Amaneti i fundit i Mjeshtrit, Ibrahim Kodra do të prehet në Tiranë

Kultura

Amaneti i fundit i Mjeshtrit, Ibrahim Kodra do të prehet në Tiranë

Më: 7 shkurt 2016 Në ora: 15:51

Fondacioni “Ibrahim Kodra”, Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Tiranës plotësojnë vullnetin e fundit të Mjeshtrit Ibrahim Kodra, “Nderi i Kombit” i cili do të prehet në Memorialin në Kodrat e Liqenit, pranë figurave të nderuara si Faik Konica e vëllezërit Frashëri.

Në një njoftim për media, Ministria e Kulturës bën të ditur eshtrat e piktorit do të vendosen në një vendndodhje që do të vizitohet nga bashkatdhetarë të shumtë të tij.

Në njoftim sqarohet se pranë Ministrisë së Kulturës është depozituar kërkesa e Behgjet Pacollit dhe Fatos Faslliut, kryetarë të Fondacionit “Ibrahim Kodra” në Lugano dhe në Durrës, lidhur me plotësimin e vullnetit të fundit të vetë piktorit të madh që të prehej në Tiranë, në një vendndodhje ku të vizitohej nga bashkatdhetarë të shumtë të tij. Ky vullnet i artistit, si pasojë e një moskoordinimi, nuk u plotësua dhe eshtrat e tij sot prehen në Ishëm të Durrësit.

Vënia në vend e amanetit të mjeshtrit kryhet me rastin e 10-vjetorit të ndarjes nga jeta. Bashkia e Tiranës dhe e Durrësit kanë marrë të gjitha masat për të realizuar ceremoninë e nderit, që do të mbahet në Kodrat e Liqenit Artificial, me pjesëmarrjen e personaliteteve më të larta të vendit.

Ministria bën të ditur se Memoriali i vendosur në Ishëm në varrezën aktuale të Maestro Kodrës do të qëndrojnë në Ishëm dhe do të plotësohet me një pllakë përkujtimore ku do të shkruhet: Ishmi është krenar për birin e vet, piktorin e madh, nderin e kombit Ibrahim Kodra (1918-2006), që tani prehet sipas vullnetit të tij të mbramë në tiranë, pranë figurave të shquara të kulturës kombëtare.

Gjithashtu vënia e kësaj pllake përkujtimore do të shoqërohet me një ceremoni zyrtare nderimi.

Ministria e Kulturës, në mbështetje të vullnetit të fundit të Mjeshtrit Ibrahim Kodra, piktorit me famë botërore, është e mendimit se memoriali i tij i vendosur në krah të figurave të mëdha të kombit shqiptar si Faik Konica dhe vëllezërit Frashëri, nderon figurën e madhe të Kodrës si dhe do të nderonte shtetin shqiptar në plotësimin e këtij vullnet.

“Ky memorial në nder të tij është respekt i emrit, kontributit, dashurisë për figurat e vyera të kulturës shqiptare të cilët kanë lartësuar emrin e kombit në nivele ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e ministrisë.

Eshtrat e Mjeshtrit Ibrahim Kodra do të pushojnë në Kodrat e Liqenit në datën 12 shkurt, sipas amanetit të tij të fundit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat