Misteri i Edgar Alen Poes-së

Kultura

Misteri i Edgar Alen Poes-së

Nga: Shkruan: Armend Preteni Më: 2 maj 2016 Në ora: 11:12

“Përmbledhja “Tregime të misterit” e Poe-së, zbulon përditshmërinë e kohës, imagjinatën e bujshme dhe magjinë e fjalës”.

I cilësuar si një “tragjedi e gjallë”, jeta e Poe-së ishte një shtrëngatë e ngjarjeve të pafata, të cilat frymëzuan edhe disa nga shkrimet e tij gotike, romantike e të errëta.

Edgar Alen Poe, ishte i pari shkrimtar i njohur amerikan, i cili provoi të fitonte jetesën përmes shkrimeve të tij, gjë që i solli një jetë dhe karrierë me shumë vështirësi financiare.

Përmbledhja “Tregime të misterit” e Poe-së, zbulon përditshmërinë e kohës, imagjinatën e bujshme dhe magjinë e fjalës.

Në tregimin Maska e murtajës së kuqe, autori rrëfen sëmundjen e shekullit, epideminë më fatale atbotë, diagnoza e të cilës, siç e përshkruan edhe vetë, ishte gjaku, kulqëzimi dhe llahtaria e tij:Të zinin dhembje therëse, marramendje të bëfta e më pas, shpërthim gjaku nga poret”.

Në këtë tregim, protagonist i ngjarjes është princ Prosperoja, i cili duke e parë gjendjen se si po ju përgjysmohet popullësia, thirri në pallat njëmijë shokë gazmorë, për t’u mbyllur në vetmi në një nga manastiret e fortifikuara.
Duke u izoluar në pallat, ata mendonin se do t’i shpëtonin epidemisë vdekjeprurëse, e duke mos qarë kokën çfarë po ndodhte jashtë pallatit, brenda organizoheshin festa për t’ia bërë qefin princit dhe argatëve të tij.

Gjersa një natë në ahengun e oraganizuar, na u shfaq dhe një e panjohur me maskën e një të vdekuri: Veshja e saj qe e njollosur me gjak, e kur princ Prosperoja e vërejti në mesin e vallëzuesve, fytyra iu skuq nga tërbimi.

Kush guxon të ma prish ahengun, thirri ai me zë të lartë, dhe i urdhëroi që ta demaskojnë, ndërkohë të gjithë të pranishmit i kaploi frika e vdekjes. Sado që u munduan të fsheheshin, nuk ia arritën dot, në këtë rast edhe princ Prosperoja, iu dorëzua murtajës së kuqe e cila i gjallbëroi të gjithë të pranishmit.

Gjersa te tregimi Pusi dhe lavjerrësi, autori shtjellon idenë e një modeli fizik, të gërshetuar me atë psikologjik për mbarë universin e ndërgjegjësueshëm, përdallim nga tregimi i cekur, te Djallushi i perversionit, synohet të ekstraktohet rrënja e vetëdijës, si diçka e paargumentuar, e cila në realitet shkakton perversionin.

Sipas Qafokut “ te tregimet Maska e murtajës së kuqe, Pusi e lavjerrësi dhe Djallushi i perversionit, shfaqet qartë pamundësia e mbylljes së sistemit real ose biologjik të së keqës dhe të mirës mondane, pamundësia që bota të bazohet në një ligj të fshehët, përjedhojë apokaliptikja del si demaskim sekreti”.

Edgar Alen Po, mbetet nga shkrimtarët që nisën epoka në historinë e zhvillimit të ndërgjegjjes njerëzore të shekullit të XX, me shkrimet e tij përplot ide të fushave të ndryshme, të cilat mbetën testament për letërsinë mbarë botërore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat