Ekspozita e Ymer Shaqirit, e para në GKK për vitin 2016

Kultura

Ekspozita e Ymer Shaqirit, e para në GKK për vitin 2016

Më: 10 shkurt 2016 Në ora: 00:08

Galeria Kombëtare e Kosovës hap vitin 2016 me një ekspozitë personale të artistit Ymer Shaqiri, ekspozitë kjo e cila do të prezantohet më 10 janar, me fillim nga ora 19:00.

Në njoftimin e GKK-së për këtë ekspozitë kuratori i saj, njëkohësisht ushtruesi i detyrës së drejtorit të GKK-së, Zani Ballazhi, shkruan se e veçanta e artit të Shaqirit është origjinaliteti i tij.

“Karakteristikë e veçantë në krijimtarinë dhe në veprat e Ymer Shaqirit është paraqitja e tij me vlera origjinale profesionale. Stili dhe teknika përdoret si shprehje e veçantë, duke ofruar origjinalitetin e një kulture të lashtë. Bazuar mbi teknologjinë dhe mentalitetin e tij arrijmë të njohim edhe diçka të shumëfishtë – asociacionet me referencat e veta të panumërta.
Zgjidhja e problemit në lëmin filozofik është i pranishëm në disa vepra tipografike si shenja të papritura vizive, që komunikojnë formë, figura, marrëdhënie, imazhe të plota nga fuqia e një individualiteti të dukshëm të cilat lënë gjurmë grafike”, shkruan Ballazhi.
Ymer Shaqiri u lind në Sveqël të Podujevës më 1953. Studimet i kreu në Akademinë e Arteve në Prishtinë më 1981, ndërsa studimet pasuniversitare i kreu në Akademinë e Arteve në Beograd më 1984, ku dhe merr titullin akademik.

Krijimtarija e tij artistike përfshin grafikën si disiplinë e aplikueshme në artin bashkëkohor. Ai ka pasur shumë ekspozita personale dhe ka marrë pjesë në shumë ekspozita kolektive në vend dhe jasht vendit me bienale dhe trienale ndërkombëtare që nga viti 1982 në bienalen e Lubljanës, Japoni, Italisë, Holandës si dhe në shumë ngjarje tjera të njohura ndërkombëtare (Art Karlsruhe, Art Koln, Art Santa Fe, Art Chicago, Art San Francisco, Art Vilnius, Arco Madrid, Art Lisbon, Art Istanbul, Art Seoul, Art Innsbruck, Art Bodensee, Art Zurich, Art San Diego etj.), ku dhe është shpërblyer me disa çmime dhe mirënjohje ndërkombëtare.

Veprat e tij gjenden në shumë koleksione, galeri dhe muze të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.

Aktualisht jeton dhe vepron në Gjermani dhe në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat