Preç Zogaj bën bashkë politikën e poetikën

Kultura

Preç Zogaj bën bashkë politikën e poetikën

Më: 13 shkurt 2016 Në ora: 11:09

Jo vetëm mjedisi klasik i veshur me statuja që evokonin antikitetin, por edhe interpretimi i aktorëve të njohur të skenës së teatrit, si: Yllka Mujo apo Sokol Angjeli, sollën atmosferën e duhur për muzën poetike, që erdhi në formën e librit më të ri me poezi të politikanit e publicistit të njohur, Preç Zogaj, i cili kur vjen puna te cilësimet ka dëshirë ta saktësojë se së pari ai mbetet poeti, poeti me një karrierë tashmë 30-vjeçare dhe dhjetëra libra të botuar në këtë dimension shpirtëror.

Miq, kolegë nga fusha e letrave si edhe ajo e politikës, ku spikati prania e kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, botues, njerëz të medias e akademikë ishin të pranishëm mbrëmjen e djeshme në përurimin e përmbledhjes poetike të Zogajt, titulluar “Ushtrimet e Melankolisë” , poezi të cilat autori i ka shkruar vitet e fundit, në periudhën 2013–2015, fill pas botimit të librit të tij të parafundit me poezi “Fundi, një fëmijëri tjetër”

Për Lezhën, për nënën, për kohën, jetën e dashurinë, për vdekjen, melankolinë, poezinë e poetët… Janë këto disa nga temat që prek poezia e përmbledhur në 157 faqet e përmbledhjes, që Zogaj e ka ndarë në katër cikle poetike: E paanë jeta, një klithmë larg fundit; Ushtrimet e melankolisë ; Na ishte njëherë poezia dhe Koka ka rritur shpejtësinë.

Ky përurim ishte konceptuar më shumë si një mbrëmje poetike , ku aktorët lexuan disa prej poezive për të pranishmit, ku mikpritësi duke falënderuar miqtë e ardhur për rastin, deshi më shumë të flasë përmes gjuhës poetike.

Shkrimtari Rudolf Marku vlerësoi shpirtin dhe ndjeshmërinë në poezinë e Zogajt.

“Të gjitha poezitë e këtij libri me titullin magjik “Ushtrimet e Melankolisë”, ngulin këmbë se poezia është Shpirti, është ndjeshmëri, është spontaniteti, është ritmi që kapet veç me veshët e ndjeshëm. Çfarë është poezia? – pyeste Robert Frost. Do përgjigjej: Ajo çfarë mbetet pa u përkthyer kur ti përkthen një tekst poetik, diferenca mes tekstit origjinal dhe përkthimit të tij. Është fryma” – u shpreh Marku, duke shtuar se qysh në fillimet e veta poetike, Zogaj ka shfaqur disa tipare dalluese “…ndjeshmërinë e thellë, spontanitetin, natyrshmërinë, elegancën gjuhësore, mahnitjen poetike, idiomatiken vetjake, sintaksën origjinale, kapriçon si kundërshti e klasifikimit gjuhësor, freskinë, nisjen. Çdo poezi është një nisje, një fillim, një udhëtim shpirtëror . Por erdhi Pessoa dhe shpiku nisjen e Re, Nisjen pa mbërritje, në vetminë më të thellë. Me varkat e gjuhës , shkruan Preç Zogaj për bashkatdhetarin e Vasco de Gamës, Fernando Pessoa-n, këtë eksplorues të shpirtit”- vijoi shkrimtari Rudolf Marku, duke theksuar se mbi të gjitha, veçantia e poezisë së Preç Zogajt është mahnitja poetike. “Për mendimin tim poezia nuk është gjë tjetër veçse mahnitje poetike, kureshtjen për t’i parë gjërat me entuziazmin dhe trishtimin e fëmijës që sheh për herë të parë. Poeti ka privilegjin për të qenë fëmijë dhe në moshën e Burrit dhe Gruas. …Kam dalë nga vuajtja me gjithë karmë /në këtë cep të yllit…

e pastaj më vonë: …Gati po kënaqem me asgjënë. Te poezia e Preç Zogajt ndjej qartësinë e limpiditetin e fjalës , por edhe ambivalencën e detajit poetik. Në mëshimin e ndjeshmërisë më të thellë shfaqet sarkazma dhe nënqeshja e trishtë” . Marku e quajti veprën poetike të Zogajt si një normalitet i rrallë, fatlum, madje edhe pak aksidental për realitetin shqiptar.

“Një frymëmarrje e lirë, Një bukuri e pa dhunuar . Besoj se librat si ‘Ushtrimet e Melankolisë’ na japin të besojmë se e bukura, mirësia, njerëzorja nuk qenkan nocione abstrakte, se shpirti njerëzor dhe ndjeshmëri qenkan ende gjallë. Të rralla e të hedhura në thellësi oqeanike, si perlat. Por prapë ekzistuese. Madje dhe te ne, shqiptarët”, përfundoi Marku.

Kjo përmbledhje poetike vjen si botim i MAPO Editions”, pjesë e Fondacionit MAPO, i cili me mbështetjen e Universitetit Europian të Tiranës ka ndërmarrë nismën letrare me botime të letërsisë artistike të poetëve e shkrimtarëve shqiptarë.

Kjo nismë që vjen për t’i dhënë hov letrave shqipe ka nisur pesë vite më parë me çeljen e Suplementit “MAPO Letrare” , e cila çdo fundjavë i dedikohet letërsisë , duke u pasuar nga krijimi i klubit të kritikës shqip, ku në faqet e këtij suplementi vijnë recensione dhe kritika nga emra të njohur si Diana Çuli, Rudolf Marku, Gentian Çoçoli e Agim Baçi për t’u fuqizuar me Çmimin Letrar “Kadare”, i cili vitin e kaluar iu akordua shkrimtarit Rudolf Marku me romanin e tij “Tre divorcet e Zotit Viktor N.”, aktivitetin e përvitshëm javën e fundit të muajit maj “Ditët Letrare të Razmës” e së fundi përurimi i Qendrës së Studimeve Letrare “Kadare”, e cila mori jetë ditën e ditëlindjes së shkrimtarit Ismail Kadare, më 28 janar të këtij viti. Me synimin për nxitjen e letrave shqip, Universiteti Europian i Tiranës së shpejti po përgatitet të hapë edhe Degën e Studimeve Letrare.

Libri me poezi “Ushtrimet e Melankolisë” i Preç Zogajt, i cili nuk është autor i panjohur për shtëpinë botuese “UET Press” me botimet në publicistikë si “Fillimet” , “Intuicionet e Tranzicionit”, etj., vjen si një rast pionier botimi, të cilit do i bashkëngjiten edhe vepra artistike të autorëve të tjerë shqiptarë.

Si pjesë e botimeve të letërsisë fiction të “MAPO Editions” janë edhe romanet e Ben Blushit si “Shqipëria” , “Otello, Arapi i Vlorës”, “Të jetosh në ishull” dhe i fundit “Kandidati” si edhe romani i Rudolf Markut, “Tre Divorcet e Zotit Viktor.N”, fitues i një çmimi prestigjioz si ai “Kadare” , që këtë vit do të akordohet në fund të muajit maj.

Preç Zogaj krahas botimeve në publicistikë dhe angazhimit të tij aktiv në politikën shqiptare nuk është ndalur së shkruari poezi, që për të mbetet pasioni më i madh i jetës. Ndaj edhe në një sallë të mbushur me poetë, shkrimtarë e politikanë, ai dëshiron të mbetet si poeti që shpreh angazhimin e tij politik si qytetar i ndërgjegjshëm dhe poezia është një formë replike artistike kundër atmosferës së kohës, dhunën, tensionin e arrogancës e së cilës, shpirti i poetit e ndjen më shumë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat