Hoti viziton objektet e trashëgimisë kulturore në Konya të Turqisë

Kultura

Hoti viziton objektet e trashëgimisë kulturore në Konya të Turqisë

Më: 2 maj 2016 Në ora: 11:17

Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Turqi, zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti është takuar me studentë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia të cilët kanë fituar bursa për ndjekje të studimeve në drejtime të ndryshme në Turqi.

Zëvendësministri Hoti tha se këta studentë janë shembulli më i mirë i të rinjve të cilët do t’i shërbejnë të ardhmes së vendit si një kuadër i formuar dhe i gatshëm për treg të punës, si dhe të forcojnë marrëdhëniet mes dy shteteve.

Së bashku me disa nga këta studentë, zëvendësministri vizitoi qytetin e Konyas dhe disa lokalitete të trashëgimisë kulturore.

Në Konya kanë jetuar disa nga personalitetet e çmuara shqiptare të historisë si Ferit Pasha, njëri prej kryeministrave të fundit shqiptar të Perandorisë Osmane si dhe poeti Ali Asllani.

Zëvendësministri Hoti vizitoi muzeun Mevlana, Qarshinë e Konyas e cila ngjason shumë me Qarshinë e Gjakovës dhe Pejës, Objektin e Valiut ku ka qeverisur Ferit Pasha, Rrafshnaltën Alaaddin, kryeqendrën e mbretërisë së Selçukve, Xhaminë Alaaddin dhe disa xhami tjera, fshatin Sile i cili ka histori mbi 5000 vjeçare me një shtresim te pasur kulturor, si dhe disa manastire romake-bizantine.

Gjatë qëndrimit në Konya, Hoti takoi edhe disa mësimdhënës të historisë, shoqata të mësimdhënësve të historisë nga Kosova e Maqedonia.

Gjatë vizitës në Konya, zëvendësministri u shoqërua nga Kudret Bülbül, president për turqit jashtë shtetit dhe komunitete farefisnore, rektori i Universitetit “Nexhmedin Erbakan” në Konya, nënkryetari i komunës së Konyas, Erxhan Ulusojsi dhe nga konsulli i Kosovës në Ankara, Ali Kamberi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat