PJ Harvey, këngë për Kosovën (Video)

Kultura

PJ Harvey, këngë për Kosovën (Video)

Më: 4 shkurt 2016 Në ora: 23:46

Këngëtarja e njohur britanike, PJ Harvey ka publikuar projektin e saj të ri me titull “The Wheel”, videoklipin e të cilit e ka realizuar në Kosovë, mes vitit 2011 dhe 2015.

PJ Harvey ka qenë në Kosovë për herë të parë në vitin 2011, e ftuar nga Festivali ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe atij të shkurtër “DokuFest”, për shfaqjen e 12 filmave të saj të metrazhit të shkurtër, të krijuar për albumin “Let England Shake”.

Ajo shfrytëzoi këtë vizitë për të parë vendin, nga ku edhe u frymëzua për projektin e saj.

Në këngën “The Wheel”, PJ Harvey përshkruan të zhdukurit gjatë luftës, si dhe mënyrën sesi e ka parë ajo Kosovën, e në vargjet kushtuar të pagjeturve thotë:

“Një tabelë e personave të zhdukur,
varur në ndërtesën e qeverisë,
8 mijë fotografi të zbardhura nga dielli,
me lule të vyshkura”.

PJ Harvey ka deklaruar se, për realizimin e një projekti asaj i duhet të ndiejë ajrin, të shkelë tokën dhe të takojë njerëzit, gjë që duket edhe në klipin e këngës, ku shfaqen skena nga jeta e përditshme në Kosovë. Vet kënga nis me një karusel, ku luajnë fëmijët në Fushë Kosovë.

Gjatë vizitës së parë në Prizren, në vitin 2011, PJ Harvey është shprehur e mahnitur me vendin e njerëzit, dhe kishte premtuar se do të kthehej edhe me një koncert në Kosovë.

* Kënga “The Wheel”, pjesë e albumit të ri “The Hope Six Demolition Project”, me regji të Seamus Murphy, tregon një përmbledhje të pamjeve të Kosovës nga viti 2011 deri në 2015. Teksa ka folur për udhëtimin e saj në Kosovë, Harvey është shprehur:

“Kënga ‘The Wheel’ tregon udhëtimin në Kosovë dhe në qytetet e saj. Pamjet drejt Fushë Kosovës dhe kryeqytetit të Prishtinës janë referenca kryesore për titullin e kësaj kënge”.

Por, këngëtarja ka treguar se pamjet nuk ishin i vetmi frymëzim për të, pasi nëse nuk do kishte vizituar fshatrat e braktisura, apo nuk do të kishte përjetuar historitë e ndryshme të njerëzve, kjo këngë nuk do të kishte kuptim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat