Reagon Eurovizioni pas fyerjes së shqiptarëve

Kultura

Reagon Eurovizioni pas fyerjes së shqiptarëve

Më: 1 maj 2016 Në ora: 09:13

Pas reagimit të drejtorit të RTK-së dhe reagimeve të tjera, zyrtarë të EBU-së dhe organizatorët e Eurovizionit, kërkuan falje.

“Të enjten pasdite, në uebsajtin e Globe Arena dhe në agjencinë e biletave AXS, është bërë publik versioni parapërfundimtar i politikës për përdorimin e flamujve në Eurovision Song Contest 2016.

Dokumenti përfshinte edhe një listë jo gjithëpërfshirëse të flamujve, përdorimi i të cilëve në vendngjarje është i ndaluar. Ky dokument nuk ishte paraparë që të publikohet.

Organizatorët e kuptojnë dhe janë të vetëdijshëm për ndjeshmërinë që paraqet përzgjedhja për prezantim e flamujve të organizatave e territoreve, duke pasur parasysh natyrën e ndryshme të secilës nga këto”, thuhet në reagimin dhe sqarimin e kësaj organizate.

Organizatorët, gjithashtu, u kërkojnë ndjesë të gjithë atyre që janë ndier të ofenduar me listën në fjalë: “EBU i ka kërkuar Globe Arenas dhe AXS që menjëherë të largojë dokumentin, që paraqet shembuj për përdorim flamujsh dhe që në vend të kësaj, të publikojë një dokument zyrtar, pa përmendur shembuj, raporton rtk.

Dokumenti përfundimtar dhe zyrtar mbi politikat për përdorimin e flamujve do të publikohet në faqen zyrtare Eurovision.tv më vonë gjatë ditës bashkë me sqarimin adekuat”, thuhet në fund të reagimit.

Fyerja e rëndë ndaj Kosovës, reagon RTK: Është racizëm

RTK-ja është thellësisht e shqetësuar me fyerjen e rëndë që i është bërë Kosovës nga Grupi i Referencës për Këngën e Eurovizionit të cilët e ndalojnë flamurin e Kosovës të valvitet në këtë festival.

Radio Televizioni i Kosovës është thellësisht i shqetësuar që flamurin e Kosovës e vendosin në listën e njëjtë ku janë edhe flamuj të organizatave terroriste (ISIS-it) dhe vendeve tjera që janë të kontestuara ndërkombëtarisht. Ky vendim vjen vetëm disa ditë para se RTK të marrë pjesë pikërisht në takimin e Grupit të Referencës ku pritej të merrej vendimi nëse Kosova do të marrë pjesë ose jo vitin e ardhshëm në këngën e Eurovizionit.

Dëshirojmë t’ua bëjmë me dije edhe Grupit të Referencës së Këngës së Eurovizionit por edhe EBU se Republika e Kosovës është e njohur nga rreth 120 shtete të botës. Populli i Kosovës është i dëshmuar si popull paqësor dhe Republika e Kosova asnjëherë nuk ka paraqitur rrezik për askënd, madje ka qenë e hapur ndaj të gjithëve. Këtë e dëshmon edhe Radio Televizioni i Kosovës, i cili në kuadër të saj, prodhon program për të gjitha komunitetet në Kosovë, ndërsa vetëm për komunitetin serb ka hapur kanal të veçantë televiziv, gjë që nuk e kanë bërë as Serbia për komunitetin shqiptar në Serbi, e as vendet e tjera të rajonit.

Vendosja e flamurit të Republikës së Kosovës në listën e njëjtë me flamujt edhe të organizatave terroriste është racizëm, por edhe fyerje e rëndë për qytetarët e Republikës së Kosovës por edhe për vetë Radio Televizionit të Kosovës.

RTK ka pasur bashkëpunim të shkëlqyeshëm me EBU, kemi marrëveshje të nënshkruar, dhe dëshiroj të besoj që ky veprim i Grupit të Referencës për Këngën e Eurovizionit nuk është marrë me dijeninë e menaxhmentit të EBU-së, prandaj si Drejtor i Përgjithshëm i RTK-së kërkoj që flamuri i Republikës së Kosovës të hiqet menjëherë nga ajo listë për shkak se ky veprim ka rritur menjëherë presionet ndaj Radio Televizionit të Kosovës për të shkëputur marrëdhëniet me EBU.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat