Një monografi publicistike për psherëtimën e tokën

Kultura

Një monografi publicistike për psherëtimën e tokën

Më: 6 shkurt 2016 Në ora: 07:09

Hysen Këqiku është krijues nga Gjilani. Ai rrugën e shkrimit e ka nisur qysh në moshën e re. Gjer më tani ka botuar mbi 25 vepra letrare. Para pak dite, ai botoi panoramën e krijuesve letrarë me titull: “Psherëtimë për tokën II” , në të cilën ka tubuar krijuesit e artit letrar nga Kosova Lindore: Presheva, Bujanoci e Metvegja.

Prandaj, Hysen Këqiku nuk është emër i panjohur jo vetëm për lexuesit gjilanas, por edhe për lexuesit e Kosovës Lindore e më gjerë. Ai gjer më tani ka botuar mbi 25 vepra letrare, publicistike e zhanre te tjera të dijes. Ai (Hyseni) është i lindur në Velegllavë të Dardanës – ish- Kamenica. Këtu e filloi shkollimin fillor, ndërsa e mbaroi në Vaksincë dhe Llojan të Kumanovës. Më vonë ai kreu gjimnazin në Preshevë, ndërsa Shkollën e Lartë – Gjuhë e Letërsi Shqipe në Shkup e Prishtinë. Jo vetëm kaq. Ai tash jeton në Gjilan. Është ndër ata krijues që punon e s’ndalet. Punën e ka kuptuar si detyrë të parë. Ai thotë se, pa punë, s’ka të mira jete. Andaj, jetën e vet e ka shndërruar në angazhim e punë krijuese arti . Me fjalë të tjera, ai jetën e sheh me një optimizëm të qiltërt. Ky është potreti i tij si njeri e si krijues i artit letrar.

Hesen Këqiku, gjer më tani ka shkruar këto vepra letrare për të rritur e për fëmijë: “Nëpërkëmbësi” (1994), “Dritën mbi lotinë” (1999), “Melodi e pritjes” (2005), “Vegim i përflakur” (200109), “Në ty e kam shpirtin” (2010), “Në prehër të idilit” (2013), “Kufij që preken” (1997) dramë, vepra për fëmijë: “Ti dil nga loja” (1995), “Ujëvarë e patharë” (2000), “Qëndresë me besa- besë (2000), “Kujtim malli për shkollën I (2004) poemë, “Kujtim malli për shkollën II (2007). “Një atdhe me dashuri” (2008), “Rreze për ylber” (2011. Ka shkruar këto monografi: “Velia Glaua ëndërr e ripërtrirë I(2001), “Velua Glaua ëndërr e ripërtrirë II – gjenealogji (2001), “Psherëtimë për tokën I “ panoramë letrare (2004), Psherëtimë për tokën II panoramë letrare, (2015)”Nazif Përlepnica hero në mes heronjve” monografi (2008), “Demir Behluli” monografi (2008), ”Etje e pashuar” panoramë letrare me bashkëautorë (2010), “Të tjerët për Demir Behlulin” përzgjedhje shkrimesh, (2011), “Kosovë është nderi te Molla e Kuqe” (2015). Disa vepra i ka të përthyera edhe në gjunë rumune.

Dhe jo vetëm kjo. Ndonëse në kohë, veprimtarinë krijuese letrare e publicistike nuk e ndalë. Ai kësaj here na vjen me veprën më të re “Pësherëtimë toke II”, e cila në vete ngërthen mbi 70 krijues të Metvegjës, Bujanocit, Preshevës e mese te tjera të kësaj ane shqiptare. Kjo vepër letrare është botuar ditë më parë nga Shtëpia Botuese “Kurora” në Gjilan. Në këtë panoramë të krijuesve letrarë, Hyseni ka përfshirë krijuesit e këtyre pjesëve të Kosovës Lindore, si janë nga Presheva, Bujanoci e Metvegja. Këta krijues, edhe në kohë të ndera, artin letrar nuk e kanë ndalur, por, ata gati të gjitha “ngjarjet” e asaj kohe që rodhën në këtë pjesë shqiptare, ata i shënuan në vargje e në prozat e tyre artistike.

Me një fjalë, Hysen Këqiku, me veprën “Psherëtimë mbi tokën”, sikur këtyre vëllezërve krijues ua bëri një një kurorë të qëndisur me emra të çmuar të artit letarar, të cilët i tuboi tok për t’mos i harruar me ato pak autobiografi të tyre. Por, autori, në këtë monogafi ua përzgjedhi edhe nga dy a tri krijime poetike apo prozë artistike. Kjo mënyrë e prezentimit të këtyre krijuesve letrarë me ndonjë krijim letrar, është, padyshim, një forma e qëlluar e paraqitjes së tyre. Ata në veprat e tyre paraqesin brengat e tyre të jetës. Me këtë rast, po i citojmë disa nga krijuesit e kësaj vepre, të cilët artikulojnë zërin e pakënaqësë me anë të vargjeve artistike.

Bie fjala, krijuesi Ali Aliu – Kelmendi, i lindur më (1924) në Preshevë, krijoi vepra dhe nuk qëndroi duarkryq para një regjimi antishqiptar. Ai qëndroi burrërisht, i paepur ndaj vështirësive të ndryshme, çdokund ku iu dha munësia, e tha të vërtetën për çëshjte kombëtare shqiptare. Mu pse ishte i tillë, i pathyeshëm, ai shpallet nga qarqet serbomëdha si “armik i popullit”, njeri “jo vigjilent” dhe “nacionalist”. Ai disa herë qe i përjashtuar nga puna dhe u mor në pyetje dhe, një pjesë të gjatë të jetës e kaloi nëpër burgjet famëkeqe si të Goli Otokut, të Nishit etj. Ai shkroi nga viti 1939 poezinë “Larg duart”. Ja si shton: “...

Aneksuan Serbia e Greqia/ Vulosi Varsaji:/ Triumfoi barbaria/ Për vazal Ballkani/ U copëtua Shqipëria!” (f.25). Apo, shkrimtari Luan Maloku (1954) nga Presheva, shkruan poezinë: “Një trim i fisit”, të cilën ia kushton atdhetarit të madh të kombit, Ibrahim Kelmendit. Ja si këndon ai: “”S’di si ta pagëzojë atë/ që me gjakun e tij/ Mbrojti tokën Arbëri/ Për t’u rritur lulet/ Me aromë lirie”.

Apo, Ramiz Kadriu i ardhur nga Topalla, komuna e Metvegjës, ai mbetet i zhuritur për ta parë e jetuar në tokën e stërgjyshërve, Topallën, të cilën vend tash e vajton dhe e këndon në vargje. Ja si ia thotë “këngës”: “Sa shumë vjet me lot e mall/ Për ty vuaj, oj Topallë,/ Nga mallëngjimi nuk shoh dritë/ Për malet, fushat, arat, shtëpitë”! Ky është mallëngjim prekës i këtyre krijuesve, të cilët, tokën e të parëve nuk e harrojnë kudo që jetojnë e punojnë.

Edhe autori i kësaj ane, Rexhep Ajvazi, tokën e të parëve nuk e harri dot. Ai në vargje shton poezinë: “100 vjet pavarësi”, ja si këndon: “E pavarur qe njëqind vjet/ Por kombi mbet siklet/ Dy Shqipëri jashtë kanë mbetë/ Kjo don zgjidhje sa më shpejtë” (f.323).

Po kështu, Ismet Bajrami (1950), autori i katër veprave letrare, nga Corrotica e Preshevës, në poemën e tij “Molla e Kuqe”, shton: “Lugina e fusha rretheqark/ Banonin fiset e babës plak/ Kishte ara, livadhe të bukura/ Madje dhe Molla të kuqe/ Nuk mungon as pemë të tjera/ Aromëkëndëshme kur frynte era. Por, ah mollën atë mollëkuqe/ e kishin lënë qyqe vetëm!/ Për çudi, ashtsu si kishte mbetur?!” (f.161). Ndërsa, poeti Nehat Ramizi (1952) nga fshati Tërnoc, në poezinë e tij “Flamuri”, ai do të këndojë: “Flamuri vrullin na e shton/ E ka qëndisur motra Marigonë/ Ne kemi më shumë se dëshirë/ Të valojë edhe këtu krenar e i lirë!” (f.260).

E, Sadete Emërllahu, poete nga Presheva, tash e ndjerë, autore e disa veprave letrare, në një poezi me titull “Nuk hesht”, ajo shton: “Nuk hesht edhe nëse ndokush/ M’i vë prangat/ Nuk hesht edhe nëse ndokush/ Ma ndez zjarrin në kokë/ Nuk hesht edhe nëse ndokush/ Ma kthen tytën e pushkës” (f.346). Ka edhe shumë autorë të tjerë, të cilët, vargun e tyre e kanë zë të thekshëm të revoltës e të zgjimit të tyre si krijues rebelues. Këta ishin e janë krijuesit e kësaj ane, të cilëve, Hysen Këqiku u thuri një kurorë lulesh me këtë panooramë për të mos i harruar jo vetëm si qenie njerëzore, por edhe si autorë e si krijues të pandalshëm të këtyre trevave shqitare.

Recensenti, Bilall Maliqi, pos tjerash, ai shton: Hysen Këqiku i ka nxjerrë, si të thuash, nga mjegulla e harresës krijuesit e kësaj ane, kur dihet se për ata që kanë ngelur në këto tri komuna shumë pak është shkruar e debatuar nga kritika dhe përaqësimi, ndërsa autori edhe në pjesën e parë, por edhe në këtë panoramë, i ka përfshirë me tërë spektrin që ata ia kanë bërë vetes me veprat letrare. Si e tillë, kjo vepër i bën nder autorit të librit, Kosovës Lindore, krijuesve të cilët janë brenda kopertinave të librit dhe letërsisë shqiptare, në përgjithësi”.

Vepra e H. Këqikut “Pshterëtimë për tokën II”, është “projekt” i veçantë, për faktin se, këtu janë tubuar krijuesit e një gjeografie të gjerë shqiptare të Kosovës Lindore. Kjo vepër ka 492 faqe tekst. Veprën është e botuar nga Shtëpia Botuese “Kurora” në Gjilan, 2016./Tefik Selimi

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat