K o p t i s j a

Kultura

K o p t i s j a

Nga: Ali M. LAJÇI Më: 16 maj 2016 Në ora: 17:26

Hiç shenjë e mirë s’po me duket. A jam kah shoh mirë a jo, shiko andej edhe ti Dik Hajdini, mos janë kah me bëjnë sytë. Një karvan njerëzish po me duket me tesh e kotesh në shpinë që sikur ta përndjek dikush, po duken edhe disa kuaj të ngarkuar,edhe qentë me atë lëvizjen e ndikuar prej të papriturës ... Sigurt bagëtinë dhe çobanët i kanë prapa duke iu ardhur. Një zor të madh duhet ta kenë ata njerëz! Ecin shpejt si orteku. Dikush rrugës e dikush malit sikur si sheu verdhues kur syri i çartet motit. Kanë thanë të moçmit, “Çka t’ shohësh në kojshi , prite në shpi” Ajo vërshëllimë shpejt do të mbërrijë këtu, të bëhem gati Dik Hajdini, sa ajo nuk ka ardhur për ta zënë keq! -Kush ta di, ndoshta janë duke u zhdjergur nga atje lartë në bjeshkën e ulët, se sivjet ka marrë thatësi e madhe dhe atje bari është tharë herët, bagëtia nuk kanë kullosë të mirë, janë tharë edhe burimet. Nuk po me duket shenjë e mirë i kishte thënën Avdyli, Dik Hajdinit. Ata njerëz e kanë një zor dhe diçka e keqe i ka rrok përpara. Të parët ja bëhen në Livadhet e Bardhe’ -edhe Bardhajt duket se po u bashkohen atyre, ata do të kanë marrë vesh se diçka ka ngjarë ose pritet për të ngjarë. Dashtë Zoti mos të ketë ndodhur asgjë as të mos ndodhë, por frika ka lindur para se të lindet njeriu.

Zëri i kushtrimit e mori shpejt jehonën., Edhe ata kishin filluar të koptisën. Të gjithë ishin tubuar në Pod t’ Zharit. Dikush prej tyre si të parët, sa kishin filluar për të hyrë në rrugën e Liqenit që zhbironte nëpër pyllin e shpesh e lisa të gjatë, nga edhe vendi e kishte marrë emrin –Liqenat. Pas tyre të gjithë i kishin hy asaj rruge për në Bjeshkën e Lumëbardhit. Karvani që ishte dukur më herët duke gjarpëruar teposhtë mbi Bardhaj tash kishte mbërritur në Kodër, në atë vend nga këta të parët i shikonin me bindjen se ajo nuk ishte shenjë e mirë, se ata njerëz kishin një zor të madh. Xhemajli shikoj njëherë pas vetës, fare pa i mbyllur dyert qëndroi në këmbë mëdyshas, beri keq o mirë që nuk i mbylli dyert dhe këputi një pjesë të litarit që ishte hedhur mbi gardhin me rrozge të thara bredhi duke e shprishur nga ai litar bëri disa copa dhe i lidhi dyert për direkun e derës prej dërrasave, ashtu që të mos futeshin kafshët që kishin mbetur ashtu si i kishte zënë puna nëpër kullosa.

Grave që shikonin se çka ishte duke bërë Xhemajli në oborr ashtu pip në këmbë përpara dëbanave , ai u kthye nga ata dhe u tha: “Ecni more sa të mundeni, kemi fëmijë e njeriun me gjysmë trupi!” Bajrami ishte i çal nga të dyja këmbët, Raba ishte foshnje dhe Vakja e kishte në shpinë në një plungë mbesën e saj. Në të rrallë filluan të dëgjohen krisma armësh. Xhemajli ishte ndalur për të u bindur, është krismë e armëve apo gjëmim i motit, dhe ishte bindur se ajo kishte qenë krismë arme pasi që edhe një krismë e saj kishte dhënë mundësi për ta kuptuar të vërtetën. Qiellit dukeshin të shprishur shtresa të holla resh që në lëvizje edhe zhdukeshin fare. Shpati i Rudinës të cilin e ndante rruga e ngushtë gjarpërore, e thelluar shirave të rrebeshta që ajo ishte bërë si ujëmbledhëse në rrjedhë, sikur të i kapërdinte njerëzit i çonte pas një kodrine që në anën e djathtë të saj shtrihej masivi shkëmbor i Majës së Thatë.
Lodhja kishte filluar të hetohet te të gjithë ata njerëz të asaj koptisje të padashur së Dikush kishte në shpinë ndonjë plaçka, dikush fëmijë, dikush ishte i shtyrë në moshë.

Pasi që ishin çlodhur pak. Heshtja e shkurtër u ndërpre nga fjalët me zërin e ulët, por ishin të kuptueshme. -“Po flitet se ata njerëzit që kanë (kapicat) mbi kokë, paskan dalë në Livadhin e Gjakut, shtien mbi atë vend, rrallë, po!...” ishin fjalët e Fetahut. “Dikush ka dal atje, po ua kthen, lufta nuk bahet me zorrë nëpër këmbë, duhet të largohen gra e fëmijë, pleq e të sëmurë, këta janë, zorrët nëpër këmbë...! Xhemajli e kishte dëgjuar vëmendshëm atë bisedë me zërin e ulët...

-“Fetah, gjermanët po flitet se atje nga livadhi i Gjakut, shtinë mbi atë vend në te rrallë por për të treguar se e kanë në çizme të vetën këtë vend !” i kishte thënë Xhemajli atij, që pa një e pa dy ia kishte nisur këngës:
“...Dhe prej kohës që shkoi Hyrjet-i, kurrë Kosovës s’iu nda gazepi...!”

Nga kjo këngë që si të recitohej nga Xhemajli më shumë se sa të këndohej, të gjithë ata njerëz e ndjenë njëfarë shkarkimi të asaj barre të frikës dhe hidhërimit që ia kishin kthyer shpinën plëngut ku bënin jetën. Fetahu e kishte shikuar me ironi duke i thënë: “Mos t’i marrët Zoti mëndet se veç kur luan mëndësh këndon në rastet si ky!... – Fetah! ia kishte kthyer Xhemajli, “Kur burri këndon, ai është vaji i tij! E ke dëgjuar, këtë e kanë thënë njerëzit shumë para meje e teje.

-“Nuk di pse me është lëshuar goja kaq shumë?” kishte thënë ai.
- “Bajram, po t’ lamë, Zoti t’ baft çarën nuk po mund të ecësh, po sheh se jemi me gra e fëmijë, po na zanë, e kemi hasmin prapa për hatër të fëmijëve i kemi mësy malet!... Xhemajli e kishte si shaka e më tepër për ta ngucur Bajramin, ashtu nuk do të vepronte kurrë, por Bajrami kishte thënë prerazi:
- “Eh valla, nuk ini ka m’ leni hiç, nëse m’ zan mua, ta ha dreqi e tu zan edhe ju !...”
Kjo ngjarje është ma përpara se ajo që ne e kemi bosht të bisedave, apo jo? E pyeti profesori plakun Shaban.
-“Po po, ma përpara, por jo edhe aq shumë!” Kishin vazhduar ashtu, herë pas here duke e provokuar e ngucur Bajramin, që kurrsesi nuk bindej që të ndahej prej familjarëve tjerë. Pastaj me të mbërritur Pas Maje, si i thoshin atij vendi tani rruga ishte në të rënë teposhtë. Për të gjithë ishte rruga më e lehtë. Nuk kishte më djersë nga lodhja. Edhe Bajrami kishte filluar të ngucte të tjerët, ndihmuar nga shkopi i tij, askujt nuk ia lëshonte hapin, nga një metër kërcente para tyre. Bukët e dala prej çerepit që në fillimin e ditës, në të koptisur nuk ishin harruar. Gratë kishin marrë me vet edhe ca pjesë të djathit. Ishin ndalur për ta bërë edhe një pushim të vogël dhe duke u dhënë fëmijëve ngajë copë bukë dikush prej të rriturve kishte marrë copën e bukës prej elbit në dorë me djathin e venë në mes dhe ecnin kah Rrafshi i Dukagjinit. Nga të ecurit, majat maleve, njëra pas tjetrës shkonin duke u sosur nga kishte mbetur ajo e fundmja prej të cilës dukej Qyteti i Bardhë i Pejës, që pa vonuar shumë rrugicat zigzage të Lagjes së Zatrave ishin mbushur të koptisurëve. Nena ime Qura dhe gjyshja Vake me kanë treguar!... U ndërlidh Raba në bisedën që e zhvillonin Plaku Shaban dhe profesori.
- Çka të kanë treguar e pyeti profesori....?!
- Po,unë kam qenë e vogël, gjyshja gjatë gjithë asaj koptisje dhe udhëtimit të pa rrugë me kishte bartur në shpinë, ngarkuar në plungë. Kur kishin mbërritur mbi Pejë në Lagjen –Zatra kishin dëgjuar ushtimë te madhe mes tokës e qiellit, thonë avionët bombardonin atë kodrinë, aty ku kishte rënë bomba kishte bërë gropën aq të madhe sa kishte dalë edhe uji. Me të hyrë sa më thellë në qytet, ishte dukur shkretimi e shkatërrimi i shtëpive. Ushtarët gjerman shiheshin duke u strehuar nën kurorën e ndonjë druri. Si i kam dergjura rrëfimet e tyre, kur flisnin për gazepin e hequr gjatë jetës, me duket se jam kah i dëgjoj fjalët që tregonte gjyshi se si në qytet një shtëpi qerpiçësh me një derë të madhe të hyrjes së oborr kishte pësuar bombardimit dhe kur me kujtohet ndjej rrëqethje ai njeri të cilin e kishin zënë dyert e rrëzuara nuk mund të i ndihmonim e ai rënkonte, rënkimi shkonte në kupë të qiellit.
- “Ashtu si rënkimi i njerëzve atje në Tivar!” Vazhdoi profesori, që e kishte pushur bisedën me plakun, pasi që mjeku pulmolog i kishte thënë për të u shtrirë në spital. -Xha Shaban, dua

të tregoj, pse unë e kam gjithë këtë vullnet që të marrë prej njerëzve të cilët më lëkurën e tyre kanë dhënë provimin në historinë e Tivarit.
Këtë histori e ka zënë ndryshku i kohës, e kanë futur në teneqe të mos i vije era asaj ç’njerëzie
që pushteti e kishte bërë duke u thirrur në emrin e njerëzisë.
- Xha Shaban, me intereson të marrë prej teje mendimin, pasi e përmende ç’njerëzinë çfarë thua? Ishte ç’njerëzi më e madhe kjo që e flet sot për atëherë apo ajo që ju e mbani në kujtesë ,edhe për një atëherë tjetër; ndërsa unë kam mësuar.
- Hajde! I tha plaku profesorit.
- Me 1948, pushteti jugosllav, prishjen e marrëdhënieve me Shqipërinë e kishte shfrytëzuar për të shtuar terror e dhunë mbi shqiptarët, ndaloi përdorimin e flamurit dhe simboleve kombëtare. Në dhjetorin e viteve njëmijenëntëqindepesëdhjetepesë-pesëdhjetegjashtë ishin rrahur dhe torturuar brutalisht mbi tridhjetëmijë shqiptarë nga të cilat tortura mbi njëqind veta kishin pësuar me jetë. Pastaj forma tjetër e dhunës, rekuizimi dhe shtetëzimi i pronave tona!?
- Profesor, i tha djaloshit plaku! -Mos të harrosh kur në Prishtinë, ndërtesa e Kuvendit të KSA të Kosovës e rrethuar me tanke, bajoneta, ushtari e polici u suprimua autonomia e Kosovës. Me 28. mars,1989 ishin miratuar amendamentet kushtetuese, në Beograd festohej, e në Kosovë vriteshin të rinjtë.
- Xha Shaban, këto tashme i ka shënuar historia e re dhe shumë tjera!...
- “Të ruajt Zoti, ashtu duhet, kësi djemsh i duhen kësaj nëne që në prehrin e saj, në sytë e saj ia kanë munduar, vrarë djemtë e bijat!...”
- “Edhe kënga e vjetër për ato kohëra të vjetra thotë: - Një kral hynte, tjetri delte, njani rrahte tjetri shkelte. Hynte njani e dilte tjetri, ma i zi i riu se i vjetri!...” Në rrjedhë të kohës, me lëkurën tonë, me gjakun tonë e kemi shkruar historinë, ju mësojeni e kurrë mos e harroni se harresa sjell përsëritjen e asaj sado e zezë të jetë!...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat