Shqipëria, pjesëmarrëse në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Torino

Kultura

Shqipëria, pjesëmarrëse në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Torino

Më: 16 maj 2016 Në ora: 14:56

Shqipëria e përfaqësuar nga emrat më të mëdhenj të letërsisë, u prezantua në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Torino, Itali, që u zhvillua nga data 14-16 maj.

Panairi Ndërkombëtar i Librit në Torino është ndër më të mëdhenjtë dhe ndër më të njohurit, jo vetëm në Itali, por dhe me gjerë, me një pjesëmarrje botuesish nga të gjithë kontinentet dhe me një vizitueshmëri të lartë, radhët e gjata të të cilit shtojnë besimin se libri do të mbetet gjithmonë pranë njerëzve, i pa ndarë në rrugën zhvillimit të tyre, si kujtesë kolektive dhe si vizion ardhmërie.

Këtë vit ishte dhe stenda e Shqipërisë, e organizuar nga Ministria e Kulturës. Në përurimin e panairit mori pjesë edhe ministrja Mirela Kumbaro, në krah të homologut të saj italian dhe kryetarit të bashkisë së Torinos. Kumbaro ndoqi një sërë veprimtarish të organizuara me autorë shqiptarë, mes të cilëve ishte dhe ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Vatikan, Visar Zhiti.

Ditën e dielë, në 15 maj 2016 në hapësirën “Babel” – Libraria Internacionale e Panairit, u mbajt takimi me temë “Nga njëri vend në tjetrin, nga njëra gjuhë në tjetrën: të shkruarit si një pasaportë”, bën të ditur Ambasada e Shqipërisë në Vatikan.

Të ftuar ishin shkrimtarët Carmine Abate – arbëresh, Arben Dedja – mjek, që jeton e punon në Itali si dhe Visar Zhiti – diplomat. E monitoronte takimin përkthyesja Mimoza Hysa, drejtore në Ministrinë e Kulturës, në Tiranë.

Gjatë bisedave me lexuesin doli në pah se letërisa shqipe ka rrënjë dhe identitet dhe nivel europian. Udhëtimi i saj nis që nga mjegullat e miteve dhe legjendave dhe arrin në metropolet plot dritë. Është një udhëtim nga njëri breg në tjetrin, nga njëri vend në tjetrin, tha arbëreshi Abate. Por dhe një udhëtim për tek tjetri dhe vetja, u shpreh Zhiti. Eshtë udhëtim intelektual e gjuhësor, – shtoi Dedja. Udhëtimi s’është shkulje e rrënjëve, por zgjerim i tyre, – ishte mendimi i përbashkët. Vuajtja po shnderrohet në vlerë. Besimi në siguri.

Gjatë takimeve u fol për vëllazërinë fetare në Shqipëri, për vizitën e Papa Gjon Palit te II dhe Papa Françeskut në vendin tonë, për lumturimin e 38 martirëve të kishës shqiptare dhe për shenjtërimin e Nënë Terezës, në këtë vit që shenjon dhe 25 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Vatikanin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat