Sinan Sadiku, poet e vlerësues i vargjeve poetike

Kultura

Sinan Sadiku, poet e vlerësues i vargjeve poetike

Më: 18 maj 2016 Në ora: 11:20

Poetët janë çudi e botës. Janë qenie më të ndjeshme në jetë. S’ka me poetët! Ata shohin përtej botës. Pse jo? Ata nga brendia e “shohin” botën. E ndjejnë dhe janë “vullkan” i pashuar që shpërthejnë për hove krijuese. Krejt çka e ndjejnë nga brenda, e shpërfaqin jashta. Kjo është bota e tyre interesante e magjepse.

Andaj, në këtë rrugë “të çuditshme” e interesante, kaherë është nisur edhe Sinan Sadiku, poet nga Dardana. Ky poet ka bërë emër dhe nuk është i panjohur për lexuesit tanëtë. Pse jo? Ai është krijues i thellësive poetike. Është poet e vlerësues i vargjeve poetike e artistike.

Kohës së fundit, ky poet nga Dardana po merret edhe me kritikë letrare. Shih për këtë, ai, ditë më parë, botoi veprën më të re me kritika letrare për poezinë e sotme shqipe, me titull “Rendi i vlerave në poezinë bashkëkohore shqipe”. Kjo është vepra e tij kulmore në fushën e kritikës së artit të fjalës. Jo vetëm kjo.

Sinan Sadiku, përkundër profesionit të tij jurist, ai artin letrare ka pasion. Ai ka mbaruar studimet e drejtësisë, por asnjëherë nuk ka hequr dorë nga arti i letërsisë. Ky është një “fenomen” paksa i rrallë dhe interesant te disa krijues tanë. Siç dihet, Sinan Sadiku është një krijues i heshtur, por mjaft produktiv në artin e letërsisë.

Ai lindet në 1961 në fshatin Gjyrishec, komuna e Dardanës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje (Tygjec), ndërsa të mesmen e kreu në Dardanë. Fakultetin Juridik e mbaroi në Prishtinë. Një njeri i urtë, fjalë pak e punë shumë. Ky poet nga Dardana ta përkujton poetin e mjerimit, Migjenin, i cili ka një formim jete të hajthme e të ndjeshme. Shih për këtë natyrë të ndjeshme, jete, poeti në fjalë po shkon gjurmëve të artit migjenian.

Ky krijues, gjer më tani ka botuara këto vepra letrare: “Rrobat e engjëllit” (poezi) (2000), “Shigjetat e lakmisë”, (poezi) - (2009, “Etje e pashuar”, (poezi) - Dardanë (2010) si dhe veprën e fundi me vlerësime kritike me titull: “Rendi i vlerave në poezinë bashkëkohore shqipe” (2013). Për veprën e tij në fjalë kanë bërë fjalë disa nga mentorët e njohur të jetës sonë krijuese, si: Prof. Dr. Faik Shkodra, Nexhat Rexha, Ganimet Klaiqi, publicist etj.

Dr. Faik Shkodra ka thënë se, libri “Rendi i vlerave në poezinë bashkëkohore shqipe”, nis me një hyrje, për të vazhduar me kapitujt: Rendi i vlerave në poezinë bashkëkohore, Poezia shqiptare e tri dekadave të fundit dhe Sprova kritike. Në kapitullin e parë të kësaj vepre me kritika, autori bën fjalë për vlerësimet e Ibrahim Rugovës bërë poezisë shqipe në librat: Strategjia e kuptimit (1980), Refuzimi estetik (1987) dhe në antologjinë “Lulet në Ballkan” (1982). Mandej vazhdon me interpretimet që i bëjnë studiuesit e kritikët e tjerë poezisë së sotme shqipe”.

Siç dihet, Sinan Sadiku, poet e kritik nga Dardana, me krijimtari letrare ka filluar të merret që nga koha kur ishte nxënës i shkollës së mesme. Ai, bashkë me disa krijues të tjerë të Dardanës, në vitin 1996 e kanë themeluar klubin letrar “Nositi”, kryetar i të cilit është edhe vetë prej vitit 2001 deri më 2005. Për vletat e tij letrare, S. Sadiku, në manifestimin kulturor “Lulëkuqet e prillit”, është shpërblyer tri herë dhe ka zënë vendin e parë me poezinë “Metamorfoza” (2007). Pastaj, ai është shpërblyer në vitin 2009 me poezinë “Shkoi për të ardhur”, po ashtu, ai shpërblehet edhe në vitin 2016, me poezinë “Antologji lirie”. Jo vetëm kjo.

Kur është fjala te pjesa kritike e S. Sadikut, ai me veprën e tij “Rendi i vlerave në poezinë bashkëkohore shqipe” (2013), jo vetëm se po dëshmon për anën vlerësuese të poetikës së atorëve, por si vepër e tillë ka qasje dhe teknikë në nivelin shkencor. Është libër me referenca, me fusnota, me fakte dhe me gjetje të nevojshme për studiuesit e ardhshëm të shkencës së letërsisë dhe disiplinave të saj nga teoria e letërsisë, historia e letërsisë dhe nga kritika e analizës letrare etj”, ka shtuar dr. F. Shkodra, studiues i letërsisë shqiptare.

Me analizën e veprave të Sinan Sadikut është marrë edhe, Besim Muhadri, studiues. Në një shkrim të tij me titull: “Poezia si metaforë jete dhe sfiduese e mjerimit shoqëror”, ai pos tjerash ka shtuar se shkrim i tij i referohet veprës “Shigjetat e lakmisë” të autorit në fjalë. Ai ka shtuar se, shkruan se vepra e tij e dytë që vjen në jetë, pas nëntë vitesh të botimit të parë, është një borë me interesime të ndjeshme poetike. “Në këtë vëllim, poeti S. Sadiku shfaq botën e tij poetike në disa plane. Kjo është një poezi e metaforës së jetës dhe e krajatave të saj. Një poezi plot sharm poetik dhe njerëzor, ku autori shpreh shqetësimet e tij njerëzore dhe intelektuale, gjithmonë shikuar nga prizmi artistik”.

Ai shton edhe këtë se, “Sinan Sadiku është një poet që jeton në një kënd të largët të Kosovës, në mes harresës dhe luftës për të dalë nga ajo. Ky vend është i rrethuar nga malet e larta, plot bukuri përrallore, aty ku puqen dëshirat dhe mundësitë, aty ku lufta për ta mundur vetminë, dhimbjen dhe harresën është më shumë se një dëshirë. Ai gjeti dashurinë e pashuar për artin dhe për poezinë. Poezia e S. Sadikut është një poezi plot suptilitet, plot sharm dhe plot vërtetësi artistike. Aty shfaqet qartazi zhgënjimi, por edhe mëtimi për të dalë nga ky zhgënjim i thellë që ka pushtuar vetminë e poetit, ku edhe muzat sikur kanë frikë të shfaqen në momentin kur ato i duhen atij, ai shton në vargje: /Më janë thyer/ Krahët e imagjinatës/ Kroi i frymëzimit/ Ka shterrur/ E muzat/ Më kanë braktisur. Pra, poezia e Sinanit ka diçka lasgushiane, por ka edhe diçka migjeniane” ka shtuar B. Muhadri në vlerësimin e tij.

Edhe Hysen Matoshi, studiues i letërsisë, në punimin e tij “Menditimet e një poeti”, ai ka shtuar se, përmbledhja poetike „Rrobat e engjëllit“ e autorit Sinan Sadiku është pasqyrë e një bote emocionale, e cila është formësuar si e tillë, sidomos në dekadën e fundit. “Ky libër me poezi, madje, në kuptimin e tematikës, shkon edhe më tej, duke ofruar, përmes teknikës së meditimit, reagimin e shpirtit krijues ndaj të ndodhurave në një periudhë më të gjatë kohore. Libri është strukturuar në katër cikle, ndarje kjo që është motivuar kryesisht në planin tematik. Dy cikle, ai „Le të vijë pranvera“ dhe „Lulejetës“, janë formësuar si cikle tematike: i pari, përbën lirikën meditative të poetit, ndërsa i dyti, e përbën atë të dashurisë; kurse te ciklet „Ku e harruam urtinë“ dhe „Midis ëndrrave“ të përbashkëtat e tyre si krijime i gjejmë më shumë në formën e reagimit emocional ndaj situatave se sa që e lidhin tematikisht.

Përmbledhja “Rrobat e engjëllit” dallohet për gjuhën e rrjedhshme poetike, për figuracionin në rrafshin stilistik e aty-këtu edhe për rimat e gjetura me kujdes. Kemi të bëjmë me një autor që ka investuar shumë nga dija teorike në ndërtimin e vargut, strofës dhe përgjithësisht poezisë. Është e qartë se ai me poezinë e tij nuk synon vetëm të thotë diçka, por gjithsesi preokupohet mjaft edhe me faktin se si e thotë atë, me cilat mjete stilistike, me cilat forma etj. Si figurat stilistike të përsëritjes, ashtu edhe tropet janë mjaft të pranishme në përmbledhjen poetike të Sinan Sadikut.

Megjithatë, autori në fjalë shquhet një figurë e mendimit, e cila më së shumti ka gjetur vend në stilin e tij poetik”, ka vlerësuar H. Matoshi, studiues.

Ky është portreti i Sinan Sadiku, poet dhe kritik letrar, nga Dardana, i cili po dëshmon pjekurinë e tij me vepra që kanë vlerave të çmuara letrare e artistike./Tefik Selimi

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat