosh Çeliku, i cili shoqatës i dhuroi pes libra të tij më të ri në poezi e prozë, botuar kohën e fundit.

Drejtuesit e Shoqatës Humanitare “Cërvica”, në Zvicër, për themeluesit e shoqatës, për të diplomuarit e fundit nga ky fshat, për mbështetësit dhe për mbi 50 sponsorë ndanë dhurata simbolike. Në fund, u ndanë edhe tre dhurata për fituesit e lojës shpërblyese.

Ditën e nesërme, autori i këtij reportazhi doli në mal. Vetë i dyti me nipin e tij me teleferik u ngjitën majave me mjegull, akull dhe borë. Papritmas, iu kujtua kënga folklorike e Dervish Shaqës me çifteli për Kosovën: Kur ta ktheva Kosovë shpinën, e lash verë, e gjeta dimër. Herë pas here me telefonin celular shkrepnim edhe ndonjë fotografi. Dikur, edhe u ulëm për t’i rrokullisur birrat e ftohta akull. Restoranti gumzhinte si zgjoje bletësh nga turistët e shumtë nga e gjithë bota.

Koha, veç më afrohej për të zbritur nga mali në fushë, maja me mjegull ku bora e zinte borën. Teleferiku i madh vinte e shkonte çdo pesëmbëdhjetë minuta. E disa kilometra më poshtë rrëpinës, vinin e shkonin njëri pas tjetrit ato të vogëlit me nga katër vende në kabinë. E zumë së pari të madhin në pusi, e pas një kohe ato të vegjëlit.

Rrugës qiellore, teposhtë nga majat i bëmë dhe disa fotografi të shtëpizave malore dhe qytetin me liqenin, që nga larg dukej si në pasqyrë. Mjegullat, akullin dhe borën i lam atje, lartë mes reve. Diellin, atë ditë nuk e pamë në qiell.

Poshtë, në qytet na priste një shi pranvere. E morëm makinën nga parkingu dhe dolëm matanë liqenit, në breg mes gjelbërimit dhe luleve. Edhe këtu, në pusi na pritën birrat kokë më kokë si në Katund, të cilat i rrokullisëm bythekrye mbi tavolinë.

Gëzuar mal me borë, verë e dimër: atje, mes mjegullave!...

Lodra kërçovare, edhe në Lucern të Zvicrës e jep kushtrimin e mejdanit...

Radhën pas valles mejdanit, e ka vallja e cucave kërçovare me dajre…

Djem e cuca ia thanë këngës popullore në mes të Zvicrës…

Kryetari i Komunës Kërçovës, Fatmir Dehari i përshëndet cërvicasit, në Cyrih.

Nusja me kësulë të bardhë, krah për krahu me dhëndrrin në dasmën kërçovare.

Djemtë dhe cucat e Cërvicës, hedhin me shami vallen kërçovare...

Duli i Cërvicës me grupin e tij me çifteli, ndezi sallën festive, në Cyrih (Zvicër)…

Humoristi cërvicas (pasardhësi i Xha Derallës) me kësulë të bardhë e setren krahëve, i priti mysafirët te “Ureja”, para portës të Xha Mazllëmit...

Djem e cuca me veshje kombëtare hedhin valle, si dikur moti në Katund.

Majë malit të lartë 2.300 m. mes mjegullave, akullit dhe borës në Pilatus (Zvicër).

Përpara hartës në Pilatus (Zvicër), majë maleve me mjegull, akull dhe borë.

Gjatë një pushimi me birrën përpara, në restorantin e Pilatus (Zvicër).

Shkopinjt e akullit nën çatinë me mjegull si dikur në Katund, në Pilatus (Zvicër)...

Zbritja me teleferik nga majat e larta me borë, akull dhe mjegull në breg të liqenit.

Dolli me nipin edhe me nga një birrë pranë Urës Drurit, në Lucern (Zvicër).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat