Komedi me synime gjeneralizimi

Kultura

Komedi me synime gjeneralizimi

Nga: Halil Haxhiosaj Më: 5 shkurt 2016 Në ora: 11:28

Larry Shue: “Budallai”, komedi, premierë, regjia Zana Hoxha- Krasniqi. Përktheu nga anglishtja: Shkëlzen Berisha. Premiera u shfaq në sallën universale të Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë.

Pak hyrje si histori

Pas një pauze bukur të gjatë, Teatri i Gjakovës, në regji të Zana Hoxha – Krasniqit u prezantuar para publikut gjakovar premiera e shfaqjes “Budallai”, një komedi e autorit amerikan Larry Shue. Regjisorja që është e lindur në Gjakovë, bërë regjinë e dytë në Tetrin e Gjakovës, ngase para disa vitesh kishte bërë regjinë e dramës “Varri i qyqes” të Azem Shkrelit. Kjo premierë u shfaq në kuadër të programit të Teatrit të Gjakovës, edhe pse në të nuk luajti rol asnjëri nga tre (3) aktorët e tij që janë në marrëdhënie të rregullt pune. Me siguri, kjo çështje u bë ngase ende nuk ishte i definuar emërtimi, madje as veprimtaria dhe rangëzimi i këtij teatri. Por, fatmirësisht, një ditë më vonë, Asambleja komunale e Gjakovës miratoi vendimin që ky teatër të quhet Teatri i Qytetit dhe të financohet nga fondacionet e kulturës të Asamblesë së kësaj komune.

Dhe u bë mirë, sepse përveç Teatrit Kombëtar të Kosovës në Prishtinë, Teatri i Gjakovës është i dyti jo vetëm për nga profesionalizmi, por edhe për nga mosha, sepse sivjet i mbushi 39 vjet jetë e veprimtari, ndërsa vitin tjetër, pra më 2017, rrafshon 40 vjet si: Teatri Popullor, Teatri Kombëtar, Teatri profesionist, e tjerë. Burimi prej nga doli ishte Teatri amator “Emin Duraku”, në të cilin i bënë hapat e parë në skenë dhe u kaliten pothuajse të gjithë aktorët eminentë të Gjakovës. Andaj, këtë duhet uruar, pse jo edhe duhet festuar, sepse mbase, ky institucion tashmë do të këtë rrugën e vet të veprimtarisë artistike dhe profesionale sipas ligjeve dhe dispozitave të këtij shteti dhe këtij pushteti të Kosovës në përgjithësi dhe të Gjakovës, në veçanti.

Sipas një programi të këtij teatri, kjo komedi është premiera e parë gjatë këtij viti ku do të shfaqen edhe tri të tjera. U bë mirë, sepse publiku i Gjakovës ishte varfëruar në këtë aspekt, i cili është kultivuar, edukuar, duke shijuar shfaqje teatrore që një gjysmë shekulli e më tepër. Këtë e dëshmoi në natën e premierës në të cilën ishin të pranishëm deri 1000 (njëmijë) spektatorë, të cilët e duan teatrin dhe donin ta shuanin etjen që kishin përjetuar për mungesën e shfaqjeve në dërrasat e tij. Edhe kësaj here treguan kulturën e vet, maturinë, inteligjencën dhe nivelin e lartë të prezencës së qetësisë në sallë që nuk dëgjohej asgjë tjetër vetëm zërat e aktorëve dhe interpretimi i tyre. Madje, fare nuk pati nevojë të sugjerohej që t’i fikin zilet e telefonave “të mençur”, sepse nuk cingëroi asnjë. Kështu ka ndodhur gjithmonë në Gjakovë në premiera, por edhe në reprizat dhe në shfaqjet e teatrove të tjera këtu në këtë sallë universale dhe madhështore të Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi”.

Teksti, regjia, skena dhe interpretimi

Finalizimi i një drame, pra tekstit të shkruar dramatik letrar, arrihet me vënie në skenë për t’u shfaqur. Këtë e bën regjisori, i cili ka qasjen e vet, andaj dhe bën leximin e tij. Andaj ekziston thënia se drama nuk shkruhet për t’u lexuar, pra për lexuesin, por shkruhet për t’u vënë në skenë, pra për t’u bërë regjia e saj për shikuesin.

Kështu, teksti është skeleti i dramës, ndërsa regjia, pra skena, është shpirti i saj. Sindromi i kësaj simbioze të dramës si gjini letrare ekziston që nga antikiteti, në forma, qasje dhe përkujdesje të ndryshme, deri sot në bashkëkohësi.

Disi kështu ndodhi, madje, edhe në premierën e komedisë “Budallai” të Larry Shue në regji të Zana Hoxha - Krasniqit.

Regjisorja Hoxha - Krasniqi e lexoi tekstin e këtij dramaturgu, veprimtaria e të cilit është e panjohur për lexuesin tonë, madje edhe krijimtaria e tij dramaturgjike. Sido që të jetë, ajo shfaqi para shikuesit të premierës formën dhe qasjen e saj, e cila ishte e konceptuar dhe e realizuar artistikisht në natën e premierës. Këtë ajo e bëri duke ua ngarkuar roleve të personazheve, të cilat i interpretuan aktorët: Bujar Ahmeti, Edmond Hafizademi, Daniella Markaj, Valon Pallaska, Myrvete Kurtishi dhe Yllka Lota. Interpretimet e aktorëve dhe aktoreve ishin kolektive, në njërën anë, por edhe individuale, në anën tjetër. Kjo varej nga kërkesat e regjisores, që shpërfaqej hapur në skenë. Andaj, nuk mund të konstatohet cilët janë personazhet kryesorë e cilët janë dytësorë, apo edhe episodikë.

Tema e komedisë mbështetet mbi disa elemente bashkëkohore të njerëzimit të shoqërisë në Amerikë, por që edhe pse dukeshin të lehta për t’u kapur, prapë në shtrirje krijonin ndonjë ngatërresë. Andaj komedia kishte një tematikë të lehtë pa ndonjë thellësi artistike, madje as figurative e metaforike, por paksa të ngatërruar dhe të ndërthurur.

Edhe diksioni, gjuha teatrore, lëvizjet skenike e të tjera koordinoheshin dhe rridhnin nëpër hallkat e përzgjedhura nga regjisorja. Madje, në disa skena dukej se edhe pse hetohej ndonjë ngërç, prapë paraqitej sipërfaqësisht intervenimi, që e tejkalonte situatën.

Elementet e tilla të lëvizjeve skenike, mizanskenës, konfliktit dramatik e të tjera rrëshqitnin sipas një strumbullari, i cili qëndronte i mbështetur në tekstin e zgjedhur nga komedia për ta bërë regjinë regjisorja Zana Hoxha - Krasniqi. Mu kështu shfaqeshin hapur anët e arritura dhe ato që pak a shumë ishin më të ngathëta që identifikoheshin, pse jo edhe që bashkëdyzoheshin me skenat e caktuara. Dhe ato skena edhe pse ishin me temë paksa të interpretimit intim (puthja) mbeteshin të tilla në shtrirjen edhe të skenografisë që përkonte dhe realizohej duke u bashkëngjizur me efektet e dritave, lëvizjet skenike, muzikën e tjerë. Madje, efekte paksa të tilla dukeshin edhe rastet e përmbylljes në dollap të personazhes së Yllka Lotës. Por, skenat e bashkëdyzuara me elementet e dritave e të muzikës shënuan kulminacionin e realizimeve në premierën e sontme të komedisë “Budallai”.

Edhe në premierën e komedisë “Budallai” u hetua dhe dominoi një gjuhë që nuk mbështetej me standardin e shqipes. Mbase, kjo mund të jetë ndikim edhe i përkthimit të tekstit nga gjuha angleze, sepse çdo tekst letrar, madje edhe ai dramatik, patjetër duhet t’i nënshtrohet redaktuarës dhe korrekturës gjuhësore. Disa trajta të të folmes që u përdoren nga aktorët nuk përkonin me normën standarde. Kjo dukuri kurrë nuk ka qenë e pranishme në realizimet skenike të këtij teatri. Fatkeqësisht, tashmë është bërë dukuri në mediat e shkruara, audiovezuele, sidomos në serie origjinale televizive, e besa edhe në disa teatro të Kosovës.

Më në fund

U bë mirë që Teatri i Gjakovës, tash Teatri i Qytetit të Gjakovës, në muajin e parë të vitit 2016, gjegjësisht të këtij sezoni artistik, më në fund e fitoi statusin e pritur që nga viti 2010. Premiera e komedisë “Budallai” doli me këmbë të mbarë, andaj dhashtë Zoti, por edhe pushteti komunal i Gjakovës që kjo mbarësi të vazhdojë e të mos ngelë. Këtë e kanë obligim të vetin kulturor dhe politik, por edhe historik për Gjakovën dhe teatrin e tij.

Skenografia e Petrit Bakallit me asistentët e skenës Arben Lleshi dhe Shkëlzen Rruka, pati një sukses në këtë premierë. Kjo skenografi nuk ishte e ngurtë, madje as e fiksuar dhe e rëndë, por shfaqej lëvizëse dhe përshtatej me konceptin regjisorial. Andaj, funksioni i saj ishte i lehtë, i qëlluar edhe pse nuk kishte shtrirje të plotë.

Bashkëpunim dhe bashkëveprim me skenografinë treguan edhe muzika e Rreze Kryeziut, dritat e Nafi Barakut, toni dhe rekuizitat nga Vegim Shehu, gardëroba e Kasim Qerkezit dhe fotografia e Korab Kusarit. Po ashtu kontribuan edhe Ilhami Kurtishi insipicient dhe pëshpëritësja Servete Kryeziu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat