Fituesi i çmimit ”Pulitzer”: E bëj një foto sikur ajo të jetë e fundit

Kultura

Fituesi i çmimit ”Pulitzer”: E bëj një foto sikur ajo të jetë e fundit

Më: 4 maj 2016 Në ora: 17:21

​Fotografi rus Sergei Ponomarev, i cili këtë vit fitoi çmimin ”Pulitzer” në kategorinë Breaking News Photography, në një intervistë ekskluzive për agjencinë zyrtare turke të lajmeve, Anadolu Agency (AA) tha se beson se çmimi mund të ndryshojë rrënjësisht jetën e tij.

“Ky sukses, sigurisht, nuk më përket vetëm mua. Pjesa më e madhe e suksesit i takon listës së fotografëve me përvojë nga Rusia, Amerika, Brazili dhe Gjermania dhe ku me një këndvështrim tjetër shikojmë njërin nga problemet më të mëdha në botë, problemin e refugjatëve”, tha Ponomarev.

Çmimin ”Pulitzer” ai e fitoi për foton e titulluar “Refugjatët”, e cila tregon dramën e refugjatëve sirianë në detin Egje dhe e njëjta fotografi u vlerësua edhe në konkursin Istanbul Photo Awards.

Ponomarev thotë se që nga ditët e tij shkollore merret me fotografi duke theksuar se tetë vite kishte punuar në një agjenci lajmesh, ndërkohë që tre vitet e fundit punonte si freelancer.

Ai vuri në dukje se aktualisht në qendër të veëmendjes mediatike janë zhvillimet në Lindjen e Mesme.

“Ishte mot i keq, era shumë e fortë dhe dallgë të larta. Nuk ishte e mundur të kalohej me gomone prandaj refugjatët u përpoqën që me anije të vjetra të kalonin detin Egje. Njëra nga këto anije është ajo të cilën e fotografova. Varka ishte në ujë në afërsi të bregut, ku uji ishte shumë i thellë. Kur njerëzit filluan të kërcejnë në ujë, kapiteni e ktheu anijen drejt pjesëve ku uji është më i cekët. Në momentin që po bëja foton, disa tanimë kishin kërcyer në ujë, ndërsa disa të tjerë ishin bërë gati për të bërë të njëjtën gjë. E gjitha kjo ndodhi, ndërsa anija ishte ende duke lundruar. Kjo me të vërtetë ishte shumë dramatike”, tha fotografi rus.

Ai theksoi se gati dy muaj kishte qëndruar në zonën ku kishte realizuar fotot e sipërpërmendura.

“Në fillim kemi pritur tri ditë, ndërsa të paktën një anije t’i afrohej bregut. Më vonë ndodhi që në ditë në brigje të arrijnë edhe nga 50 anije. Nganjëherë, për t’i fotografuar nevojitej të kalonim nga një breg në tjetrin”, tha Ponomarev duke shtuar se ai as që kishte menduar se mund të fitonte ndonjë çmim për fotografinë e bërë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat