Vizitat në Muzeun e Kosovës ende konsiderohen ekskursione (Foto)

Kultura

Vizitat në Muzeun e Kosovës ende konsiderohen ekskursione (Foto)

Më: 18 maj 2016 Në ora: 11:31

Me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e muzeve në zhvillimin e shoqërisë, Muzeu i Kosovës po shënon sot Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, me disa aktivitete të ndryshme, nën emërimin “Muzeu360°”, që përfshijnë të gjitha moshat.

Në hapjen e aktiviteteve për shënim të kësaj dite, drejtori i Muzeut të Kosovës, Skender Boshtrakaj, tha se qëllimi kryesor i aktiviteteve të sotme është krijimi i partneritetit të qëndrueshëm me fëmijët dhe të rinjtë.

Boshtrakaj: Qëllimi jonë është kthimi i misionit të muzeut te fëmijët

“Muzeu i Kosovës e ka për qëllim kthimin e misionit të vetë kah fëmijët dhe të rinjtë në rend të parë, pastaj një hapje shumë më të madhe për akademinë, studiuesit e rinjtë, posaçërisht studentët e fushave të përafërta me muzeun, muzeolinë, si dega e antropologjisë, arkeologjisë, historian, artisë dhe pastaj edhe vizitori për kategori e rëndësishme, po them unë, grupi i tretë për ne....Do të thotë qëllimi jonë është jo vetëm për të shënuar ditën e muzeve, por të krijojmë partneritete të qëndrueshme me fëmij ët dhe të rinjtë”, tha ai.

Derisa tha se shumë asetet të trashëgimisë kulturore të Kosovës nuk janë trajtuar me vite, Boshtrakaj shtoi se vizitat në muze ende konsiderohen turistike dhe ekskursione.

Boshtrakaj: Vizitat në muze ende i konsiderojmë ekskursione

"Ende funksionojmë më një logjikë kabinetike ose vizitat nëpër lokalitete dhe muze i konsiderojmë turistike, ekskursione. Unë do të doja që institucionet edukative dhe arsimore të fillojnë të punojnë me tema, unë e lakmojë ditën kur vetë të rinjtë vijnë me një temë të caktuar në muze dhe e kalojnë një orë ose dy me qëllim të asaj teme, e jo vetëm për të bërë selfie”, tha ai.

Ndërsa, koordinatorja e aktiviteteve të sotme të Muzeut të Kosovës, Alisa Gojani – Berisha tha se duhet të shihen forma të reja të prezantimit të Muzeut të Kosovës , e jo të vazhdohet me format klasike.

Gojani – Berisha shtoi se Muzeu i Kosovës duhet të bëjë më shumë për promovimin e tij dhe në mënyrë që të bëhet sa më i përshtatshëm për vizitorët.

Gojani – Berisha: Muze duhet të promovohet më shumë

“Interesim nuk ka edhe aq shumë. Një rol kryesor e kemi edhe si Muze, sepse edhe ne duhet të promovojmë më shumë dhe të bëjmë më të përshtatshëm për publikun, në mënyrë që ata të ndjehem më komod kur të vijnë në Muze, të bëhen pjesë e saj dhe bashkë me ne të mundohen ta ruajnë dhe ta prezantojmë trashëgiminë tonë të përbashkët kulturore”, tha ajo.

Ndërkaq, aktivitete e Muzeut të Kosovës për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, që përfshijnë edhe muzikë, kanë filluar në ora 09:00, dhe do të vazhdojnë deri në ora 02:00 të mesnatës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat