Në Shpat, me ftesë të ‘‘ Onufrit ’’

Kultura

Në Shpat, me ftesë të ‘‘ Onufrit ’’

Nga: NGA PËLLUMB GORICA Më: 30 prill 2016 Në ora: 10:26

Me dëshirën e hershme, por disi të vonuar, një ditë udhëtuam për në Gjinar, të Shpatit, trevën më të njohur të Elbasanit, me miqtë e mi, të rinj e të vjetër në moshë. Mbresat e këtij udhëtimi spontan filluan të na pushtojnë në çdo kilometër që ne ngjiteshim drejt Gjinarit, pikësynimit tonë, të cilat shumoheshin në mënyrë progresive. Ato filluan të bëhen pjesë e qenies dhe shpirtit tonë. Janë të panumërta dhe njëra më befasuese se tjetra, por unë po përmend ato që mendoj se do të flenë gjatë në kujtesën tonë, për vite të tëra. Po ia le lexuesit të përjetojë më interesantet në këtë udhëpërshkrim. Por sado të shkruaj unë, që t’i shijosh dhe të lumturohesh nga këto mrekulli e natyrës, duhet të shkelësh edhe ti lexues në Shpat, midis kodrave, të mbushura me gjelbërim, të dëgjosh këngën e zogjve, që hidhen nga njëra pishë te tjetra, duke e mbushur peisazhin me zëra mahnitës. Këto ndjesi i përjeton ai që e shkel këtë rrugë çdo ditë, e ka thithur ajrin e pastër dhe aromën e pishave, por sidomos më shumë ai që vjen për herë të parë këtu. Flladi i freskët dhe dehës, t’i çlodh sytë nga gjelbërimi i dendur dhe zemra do të zgjerohet nga kënaqësia e peisazhit.
Për Shpatin është shkruar dhe folur shumë, por, kur gjendesh aty, kur e prek dhe e shijon me të gjitha shqisat, mëson shumë gjëra interesante. Si një eksplorues i peisazheve dhe historisë, gjatë udhëtimeve të mia hulumtoj për vendet të veçanta. Shpati, kjo perlë e veçantë në llojin e saj, është një trevë mjaft e pasur me burime natyrore, e cila ka kushte të rralla për zhvillimin e turizmit malor. Këtë përfitim ia mundëson brezi pyjor mjaft i pasur i pishave të larta e të dendura. Aroma e rrëshirës së tyre ndihet kilometra larg dhe me një efekt të fuqishëm kurimi. Nga largësia e viteve na vijnë histori të lashta që lidhen me Shpatin me karakteristika të spikatura historike dhe kulturore. Historia e Shpatit e vulosur nga dëshmitarët e kohërave, ndërtimet e lashtësisë, kala, kisha, rrugëkalime të vjetra, dokumentet arkivore, njihet edhe nga dimensioni i legjendave. Ngjarjet e shumta kanë shpërndarë mugëtirën e kohërave dhe e kanë bërë të njohur Shpatin për trimërinë, patriotizmin, traditat dhe dëshirën e madhe për dije e kulturë e një vitalitet të banorëve gjatë gjithë shekujve, duke i dhënë impulse gjithfarsoj mbijetesës së tyre. Ndaj nuk mund të vazhdoj të shkruaj më tej, pa i përmendur ato qoftë edhe përciptazi. Me emrin e Shpatit lidhen figura historike dhe të artit në kohëra si: Prijësi Gjorg Golemi, Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Konstandin Shpataraku, Petro Petroshi, Isuf Qosja, këngën e të cilit plaku takie-bardhë nga Sulova, Hamit Miraka, e këndonte gjithmonë në konakun e tij, e sidomos kur i vinin miq nga Shpati. Shpatarakët janë njerëz fisnik, të çiltër, të dashur, gazmorë dhe të mençur. Ata trashëgojnë cilësi tepër të rralla njerëzore si: mikpritja, bujaria, organizimi i mirë i ceremonive dasmore, apo rasteve të fatkeqësive familjare etj. Ndaj ndjen simpati për Shpatin e njerëzit bujar, punëtor, të këngës, të valles, të librit e të konakut…
Ne nuk i përfillëm vështirësitë e rrugës, e cila derdhonte shpateve të kodrave, duke u bërë bashkudhëtare me ne, sepse fantazia jonë na tërhiqte atje, në Gjinarin turistik. Një shoku ynë poet dikur, pasi arriti me stërmundim në Gjinar, fshihu djersët dhe me të qeshur na tha se, këtu në këtë parajsë erdha nëpërmjet ferrit, por tani po e shoh se ia paska vlejtur. Dhe s’kishte faj: Rruga e gjatë dhe tepër e lodhshme i stërmundonte udhëtarët. Por kohët ndryshuan dhe rruga e shtruar vitet e fundit e ka bërë më të lehtë ardhjen këtu. Kodrat e sistemuara me vreshta e ullinj të veshura me petkun e gjelbër, sigurisht, të lënë përshtypjen e përkujdesjes së banorëve ndaj tokës dhe pemëve frutore. Mushkëritë tona filluan të mbushen me ajër të pastër dhe sytë me gjelbërimin e pafund të kodrave në të dy anët e rrugës. Qielli i kthjellët, lartësitë malore dhe flladi i lehtë i mëngjesit e lehtësonte më shumë udhëtimin për të na mundësuar edhe shijimin e kënaqësisë së peisazheve interesante. Tingujt e këngëve elbasanase përhapeshin nga buzët e Albert Tafanit, i cili i valëviste ato, me një drithërimë të veçantë, teksa buronin nga kasetofoni i makinës së Bardhit. Si në ekran i kalojmë me radhë vendbanimet, duke kthyer kokën sa në një anë në tjetrën, për të mos na shpëtuar pa parë asnjë grimë të kësaj bukurie rurale. Çajmë përmes Hajdaranit, lëmë mënjanë Mlizën, që për nga pozicioni i relievit të le mbresa me ndërtimet e reja e të shumta, dy e trekatëshe. Askush nuk mund t’i rezistojë një kënaqësie të tillë tunduese si kjo, e cila shtohej, kur nga lart vështronim qytetin e lashtë dhe modern të Elbasanit, lumin Shkumbin, malin e Krrabës, që janë sfondi i kësaj panorame. Pa kaluar shumë ja ku na shfaqet me gjithë pamjen e tij Shelcani, në shpatull të Shpatit historik, sikur të nanurisej i shtrirë në prehërin e kodrave dhe nën hijen e pemëve të gjelbërta. Por, ajo që përveç panoramës e bën atë më interesant dhe më të dëgjuar në Shqipëri, është Kisha qindravjeçare e Shën Nikollit, e veçantë në llojin e vet, e cila njihet me emrin, e Onufrit, ikonografit më të madh të shekullit XVI. Kjo kishë është befasuese për vizitorët, sepse në mënyrë të pavetëdijshme të krijon një kënaqësi estetike dhe admirim të veçantë. Askush nga ata që kalojnë pragun e saj nuk mund të mos mbetet i shokuar dhe i mahnitur kur përballet me dorën mjeshtërore të piktorit, Onufrit të madh.
Vazhdojmë rrugën drejt lartësive të Shpatit. Tutje, në largësi, nën velin e shtëllungave të bardha të reve,vështrimi të përplaset mbi peizazhin e papërsëritshëm të malit Bukanik, një bukuri e gjelbër, që kërleshet çdo mëngjes, para se rrezet e diellit të përflakin majën e tij, me mjegullën e dendur. Në shpatet e thepisura veriore të tij ende ka pllaska të bardha bore, sikur shpina e një qeni laraman. Të duket se ky mal ka marrë bekimin nga Zoti për të qenë përjetësisht i gjelbër, i mbuluar me pisha, duke krijuar kurorën e mrekullueshme të kësaj krahine, e cilësuar edhe si mushkëria e qytetit të Elbasanit. Nga aty të ulet në pëllëmbën e dorës një pjesë të fshatrave të Shpatit: Lleshani,Valshi, Selta, Shelcani, Probati, Derstila, Gjinari ... Po nga aty, tek kjo pikë natyrore vrojtimi vështron deri tutje Tomorricën, Vërçën, Sulovën, Dumrenë, dhe malet: Tomorrin, Valamaren. Shpiragun … Pas dredhave të shumta të rrugës kalojmë Lleshanin e njohur me krenarinë e dikurshme e të fshehur në legjenda. Mes nesh endet fjala rreth një kalaje antike, por të rrënuar tërsisht. Arbeni, poeti vendas dhe njohës i historive të Shpatit, nis e tregon për kalanë e Lleshanit, të ndërtuar në një majë shkëmbore të thepisur, rreth 1200 metra të lartë. Vendi ku ndodhet kjo kala është një fakt që vërteton lashtësinë e këtyre territoreve. Disa metra larg rrugës, në krah të majtë ndodhet një pemë madhështor (dushk), monument natyror i mbrojtur nga shteti. Nuk mund të vazhdosh më tej pa e vështruar disa minuta kurorën e tij madhështore të mbushur me histori interesante. Dhe biseda jonë fokusohet në histori të thëna e stërthëna, por ne na vjen mirë të përsëritim atë që e tregon Arbeni, sigurisht të dëgjuar nga të moshuarit: “Thonë se Dushku i Lleshanit është mbi 700 vjeçar. Një fëmijë i vogël (djalë apo vajzë, legjenda nuk e përcakton), mbytet nga një lende dushku (frut). Ai vdiq, dhe u varros këtu, ku pas disa muajsh mbin një bimë dushku , e cila nga viti në vit hodhi shtat dhe rreth tij u hapën varre të tjerë. Ndaj ka mbetur edhe si vend i shenjtë.” Si kujtim të ardhjes tonë, pranë këtij dushku madhështor, Verjoni propozoi të bëjmë fotografi. Dhe kështu bëjmë. Herë-herë gëlonin bisedat tona gazmore. Secili tregon prej tyre. Shumë të bukura. Qeshim dhe vetëm qeshim. Ndaj dhe këto çaste gëzimi lenë mbresa e frymëzimi ndër ne.
Pasi lëmë pas këtë monument natyror, duke dredhuar rrugën, para syve të shfaqet Gjinari i shtrirë nën këmbët e malit të Bukanikut. Ai është një vendbanim me histori në përpjekjet për liri e arsim. Peisazhi i tij me të vërtet i bukur. Ajri i pastër, gjelbërimi, e maja e malit, kanë krijuar këtu një peizazh magjepsës, por është akoma një perlë thuajse e harruar. Dikur para 20 vitesh, jo vetëm në muajt e verës, por edhe vjeshtë e dimër, Gjinari mbushej aq shumë me të ardhur nga Elbasani, Tirana, Durrësi. Dhe ngjante me një qytezë të begatë, të mbushur me të gjitha të mirat. Ato pak gabina prej druri ofronin mundësi të shumta pushimi dhe gëlonin nga zërat gazmorë. Tranzicioni i stërzgjatur i shkatërroi, dhe sot tek – tuk dallohen skeletet e tyre të kalbëzuara si rrënoja lufte. Gjithandej turizmi po kthehet në biznesin fitimprurës, ndërsa këtu ai ndihet pak. Kjo është pasojë e mungesës së investimeve që janë fare të vogla. Këtu i kalojnë pushimet shumë pak familje, të strehuara në shtëpitë e banorëve, kryesisht nga Elbasani dhe Tirana. Ringjallja e turizmit, aty këtu me pak bar- kafe dhe restorante si një mundësi e madhe që u ka falur natyra, në Gjinar, duhet të shfrytëzohet akoma më shumë. Por kjo duhet bërë dhe mbështetur nga të gjithë. Ajo mund të kthehet në një vend ç'lodhës me pak punë. Nuk mjaftojnë kronikat e pakta të TV me reklama promovuese, shkrime gazete, e as fotot e peisazheve të Shpatit, që postohen në rrjetet sociale të komunikimit, por kërkohet një strategji për zhvillimin e turizmit, me krijim të kushteve më të përshtatshme për pushime ditore, por edhe të gjata, nga drejtuesit e pushtetit, që më së shumti janë të fjetur në ide konkrete. Kjo patjetër do të sjell më shumë vizitorë nga e gjithë Shqipëria dhe më gjerë. Ky udhëpërshkrim ndoshta do të tregojë një farë interesimi, që të pushojnë sa më shumë në këtë perlë të harruar. Duhet përgëzuar vlera artistike e Ardjan Bërdufit, fotografit të kësaj treve, si një promovues i turizmit në Shpat. Të bën përshtypje fjala e tij e thjeshtë.
- Ajo që bëj është një pasion për të treguar peisazhin dhe etnokulturën, që ka Shpati. Promovimi e zhvillimi i tij ndihmon banorët në rritjen e të ardhurave. Ndaj, duhen ftuar sa më shumë vizitorë, por që kërkohen investime, që të hapen sa më shumë vende pune. Asgjë nuk vjen nga qielli, por së bashku të ndërtojmë të ardhmen, dhe ka shumë faktorë që ndikojnë në ecjen përpara kundrejt llogjikës së interesave politike.
-Ne kemi peisazhe të bukura dhe kur ato vizitohen ndihem mire” – të thotë ai.
“Unë personalisht ftoj vizitorët, se do të ndihen të mrekulluar mes bukurisë malore dhe njerzore të Shpatit, në monumentet e natyrës së tij, siç janë Dushku i Lleshanit, Kanionet e Valshit, Pishat e Bukanikut, kishat e Shelcanit dhe e Valshit, etj. Në Shpat kostumet popullore, apo punimet e dorës, që janë karakteristikë, po evidentohen jo vetëm në festat familjare, por edhe në manifestimet kulturore. Këtu në Gjinar çdo fillim qershori organizohet festa “Miqtë e malit”. Vizitorët në Shpat kanë mundësi të shijojnë shumëllojshmërinë e produkteve bujqësore – blektorale dhe cilësinë e tyre Bio. Mirsevini në Gjinar, Shpat, Elbasan, Albania!”
Qëndrimi ynë në Shpat është i shkurtër. Duke u larguar nga panorama pamore e tij, nën soditjen e perëndimit të diellit, në këto lartësi, përjetuam kënaqësi të veçantë. Dielli ndriçonte mbi çdo gjë, mbi ndërtesat, malin e mbuluar nga pishat ku flladi lozte ëmbëlsisht, duke bërë tejet të gëzueshme ardhjen tonë, dhe mundësinë për t'i soditur ato. Sa e bukur e qetësuese për shpirtin kjo pamje. E të gjitha këto s’janë gjë tjetër veçse pjesë e një peizazhi interesant, një perlë të harruar. Mrekullia e peizazhit të fton ta vizitosh përsëri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat