Muza poetike shperthen ne Karadakun e Agim Ramadanit

Kultura

Muza poetike shperthen ne Karadakun e Agim Ramadanit

Nga: Izet ABDYLI Më: 3 maj 2016 Në ora: 21:24

2 maj 2016 - Sapo u ktheva nga Zhegra e Gjilanit apo më mirë të themi nga Zhegra e Agim Ramadanit, ngase shkas i kësaj vizite ishte heroi Agim Ramadani, apo manifestimi letrar në kujtim të jetës dhe veprës së tij me emrin ,,Muza e Agimit”. Edhe kësaj radhe për bashkudhëtar kisha mikun tim Imer Gllareva, i cili si duket tashmë është pasionuar pas këtyre aktiviteteve dhe mezi pret t’i bëj ftesën. Ai është një adhurues i flaktë i këngës por edhe artin letrar e çmon shumë. Agim Ramadani bëri qe brenda muajit të jemi dy herë bashkudhëtar me Imerin. E para më datën 9 prill ku vizituam Kosharen vendin e rënies heroike të Agim Ramadanit dhe shumë bashkëluftëtarëve tjerë, në mesin e të cilëve ishte vrarë edhe nipi i Imerit nga Polaci , Driton Veliu. Vizita që i bëmë Koshares, atij vendi historik ku u thye miti i pathyeshmërisë se kufirit dhe mundjes së serbëve sikur na dha forcë që një pjesë të udhëtimit ta bëjmë këmbë afro 40 minuta, dhe ndonëse shiu binte vazhdimisht herë herë më bëhej sikur po shkonim në llogore lufte, herë herë ia thonim ndonjë kënge dhe më bëhej se si një oshëtim mali na vinin si jehonë zërat e heronjve si: Agim Ramadani,Sali Çeku, Abaz Thaqi, Komandant Drenica, Driton Veliu, etj. e pastaj si në kor dëgjohej zëri i të gjithë të rënëve në këtë betejë. Nderimi që u bëmë dëshmorëve me Imerin dhe mikun tonë Agim Krasniqi, duke vizituar secilin varr, dhe nga mbishkrimet e emrave pamë se aty ishte tërë shqiptaria, luftëtarë nga të gjitha trojet shqiptare. Një ndalesë të veçantë bëmë të varri i Komandantit Agim Ramadani pa menduar fare se vetëm pas 23 ditëve do gjendemi në vendlindjen e tij, në Zhegrën e tij, në Karadakun e tij. Muza poetike shpërthen në Karadak, kësaj radhe përmes vargjeve duke portretizuar madhështinë e veprës së tij, si luftëtar, si piktor, si shkrimtar. Në mesin e 20 shkrimtarëve që lexuan u thirr dh e emri im dhe para se të lexoja poezinë time si përkushtim për heroin, nga shpirti e zemra me rrodhën fjalët: ,,Sot jam për herë të parë në Zhegrën e Agim Ramadanit. Po e ndiej veten si në vendlindjen time. Si në Drenicën e Adem Jasharit”. Dhe vërtet ashtu u ndjeva mes miqve të letrave por më i nderuar që mu rezervua ulësja pranë vëllait të Agimit, Jashar Ramadanit një burrë me qëndrim malësori i cili falënderoi në emër të familjes me një fjalim të shkurtër , modest por shumë kuptimplotë nëntekstin e të cilit e kuptuam të gjithë. Me plotë emocione e të ngazëllyer nga bukuria e këtij manifestimi bëmë edhe ca fotografi si kujtim. Pastaj qenë të kota përpjekjet tona që të kërkojmë leje për kthimin tonë sërish në Drenicë. Organizatori nuk lëshoi pe që për mysafiret e ardhur nga të gjitha trevat shqiptare të shtroi një drekë të begatë në restorant ,,Katana” . Edhe në këtë ambient pra Agimi ishte me ne përmes pseudonimit të tij ,,Katana” sikur donte të na uronte drekë të mirë. Po aty ndërruam llafe dhe ndeja u bë edhe me e këndshme me miq tjerë si: Shyqyri Azemi, Fadil Kajtazin, e Qail Halilin njërin nga drejtuesit e shoqatës kulturore ,,Ditët e Agimit” përkujdesja e veçantë e të cilit na bëri të ndihemi si në shtëpinë tonë. Nëpër riga shiu u ndamë me miqtë e mi të penës Sabit Rrustemin, Nexhat Rexhen, Ibrahim Kadriun, Sinan Sinanin , poeten e re Xhezide Selimi etj që na dëshiruan rrugëtim të mbarë për Drenicë. Përsëri rrugëtimin tonë deri në shtëpi na e bëri më të shkurtër Imeri, përmes këngëve të zgjedhura nga rapsodet: Ali Krasniqi, Nikë Cara, etj. Mbrëmja erdhi me një shi të rrëmbyeshëm, por që aq shumë i duhej tokës së etur nga thatësia dhe vetiu mu fanit edhe njëherë figura e Agim Ramadanit dhe të rënëve të tjerë që derdhën rrëke gjaku për të ardhur deri të agu i lirisë, dhe e vetmja fjalë që më erdhi në ato çaste, ishte LAVDI!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat